
Ish-asistenti i Matthew Perry, Kenneth “Kenny” Iwamasa, është dënuar me 41 muaj burg për rolin e tij në mbidozën fatale me ketaminë që i mori jetën aktorit të njohur të serialit “Friends”.
Sipas mediave amerikane, gjykatësja e Los Angelesit, Sherilyn Peace Garnett, urdhëroi gjithashtu që 60-vjeçari të paguajë gjoba prej 10 mijë dollarësh dhe 100 dollarësh, ndërsa pas lirimit do të qëndrojë për dy vite nën mbikëqyrje. Ai duhet të paraqitet në burg deri më 17 korrik.
Iwamasa kishte pranuar më herët fajësinë për komplot në shpërndarjen e ketaminës që çoi në vdekjen e Perry-t.
Para vendimit, prokurorët kërkuan mbi tre vite burg për ish-asistentin, ndërsa avokatët e tij argumentuan se ai thjesht po zbatonte kërkesat e aktorit dhe se nuk ishte në gjendje t’i thoshte “jo”.
Në deklaratat e paraqitura në gjykatë, familjarët e Matthew Perry e akuzuan Iwamasa-n se e kishte injektuar “në mënyrë të përsëritur” me ketaminë dhe më pas e kishte lënë “të vdiste” në vaskën me hidromasazh në shtëpinë e tij në Pacific Palisades, në tetor të vitit 2023.
Nëna e aktorit, Suzanne Morrison, deklaroi se Iwamasa kishte dështuar në rolin e tij si “shoqërues dhe mbrojtës” i Perry-t në luftën kundër varësisë.
"Ne i besuam një njeriu pa ndërgjegje dhe djali im pagoi çmimin”, u shpreh ajo.
Një ish-punonjëse e Perry-t pretendoi gjithashtu se pas vdekjes së aktorit, Iwamasa vazhdoi të përdorte makinën e tij.
Matthew Perry kishte punësuar Iwamasa-n në vitin 2022, duke i paguar rreth 150 mijë dollarë në vit për të jetuar në shtëpinë e tij në Los Angeles dhe për të shërbyer si asistent personal.
Aktori, i cili prej vitesh kishte probleme me varësinë, po ndiqte terapi me infuzione ketamine para vdekjes. Sipas hetimeve, Iwamasa i kishte injektuar doza të paligjshme të substancës pa trajnim mjekësor, çka çoi në vdekjen e Perry-t në moshën 54-vjeçare.
Në total, pesë persona janë akuzuar lidhur me rastin. Mes tyre janë mjekët Mark Chavez dhe Salvador Plasencia, këshilltari Erik Fleming dhe trafikantja e drogës Jasveen Sangha, e njohur si “Mbretëresha e Ketaminës”.