Ditën e djeshme në qendrën kulturore TEN, u organizua promovimi i 2 librave dhe i një reviste nga Qendra Kulturore dhe Filozofike “Akropoli i Ri”. Përkatësisht librat “Të Njohësh Vetveten” dhe “Filozofia si Mënyrë Jetese” të autores dhe profesoreshës së filozofisë e historisë, Delia Stenberg Guzman, si dhe revista periodike “Filozofikja 2”, nga “Botime Akropoli i Ri”. Të treja botimet e promovuara kanë kryesisht tematikë filozofike dhe psikologjike.
“Të Njohësh Vetveten” është një libër, i cili ashtu si titull të bën të nisësh një udhëtim sa të vështirë po aq të mahnitshëm; atë të të njohurit të vetes. Libri, përmes një gjuhe të thjeshtë dhe shembujve konkretë, na paraqet një udhë drejt procesit të vetënjohjes tonë, udhë e cila është ndjekur qysh në fillesat e njerëzimit dhe do të ndiqet derisa ky i fundit të ekzistojë. Delia Stenberg Guzman na fton në aventurën më esenciale që mund të ndjekë një njeri, duke na shndërruar, në një farë mënyre, në eksploratorë të universit tonë brendësor.
Autorja na thotë se ashtu siç njohim shumë pak universin ku ekzistojmë, po aq pak njohim edhe ‘universin’ brenda nesh, i cili fsheh planetë, yje dhe galaktika të panjohura për ne. “Të Njohësh Vetveten” është një udhërrëfyes praktik për të njohur labirintet dhe skutat e panjohura të qenies tonë dhe na fton, ashtu si dikur në shkollat e lashta, Të Njohim Vetveten!
Por pasi e njohim veten, na lind pyetja se çfarë duhet të bejmë me këtë ‘vete’ të re?
Kësaj pyetjeje i përgjigje fare mirë titulli i librit të dytë shkruar po nga Delia Stenberg Guzman dhe botuar në shqip nga “Botime Akropoli i Ri”. “Filozofia si Menyrë Jetese” është një libër i cili i përgjigjet disa pyetjeve themelore që na lindin shpeshherë në kokën tonë. Në epokën ku jetojmë filozofia shihet si diçka me të cilën merren vetëm njerëz të çuditshme apo që është një fushë e lodhshme me fjalë të mëdha.
Përkundrazi, autoja e këtij libri na thotë se kjo nuk është aspak e vërtetë. Delia S. Guzman na mëson se fizozofia nuk është diçka e jashtme apo thjeshtë një diskutim intelektual me terma të vështirë, që kurrë nuk ka një ndikim konkret në jetën tonë, por na thotë se të jetuarit është një mënyrë filozofie dhe anasjelltas. Pra, filozofia nuk është citimi i Platonit, Sokratit, Spinozës, Kantit apo çdo filozofi tjetër, por është një udhë që na mëson se si të jetojmë me të, si të sillemi, si të jetojmë një jetë të harmonike, të kompletuar me vete dhe me të tjerët.
Sipas autores, filozofia ka ndikim në jetën tonë pasi na ndihmon të dimë pse-në e gjerave dhe na ndihmon që të reflektojmë mbi sjelljet, ndjenjat dhe mendimet tona. Në këtë pikë filozofia bëhet e aplikueshme në çdo aspekt të jetës tonë duke na çuar drejt procesit të vetëpërmirësimit të qenies dhe jetës tonë.
Përpos 2 librave të shkruar nga autorja Delia Stenberg Guzman, “Botime Akropoli i Ri”, promovoi edhe volumin e dytë të revistës “Filozofikja 2”. “Filozofikja” është një revistë periodike që Qendra Kulturore dhe Filozofike “Akropoli i Ri” boton çdo 3 muaj dhe ka në brendësi të saj tema psikologjike dhe filozofike.
Disa nga temat që mund të gjeni tek “Filozofikja” janë:
- Spiritualiteti në kinemanë moderne
- Luftëtari i dritës
- Drejtësia sipas Platonit
- Mnimoteknika
- Katër burimet e stresit
- Saverus Snape na mëson mbi kurajon
- Druidët
- Jeta dhe Vdekja
Po ashtu, brenda revistës “Filozofikja 2” do të gjeni një test rreth inteligjences emocionale, ku mund të provoni se sa është inteligjenca juaj emocionale, foto nga aktivitetet e ndryshme që Qendra Kulturore dhe Filozofike “Akropoli i Ri” zhvillon, si dhe botimet të tjera të kësaj qendre.

Drejtori i Qendrës Kulturore dhe Filozofike “Akropoli i Ri”, Kastriot Gjini duke folur mbi tre botimet
Ashtu siç na shpjegon edhe drejtori i Qendrës Kulturore dhe Filozofike “Akropoli i Ri”, Kastriot Gjini, ajo çka i bën të veçanta këto botime është fakti se nuk kanë si qëllim fitimin dhe se gjithçka bëhet në mënyrë vullnetare nga anëtaret e qendrës.
“Të gjithë, nga më i riu deri tek më më i vjetri, paguhemi njëlloj; zero lekë. Sepse për ne filozofia nuk është thjeshtë një diskutim, por diçka të cilën e vëmë në praktikë dhe më të cilën përpiqemi të jetojmë.” – na thotë ai duke qeshur.
Gjithashtu, ai na shpjegoi se kjo qendër e themeluar në vitin 1957 është e pranishme në më shumë se 60 shtete dhe 424 qytete të botës, ndërsa në Shqipëri është themeluar nga Gjini në vitin 2008 dhe sot numëron më shumë se 100 anëtarë.
“Qendra jonë “Akropoli i Ri” përmes tre sektorëve të tij; Kulturës, Vullnetarizmit dhe Filozofisë përpiqet që të sjellë një ndryshim cilësor në botë dhe duke u munduar të krijojë një njeri që do e lërë njerëzimin pak më të mirë nga sa e gjeti. Botimet tona janë në fillesat e tyre dhe ne si qendër duam që të sjellim diçka që vendit tonë i ka munguar në fushën e filozofisë, në mënyrë që të hapim rrugën e kësaj disipline me botime në gjuhën shqipe. Ndërsa për ata që nuk mjaftohen vetëm me leximin e librave, por duan të zgjerojnë dijet e tyre dhe të futen pak më thellë tek gjëra, i ftojmë që ta na vizitojnë tek qendra jotë “Akropoli i Ri” këtu në Tiranë!” – përfundoi drejtori i Qendrës Kulturore dhe Filozofike “Akropoli i Ri”, Kastriot Gjini. /LAPSI.AL/
