Flash

DW: A është pranë një zgjidhje për Ngushticën e Hormuzit?

Lapsi.al 5 August 2026

Pas kërcënimit të fundit nga Presidenti amerikan Donald Trump ndaj Iranit përpjekjet për një zgjidhje diplomatike të konfliktit vazhdojnë. Ai foli për përpjekje diplomatike që janë ende në zhvillim dhe që, sipas tij, tashmë kanë avancuar ndjeshëm.

"Të gjithë në rajon po punojnë së bashku për të shmangur një përshkallëzim të situatës”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majid al-Ansari, në kryeqytetin Doha. 

Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, konfirmoi se në bisedimet e vazhdueshme janë bërë përparime, por ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare.

"Shpresojmë që kjo të ndodhë shumë shpejt”, tha ai.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, al-Ansari, deklaroi se deri tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje lidhur meNgushticën e Hormuzit, por kjo mund të ndryshojë në ditët ose orët e ardhshme. Sipas informacioneve nga Irani aktualisht po zhvillohen vetëm bisedime përmes ndërmjetësve dhe nuk ka kontakte të drejtpërdrejta midis Teheranit dhe Uashingtonit.

Irani propozon një itinerar të ri për Ngushticën e Hormuzit

Presidenti amerikan Donald Trump i bëri të hënën (03.08.) sërish presion Teheranit për të arritur një zgjidhje përmes negociatave.  Në Shtëpinë e Bardhë ai deklaroi: "Dua t'u jap edhe një mundësi të fundit përpara se të përballen me pasoja shumë të rënda.”

Fillimisht, sipas tij, duhet të diskutohet për hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe më pas për zgjidhjen e mosmarrëveshjes lidhur me programin bërthamor iranian. Irani hodhi tani në qarkullim një propozim për një lloj itinerari qarkor në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas propozimit anijet tregtare mund të hyjnë në Ngushticën e Hormuzit nga një korridor verior që kalon nëpër ujërat territoriale iraniane. Pasi të kenë ndaluar në porte në Iran ose në vendet arabe të Gjirit Persik, ato mund të përdorin një korridor jugor për kthimin, duke kaluar nëpër ujërat territoriale të Omanit.

Por sipas gazetës The New York Times në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes ekzistojnë rezerva ndaj këtij propozimi. Sipas raportimeve në ujërat e Omanit ka ende shumë mina detare iraniane, gjë që do të kërkonte koordinim me Iranin për kalimin e sigurt të anijeve. Po ashtu kjo zgjidhje do t'i jepte Teheranit mundësinë që të kontrollonte, se cilat anije hyjnë në Gjirin Persik dhe të vendoste tarifa për hyrjen e tyre./DW

Të këshilluara

ide

Një histori korruptimi jo dashurimi

Fakti që zyrtare të larta të shtetit tonë adhurojnë uritha të tillë si Agasi është dëshmi e korruptimit dhe jo e sensibilitetit romantik. Nivelet e larta të shtetit duhet të shërbejnë si busulla morale dhe parimore për qytetarin e thjeshtë, dhe jo të degradojnë nën nivelin moral të popullatës.  Pikërisht kjo është ajo që na trondit në rastin e zonjës Hyseni. Busulla e saj morale dhe parimore ishte nën nivelin e qytetar

11:09 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

17°c

KËMBIMI EURO

92.00

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI