Andi Bushati:Yuri Kim në dyqanin e qelqurinave
“Dy fjalë dua t’i them zonjës ambasadore që më shumë se interesat e vendit të saj mbron interesat e Sorosit. Në një dalje televizive ajo u shpreh se po fitoi Berisha nuk do i japim dorën dhe nuk do i shkojmë në zyrë. E nderuar zonjë, dera e Berishës do të jetë gjithnjë e hapur për ambasadorin e SHBA me të vetmin kusht që në rast se ai do të quhet Juri Kim në çfarëdo funksioni që të ketë, kurrë nuk do të shkelë në zyrën time pa kërkuar falje për barin që u ka dhënë juve. Ne e kemi përmbysur diktatorin që u jepte bar shqiptarëve ndaj ju garantoj se në zyrën time nuk do shkelësh kurrë pa u kërkuar falje shqiptarëve për barin”, tha Berisha. Levizja e tij nuk qe as në inat e sipër, as dhe e pafajshme. Jo më larg se një ditë para kësaj deklarate, Yuri Kim bëri një tjetër provokim ndaj një pjese të opozitës. Ajo pozoi në llogarinë e saj në një foto me romanin e Heminguejit: "Për kë bien këmbanat". Se çfarë kuptimi kishte ky imazh, mjafton ti drejtohemi dekriptimit nga gazeta Tema, e cila ka burime të dorës së parë nga rruga e Elbasanit, madje i boton ato të pa filruara edhe kur bie rasti që të godasi kolegët. Tema e zbërthen kështu pozën eYuri Kim me romanin e Heminguejit: "Përzgjedhja e librit, autorit dhe titullit për këtë foto mund të jetë rastësi, por mund edhe të mos jetë, që do të thotë se pas këtij imazhi fshihet një mesazh i koduar, por për kë"?. Pasataj gazeta trgon edhe pistën: "Lulzim Basha dhe Sali Berisha janë përfshirë në akuza e kundërakuza se kush “e do më shumë Amerikën” dhe kush jo. Jashtë përplasjes së tyre nuk ka mbetur as vetë Ambasadorja e SHBA, e cila që pas paralajmërimit se SHBA “do të ndërpriste komunikimin me një parti që drejtohet nga një person non grata” duket se ka shpërfillur përplasjen e brendshme në PD. Pra edhe për atë që ka pasur ndonjë dyshim, mesazhi i ambasadores është i qartë. Ajo nuk lë rast pa goditur Berishën. Ajo e bëri këtë edhe në ditën që ky i fundit nxori lajmin se kishte tashmë 4200 firmat për të mbledhur kongresin e shkarkimit të Lulzim Bashës. Me të dëgjuar këtë njoftim ajo shfrytëzoi një ftesë që i kishte bërë javë më parë gazetarja e kronikës, Anila Hoxha, për ti dhënë intervistë në Top Channel, duke njoftuar se do ta jepte pikërisht atë ditë. Mesazhi që dha ishte në shkelje flagrante me konventën e Vjenës për mos ndërhyrjen e diplomatëve në punët e një shteti (jo më të një partie).Yuri Kim futet në luftën mes dy PD-ve duke goditur Berishën: “Ne njohim Bashën”
Përmbledhtas ajo tha: "Ne njohim për kryetar Lulzim Bashën. Nuk do kemi marrëdhënie me PD-në nëse fiton Berisha". Kjo nuk është hera e parë që Yuri Kim mban anë në në betejën brenda PD-së. Që kur Berisha u shpall non grata ajo ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë për të mbështetur Bashën. Madje kjo ndërhyrje brutale, që më shumë ka sjellë rëmujë sesa qetësi, i ka bërë edhe homologët e saj europianë të shprehin mosaprovimin e tyre. Burime të konfirmuara të Lapsi.al, bëjnë me dije se ambasadori i një vendi fqinjë, partner strategjik i Shqipërisë, i ka thënë hierarkëve demokratë, madje dhe socialistë, se vendi i tij është kundër turbullirës që shkaktojnë amerikanët. "ne jemi kundvr politikave që ata ndezin zjarrin dhe ne paguajmë për ta fikur", mësohet se ka qenë mesazhi i tij. Në një farë mënyre kjo u pa edhe në qëndrimin e shefit të zyrës së BE, Luigi Soreca, i cili tha në Korçe: "ne do të punojmë me cilindo që fiton në PD".Çështja Berisha/ Soreca turbullon ujrat, me qëndrim ndryshe nga Yuri Kim
Nisur nga këto ndërhyrje të njëpasnjëshme duke filluar nga deklarata se demokratët do të hanë barë po s'u ndanë nga lideri i tyre historik, edhe Berisha i është përgjigjur flakë për flakë, Yuri Kim-it. Madje gjatë një foltore ai e kaloi masën, duke hyrë edhe në anët e panjohura të jetës së saj private. Pasi në media u botua një foto e ambadadores me një gazetare të pashme të ERTV, Berisha tha se "ambasadorja kullot, në konfikt interesi, në livadhet e qeverisë". Pra replikat dhe kundër replikat e kanë tejkaluar cakun. Natyrisht njeriu më i dëmtuar nga kjo betejë është Sali Berisha, sepse nuk është e lehtë që në një republikë bananesh si Shqipëria, të kesh kundër SHBA-në. Por, për të gjithë ata që e shohin me moskokëçarje fatin e liderit historik të PD-së, madje dhe për ata që mendojnë se ai ka marrë atë që meritonte, problem mbetet imazhi i aleatit tonë të madh. Si kurrë ndonjëherë më parë, në publik, ka filluar të shtrohet pyetja: A na thonë diplomatët e SHBA të vërtetën? Ndoshta Berisha mund ta meritonte këtë fat, po a mos po bëhet kjo për të ndihmuar qeverinë? Po ata që kanë bërë korrupsion, madje dhe duke fallcifikuar dokumentat amerikane, pse janë të përkëdhelurit e ambasadës? Ndoshta të gjitha këto pyetje kanë sjellë edhe rezulatat e një sondazhi surprizë në Euronews që konkludoi se shqiptarët preferojnë më shumë BE se SHBA-në.Sondazhi surprizë / Shqiptarët zgjedhin BE para Amerikës
A është kjo pasojë e ngjarjeve të fundit? Vështrirë të thuhet. Por, një gjë është e sigurtë. Numri i shqiptarëve që nuk i shohin më diplomatët amerikanë si kriterin e së vërtetës është rritur ndjeshëm. Dhe kjo, jo për faktin si sillen me opozitarët, por për dyfytyrësinë qe tregojnë ndaj qeveritarëve. ©Lapsi.al