Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj paralajmëroi goditjen e grupit që solli 613 kilogramë kokainë nga Kolumbia në Shqipëri, duke pohuar se lidhjet e këtij grupi të çojnë në Gjermani.
“Kjo çështje është në hetim nga prokuroria e krimeve të rënda, së bashku me policinë e shtetit, me drejtorinë e luftës kundër drogës dhe, me kërkesën e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit, janë atashuar në mbështetje të këtij hetimi agjentë të DEA-s, të ministrisë së brendshme të Gjermanisë si dhe të disa vendeve të tjera, ku ne mendojmë që ky grup kriminal ka kontaktet, ka lidhjet dhe ku ishte destinuar për t’u shpërndarë lënda narkotike” tha Xhafaj.
Por vetë ministri gjatë intervistës pranoi se ai nuk është njohur me detajet e operacionit, të cilat i ka diskutuar Ardi Veliu dhe agjentët e DRA-s.
“Gjithashtu drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, së bashku me drejtorin e policisë kriminale, patën diskutime në nivel operacional, në të cilat unë si ministër nuk përfshihem dhe nuk dëshiroj të përfshihem, sepse nuk janë tagrat e mi dhe nuk është në tagrin tim përfshirja në operacione konkrete. Por u kërkova zyrtarëve të lartë të DEA-s dhe zyrtarëve të FBI-së që të ulen konkretisht për të parë operacionet dhe çështjet konkrete” tha Ministri i Brendshëm.
Ajo që ra në sy në intervistën e Fatmir Xhafajt ishte një konfirmim që ai i bëri deklaratave të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kur se trafiku i kokainës nuk mund të bëhet pa pasur mbështetjen e politikës.
Zëri i Amerikës: A ka shenja për lidhje me nivele të larta në Shqipëri, me zyrtarë, me politikanë, nga kanë marrë mbështetje?
Fatmir Xhafa: Mua personalisht, në cilësinë time si ministër, nuk më rezulton, por mbetet për të parë se çfarë do të nxjerrë hetimi. Ajo që shpesh bëjmë gabim në Shqipëri, është që flasim ne më shumë, se sa ata që u takon të bëjnë detyrën e tyre dhe që, në këtë rast, janë prokurorët e krimeve të rënda. Unë shpresoj që ata do t’i shkojnë deri në fund kësaj çështje dhe kjo ishte arsyeja që në pikat e bisedimit unë e vura theksin tek nevoja për një asistencë të drejtpërdrejtë edhe në çështjen konkrete dhe sa jam unë në dijeni, drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit ka diskutuar konkretisht edhe me DEA-n edhe me FBI-në për këtë.
Zëri i Amerikës: Po ua bëj pyetjen më në përgjithësi. Jo për këtë rast konkret, por në përgjithësi, në raste të tjera që kanë të bëjnë me drogën në Shqipëri, kjo përhapje kaq e madhe e krimit të organizuar, a është e mundur, a vihen re lidhje midis kësaj bote kriminale dhe shtetit?
Fatmir Xhafaj: Absolutisht po. Nuk mund të mos e pranoj një gjë të tillë, sepse pa mbështetjen, ose pa blerë së paku heshtjen e zyrtarëve të shtetit, është e vështirë për të kryer veprimtari të kësaj natyre dhe sidomos këtu bëhet fjalë për zyrtarë që janë në agjencitë ligjzbatuese dhe që mund ta pengojnë, apo mund t’i favorizojnë veprimtari të tilla kriminale. Kjo është arsyeja që në vijimësi dhe, në mënyrë të veçantë, këtë vitin e fundit ne kemi bërë disa ndërhyrje të forta në radhët e strukturave drejtuese të policisë së shtetit, duke larguar prej tyre disa prej drejtuesve të lartë të policisë së shtetit, për të cilët ne mendonim që më së paku, kishin dijeni dhe me heshtjen e tyre dhe me mosveprimin e tyre, kishin favorizuar veprimtarinë kriminale në kultivimin e kanabisit gjatë vitit 2016.
Zëri i Amerikës: Ju keni përmendur ekzistencën e 40 grupeve të krimit të organizuar dhe rrjete kriminale. Nga të dhënat që keni ju, a kanë investuar këto grupe edhe në biznese të ligjshme, si një formë për pastrimin e parave, nëse po, çfarë biznesesh?
Fatmir Xhafaj: Besoj që po. Kemi përfunduar identifikimin e këtyre grupeve kriminale, profilet kriminale të drejtuesve të këtyre grupeve kriminale dhe njëkohësisht edhe procesin e skanimit dhe identifikimit të aseteve të tyre që rrjedhin nga kjo veprimtari kriminale.
Shohim që një pjesë e tyre i kanë investuar të ardhurat e krijuara nga veprimtaria kriminale në një sërë aktivitetesh të paligjshme siç janë investime në fushën e turizmit, në krijimin e shoqërive të ndryshme tregtare me objekte që i shërbejnë për të rritur fitimet dhe për të pastruar paratë, dhe këto janë pjesë e një sërë procesesh, që ne kemi hapur në këtë fushë.
Kjo ishte edhe një nga temat, që e diskutova gjerësisht edhe me zyrtarët e lartë të FBI-së dhe DEA-s për shkak se, pavarësisht vullnetit të mirë dhe dëshirës së mirë që ne kemi, është shumë e rëndësishme që të sigurojmë edhe mbështetjen e nevojshme për të ndjekur rrugën e parasë, për të patur hetime shumë më të suksesshme, lidhur me pastrimin e parave apo pastrimin e produkteve, që rrjedhin nga një veprimtari kriminale. Në këtë kontekst është shumë e nevojshme shkëmbimi i informacioneve me agjenci të tilla ligjzbatuese edhe me agjenci të vendeve të tjera. Kemi rënë dakord që FBI dhe DEA, secila në fushën e vet, të japin më shumë mbështetje në këtë aspekt, duke ndihmuar në hetimet pasurore për këto grupe kriminale.
Zëri i Amerikës: Nëse i kthehem edhe një herë sasisë së madhe të kokainës që u kap në Durrës, janë arrestuar shoferi, administratori dhe është shpallur në kërkim pronari i firmës. Për një sasi aq të madhe këta duket se janë fundi i këtij rrjeti trafiku. A kanë nxjerrë hetimet diçka më të madhe se kaq?
Fatmir Xhafaj: Po. Për aq sa më lejohet mua të marr informacion, për aq sa më lejohet mua të di lidhur me informacione të kësaj natyre, jam në dijeni se hetimet po përparojnë, dhe unë besoj se shumë shpejt prokuroria e krimeve të rënda do të arrijë të identifikojë se cilët kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.