Lajmi se Najada Çomo zhveshi bluzën e bardhë të mjekes për t'u veshur me kostumin e deputetes së PS-së, erdhi në kulmin e pandemisë, atëherë kur spitalet janë mbushur plot me pacientë dhe stafit mjekësor i duhet të përballojë ngarkesën më të madhe të trajtimit të të sëmurëve me covid. Lënia në mes e luftës me covid ka ngjallur polemika, por kjo nuk është e vetmja anë e historisë së përfshirjes në politikë të shefes së infektivit.
Najada Çomo është dëshmi e diferencimit, që pushteti i bëri mjekëve, duke i ndarë në heronj dhe armiq. Për ta bërë më mirë dallimin e përfaqësueses së grupimit të "heronjve", me atë të "armiqve", ia vlen të krahasohet shpërblimi i Çomos me ndëshkimet për mjekët Ilir Allkja apo të kardiologut Edvin Prifti.

Çomo ka mbajtur qëndrime publike në harmoni me përdorimin politik që i leverdiste Ministrisë së Shëndetësisë nga ana e mjekëve dhe infermierëve në spitalet covid. Gjithnjë e zellshme të bëhet pjesë e debatit politik, shefja e pavionit infektiv ka replikuar disa disa herë me kreun e PD-së Lulzim Bashën.
Lexo edhe: Fshehja e vdekjeve nga Covid/ Shifrat që nxjerrin bllof propagandën e qeverisë
Kur Lulzim Basha denoncoi fshehjen e mbi 400 viktimave nga kovid me qëllim manipulimin e shifrave të vdekshmërisë, Edi Rama e akuzoi se po cënonte integritetin e mjekëve. Përgjigjen për Bashën e lexoi deputetja e ardhshme e Partisë Socialiste, por e veshur me bluzën e bardhë të mjekes nga spitali infektiv, Najada Çomo.
"Janë akuza tronditëse që vënë në goditje profesionalizimin tonë si mjekë por dhe janë goditje të befasishme të përpjekjeve tona në luftën kundër covid.Përballë akuzash të tilla e shohim të domosdoshme të informojmë publikun se, nuk është kurrësesi e vërtetë që janë fshehur vdekje nga covid” thoshte Çomo, megjithëse PD përsëriste se akuzat nuk kishin të bënin me mjekët e infektivit.

Në nëntor të vitit të kaluar, Lulzim Basha akuzoi se po përdoreshin ilace të pacertifikuara në Shqipëri dhe se disa prej tyre po bliheshin nga vetë pacientët. Përgjigjia i erdhi sërish nga Najada Çomo.
"Te thuash qe Remdesiviri blihet nga pacientet tane eshte jo vetem genjeshter, por lendon perpjekjet e nje ekipi mjekesh dhe infermieresh qe prej 8 muajsh jane pa gjume ne sy me perkushtimin maksimal per te shpetuar jete. Ju premtoj te nderuar qytetare qe do jemi per ju, per tju sherbyer deri ne fund!" përgjigjej Çomo.

Por doktoresha pati rast që u përdor edhe kundër kolegëve të saj. Pasi Edvin Prifti, Shef i Kardiokirurgjisë në QSUT paralajmeroi një mungesë alarmante paisjesh dhe masash ndaj rrezikut të covid, u përgjigj menjëherë shefja e shërbimit infektiv në QSUT, Najada Çomo. “Gjykoj që ne si shërbim infektiv kemi dhomat e izolimit, pavione me oksigjen dhe njësi terapie intensive me standarde bashkëkohore. Personel të trajnuar dhe masa të marra edhe për pacientët me sëmundje të tjera infektive”, ishte reagimi i saj.

Po çfarë ndodhte me mjekët që denonconin mungesën e pajisjeve apo ngarkesën në spitalet covid? Rasti i mjekut Ilir Allkja është flagrant. Për shkak se denoncoi vazhdimisht mungesën e kapaciteteve spitalore dhe kushteve të punës, ai u pushua nga puna.
Në shkresën zyrtare të QSUT-së u shkruajt se Allkja shkeli Kodin Etik të punonjësve të QSUT.
“Allkja ka ndryshuar përmbajtjen, keqorientuar, keqinformuar publikun; reagimet e vazhdueshme të mjekut Ilir Allkja në mediat sociale dhe audiovizive, të cilat konsistojnë në disinformim të publikut, deklarime të rreme, përhapje paniku, si dhe ushtrim të presionit psikologjik mbi administratën, mbi problematikat e shkaktuara nga mjeku Allkja”, thuhej në vendimin e publikuar në media.
Për ta justifikuar largimin e tij nga puna, Edi Rama tha se nuk mund të dalësh e të flasësh në televisor në rast lufte: E njihka situatën ai dhe nuk e njihka Najada Çomo, që ul kokën, apo Tritan Kalo, që ka pasur jo vetëm kurajon, por edhe shpejtësinë të dalë në protestë, të shkruajë edhe letra. E njihka situatën një person i tillë. Shko bëje këtë diku tjetër! Unë nuk ndëshkoj asnjë, e mora vesh, dhe ai është ndëshkuar me argumentin shkelje e etikës dhe mirë është bërë. Gjithkund ka hierarki, nuk mund të dalësh të flasësh në televizor në kohë lufte, pa hierarki, e mbi të gjitha duke dezinformuar publikun" tha Rama.
Nga Edvin Prifti: Pse jemi të papërgatitur për t'u përballur me koronavirusin
Tjetër rast ndëshkimi është ai i kardiologut Edvin Priftit, që u arrestua me një urdhër nga SPAK, i cili më vonë u shpall i paligjshëm nga Gjykata e Posaçme. Në qëndrimet e tij, Edvin Prifti ishte kritik për masat e pakta kundër covid dhe nuk ngurroi të përmendte edhe PPP.
"Dje po interesohesha dhe mu tha nga nje prej specialisteve tane me te mire te semundjeve infektive qe real time PCR me kitet e koronavirus eshte kerkuar nga laboratori i mikrobiologjise ne QSUT dhe nuk eshte realizuar pasi PPP nuk e parashikon. Sigurisht qe dikushi do justifikohet qe kjo eshte nje emergjence dhe e re! Pikerisht keto raste duhet te parashikohen ne cdo rast. Pra justifikimi eshte i pajustifikueshem. Atehere une them qe zoterinj- ketu ndodhemi perballe nje ceshtje te sigurise kombetare" shkruante Prifti.
https://lapsi.al/2020/02/23/koronavirusi-qeveria-do-ta-vrasi-dhe-virusin-me-propagande/
A u ndëshkua kardiologu me burg për qëndrimet e tij në pandemi? Kjo mbetet vetëm një hipotezë, por e sigurtë është dëshira e papërmbajtur e kryeministrit Rama për ta parë Edvin Priftin pas hekurave dhe përmendja e arrestimit të tij në çdo takim elektoral të Partisë Socialiste. Madje, në një situatë të paprecedent, ishte vetë Rama që lajmëroi arrestimin e mjekut, para se prokurorët ta kërkonin prangosjen e tij në sallën e gjyqit.
Fati i mjekëve pasi kanë folur për pandeminë në rastet e Najada Çomos, Ilir Allkjas apo Edvi Priftit ka qenë i paracaktuar nga qëndrimet e tyre për pandeminë.
Ndërsa Rama e prezantoi si hyrjen më të re në listën e kandidatëve të PS, ai nuk e kurseu një kompliment për Najada Çomon, kur i dha fjalën se "ne nuk duam që ti të bëhesh si ne, por ne të bëhemi si ty".
Nga mënyra si është sjellë deri më sot doktoresha, komplimenti i Ramës është bërë për efekt të spektaklit, sepse tashmë ajo është si ata dhe ata janë si ajo dhe të gjithë bashkë, janë fiks siç i shkojnë për shtat atij.© Lapsi.al