
Kuvendi i Kosovës pritet të vazhdojë sot seancën plenare, në të cilën një nga pikat kryesore të rendit të ditës është rishqyrtimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i njohur si Ligji për Specialen. Seanca ishte ndërprerë një ditë më parë për shkak të mungesës së kuorumit, pas pauzës. Megjithatë, deputetët do t’i rikthehen sot diskutimit për këtë çështje, e cila ka nxitur reagime politike dhe ndërkombëtare.
Përfshirja e kësaj pike në rendin e ditës u miratua pas kërkesës së Grupit Parlamentar të PDK-së. Ligji është kthyer për rishqyrtim nga presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ndërsa Komisioni për Legjislacion ka bërë të ditur se për miratimin e tij në formën aktuale, pa ndryshime, nevojiten 61 vota të deputetëve.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, u ka bërë thirrje deputetëve që ta votojnë ligjin në formën në të cilën është kthyer nga presidentja. Sipas saj, pas miratimit duhet të nisë një procedurë e re ligjore për ndryshimin e tij. Gjatë seancës së së enjtes, Çitaku është zotuar se PDK-ja do ta paraqesë nismën e re ligjore të hënën, më 16 nëntor. Ndërkohë, çështja ka nxitur reagimin edhe të Bashkimit Evropian. Zyra e BE-së në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me njoftimin për votimin e mundshëm të ligjit në Kuvend, duke ngritur pikëpyetje për zhvillimet rreth Dhomave të Specializuara.