
Një trajner peshëngritjeje, i identifikuar nga televizioni shtetëror grek ERT si Odise Dhima, vëllai i kampionit olimpik Pirro Dhima, është arrestuar nën dyshimin se u siguronte sportistëve substanca të ndaluara për rritjen e performancës. Sipas ERT-së, mes sportistëve të përfshirë është edhe djali i tij i mitur.
58-vjeçari u arrestua të enjten në zonën metropolitane të Athinës, pas një hetimi disamujor të zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet kombëtare antidoping dhe ato shëndetësore. Autoritetet greke e njoftuan arrestimin të premten.
Sipas policisë, trajneri dyshohet se u siguronte sportistëve substanca të ndaluara të paktën që prej prillit 2024. Hetimi dokumentoi një rast në të cilin një sportisti të mitur i ishte dhënë një substancë e paligjshme për përmirësimin e performancës.
Policia bëri të ditur se si trajnerit, ashtu edhe sportistit të mitur u është ndaluar pjesëmarrja në garat e ardhshme të peshëngritjes.
Gjatë kontrolleve në banesën e të dyshuarit dhe në disa ambiente sportive të lidhura me të, hetuesit sekuestruan sasi të mëdha substancash të ndaluara. Sipas njoftimit policor, këto substanca përbëjnë rrezik për shëndetin e personave që i përdorin.
Odise Dhima është vëllai i Pirro Dhimës, fitues i disa medaljeve të arta olimpike në peshëngritje, anëtar i bordit të Federatës Greke të Peshëngritjes dhe ish-deputet i PASOK-ut.