Rastet me covid janë në rritje sërish në pjesë të ndryshme të Europës ndërsa moti i ftohtë ka ndikuar në përhapjen e virusit. Shtetet në kontinentin e vjetër po tentojnë ta ulin kurbën përmes mënyrave të ndryshme-që nga rikthimi i karantinës ekstreme në Austri, tek kufizimi i disa shërbimeve të ndryshme, ose duke shtuar presionin për vaksinim.
Rreth 60% e qytetarëve në Europën Perëndimore janë të vaksinuar plotësisht dhe gjysma e kësaj shifre janë të vaksinuar në Europën Lindore. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se vdekjet nga koronavirusi në Europë u rritën me 5% krahasuar me javën e kaluar. Ndërkohë disa vende të Europës u përfshinë nga protesta të fuqishme kundër Covid, në rezistencë ndaj masave kufizuese pë rata që refuzojnë të vaksinohen.

Austria
Austria i është rikthyer karantinës totale që nga kjo e hënë, duke u bërë vendi i parë në Bashkimin Europian që ndërmerr një masë kaq ekstreme për të përballuar covid-19. Karantina do të zgjasë 10 ditë, por mund të shkojë edhe deri në 20 ditë. Që nga 1 Shkurti, vaksinimi do të jetë i detyrueshëm. Më herët, karantina u zbatua vetëm për personat e pavaksinuar, por kjo nuk e ndali përhapjen e virusit. Qytetarët nga 12 vjeç e lart e kanë të ndaluar të dalin nga shtëpia përveçse për të bërë shpenzimet, ose për një shëtitje. Patrullat e policisë janë shtuar dhe gjobat shkojnë deri në 1450 euro për shkelësit. Mijëra vetë dolën në protestë në Vjenë gjatë fundjavës, pasi qeveria njoftoi mbylljen totale për të ndalur përhapjen e koronavirusit. Partia e Lirisë bëri thirrje për protesta dhe për anulimin e kufizimeve.
Belgjikë
Dhjetëra mijëra njerëz dolën në demonstrata në kryeqytetin e Brukselit për të protestuar kundër masake anti-covid. Policia tha se mund të ishin rreth 35 mijë vetë në protestë. Një pjesë u largua kur situata u bë e dhunshme. Disa qindra vetë nisën të sulmojnë policinë, të digjnin makinat dhe kazanët e mbeturinave, ndërsa policia lajmëroi mjetet që lëshonin ujë me presion për të ndalur shkatërrimet. Nga kjo e hënë, punonjësit duhet të punojnë nga shtëpia të paktën 4 ditë në javë, ndërsa maska duhet mbajtur me detyrim në vende publike. Çdo person mbi 10 vjeç duhet të mbajë maskë në transportin publik, në lokale, në bare, restorante, teatro dhe kinema. Shumë shpejt pritet të nisë vaksinimi për fëmijët nga 5 deri në 11 vjeç. Spitalet në Belgjikë janë të mbushura me pacientë, ndërsa nga java në javë, të shtruarit shtohen me 30%. Javën e kaluar raportoheshin 10 mijë të shtruar do ditë.
Gjermania
Gjermanët do të jenë ose “të vaksinuar, ose të shtruar, ose të vdekur” në fund këtij dimri, duke parë shpërthimet e infektimeve ka thënë Ministri i Shëndetësisë këtë të hënë. Ndërkohë Merkel ka paralajmëruar masa të tjera kufizuese nga qeveria. Në shumë rajone, vetëm ata që ishin të vaksinuar, ose ata që e kanë kaluar covidin do të jenë të aftë të aksesojnë restorante apo koncerte.
Bundestagu tashmë i ka miratuar masat e reja kufizuese. Më shumë se 65 mijë raste të reja u raportuan vetëm brenda një dite javën e kaluar.
Drejtori i Institutit për Kontrollin e Sëmundjeve, Lotar Vieler tha se “përpara na pret një Krishtlindje vërtet e tmerrshme, nëse nuk marrim masa tani”.
Sllovakia
Në 22 Nëntor, kush nuk është i vaksinuar nuk lejohet të hyjë në dyqane dhe qendra tregtare në Sllovaki. Ata nuk do të lejohen të bëhen pjesë e eventeve publike ose grumbullimeve, ndërsa do të duhet të testohen dy herë në javë nëse duan të shkojnë në punë. Kryeministri i vendit e quajti këtë një karantinë për të pavaksinuarit. Por gjatë javës mijëra qytetarë çekë dhe sllovakë, në Pragë dhe Bratislavë shfrytëzuan përvjetorin e rrëzimit të komunizmit për të dalë në shesh kundër kufizimeve të qeverisë. Protestuesit nuk mbanin maska dhe injoruan totalisht distancën e këshilluar.

Holanda
Një karantinë e pjesshme është vënë në zbatim në Hollandë që nga data 13 Nëntor, ku bie në sy vendimi për t’i mbyllur baret dhe restorantet që në orën 20.00. Pavarësisht se më shumë se 80% e popullsisë është e vaksinuar kurba e infeksioneve është në pikun e saj. Protesta të shumta në disa qytete të Holandës kanë kundërshtuar masat e qeverisë. Të dielën në mbrëmje ishte nata e tretë radhazi kur mijëra njerëz dolën në rrugë. Policia ka arrestuar disa qindra persona. 15 vetë u arrestuan në një qytet pasi i vunë flakën një shkolle fillore. Demonstruesit hodhën fishekzjarre dhe dëmtuan rëndë qendrat e disa qyteteve.
Francë
Në Francë, Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin dënoi incidentet në ishullin Guadalupe të Karaibeve, ku pati demonstrate të dhunshme kundër masave kufizuese. 29 persona ishin arrestuar nga policia, ndërsa 200 policë u dërguan në ishuj për përforcime. Protestuesit vunë barrikada dhe i vunë flakën makinave, ndërsa kundërshtojnë pasaportën e vaksinimit dhe ndalimin e të pavaksinuarve për të hyrë në kafe, stadiume apo për të udhëtuar në distanca të gjata. Ndërkohë vendi po hyn në valën e pestë të infeksionit, me më shumë se 21 mijë infeksione ditore.

Italia
Qindra protestues u bënë bashkë në Romë gjatë fundjavës në një demonstratë kundër masave anti-covid. Protestuesit kundërshtojnë kufizimet e green-pass që nuk lejon të pavaksinuarit të hyjnë në restorante, kinema etj. Sipas kufizimeve të reja, udhëtarët mund të ndalojnë një tren në lëvizje, nëse njëri prej tyre shfaq simptoma të infektimit me Covid. Të gjithë taksistët janë të detyruar të vaksinohen, ndërsa në pjesën e pasme të makinës lejohen vetëm dy pasagjerë.
Në Itali u raportuan 44 të vdekur nga covid këtë të hënë, ndërsa shifrat e infeksionit ishin në rënie nga 7569 të dielën, në 5144 të hënën. Gjithsesi Italia ka shifrën e dytë më të lartë të viktimave në Europë me 132.819 të vdekur që nga fillimi i pandemisë./Lapsi.al