Mjafton edhe një shkëndijë e vogël që përplasja mes Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç të marrë flakë. Këtë herë luftën e deklaratave e ka ndezur çështja e bashkimit të mundshëm Shqipëri- Kosovë. Gjithçka filloi nga një intervistë e kryeministri kosovar dhënë për shtypin kroat. Gjatë këtij bashkëbisedimi, që nga kritikët shqiptarë të Kurtit u konsiderua si tërheqje nga pozicionet e tij të mëparshme radikale, ai tha se do të votonte pro një bashkimi të mundshëm, nëse do të organizohej një referendum paqësor dhe demokratik për këtë çështje.
Por ajo që për disa mund të quhej zbrapse për Vuçiçin është një sulm më shumë. Sot, presidenti serb ka bërë me dije se do t’u dërgojë një letër të gjithë drejtuesëve të shteteve duke i pyetur nëse i dëgjojnë deklarata të tilla. E nëse po, cili është reagimi i tyre, e përse askush nuk reagon kundër shqiptarëve.
“Letra ime do të përmbajë një pyetje të thjeshtë: A do të thotë kjo që ju do të heshtni dhe nuk do të reagoni nëse dikush nga këtu flet për bashkim me dikë tjetër? Pra, pyes, mbi çfarë parimi do t’u lejohet shqiptarëve ta bëjnë këtë dhe serbëve u ndalohet? Unë do të kërkoj një shpjegim dhe do të pyes: Çfarë do të thoshit nëse dikush nga Serbia ose RS do të thoshte kështu? Apo ata mund të bëjnë gjithçka? Do të guxoj të pyes se si do të reagonin nëse deklarata të tilla të papërgjegjshme do të vinin nga Beogradi? Çfarë do të thotë se ke të drejtën e papërgjegjshmërisë nëse je shqiptar, nëse i përket disa kombeve të tjera dhe se nuk ke të drejtë në të njëjtat standarde nëse je serb? Kjo është gjithçka që duam të dëgjojmë,”-tha Vuçiç.
Po këtë të mërkurë, Albin Kurti, ka pasur një bashkëbisedim në institutin austriak Karl-Renner në Vjenë ku është përgjigjur edhe për idenë e bashkimit me Shqipërinë duke theksuar se pavarësia e Kosovës nuk është konceptuar kurrë si pavarësi nga shteti amë.
“Në rastin e Kosovës dhe Shqipërisë unë kurrë nuk do ta imagjinoja bashkimin tonë duke shkaktuar luftë për ta bërë atë ose për të shkaktuar konflikte jo demokratike të çfarëdo lloji. Për këtë çështje, do të doja që ta theksoj faktin që Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk është menduar asnjëherë si pavarësi nga Shqipëria, por si çlirim nga Serbia dhe ne kurrë nuk do ta harrojmë këtë. Pra, të gjithë shqiptarët që do ta dëshironin këtë bashkim, ai asnjëherë nuk është kundër dikujt tjetër dhe nuk është asnjëherë qëllimi që të na bëjë neve më të mëdhenj, por për të kontribuuar në mirëqenie dhe liri, pra, si shprehje e lirisë, jo si shprehje e agresionit. Si kryeministër, në këtë mandat, siç keni theksuar ju, unë kam fituar me “biletën” për punë dhe drejtësi dhe këto janë prioritetet e mia të para dhe më të rëndësishmet”, ka thënë Kurti.
Por megjithëse kryeministri i Kosovës e ka bërë të qartë se kush janë prioritetet e mandatit të tij dhe votës që ka marrë, Kjo nuk e ka penguar Aleksandar Vuçiç të bëjë rrolin që i përlen më shumë atë të qarjes përpara ndërkombëtarëve se Serbia është e diskriminuar nga perëndimi.
©Lapsi.al