Aktor i videoklipit të Teenage Dream, Josh Kloss, ka deklaruar se ka mbajtur për vite me radhë “traumë të heshtur” pas një incidenti të dyshuar me Katy Perry, ku sipas tij ajo e ekspozoi pa pëlqimin e tij gjatë një feste rreth 14 vite më parë.
Në një intervistë për Page Six — të parën dhe sipas tij të fundit që nga publikimi i akuzave në Instagram në vitin 2019 — Kloss u shpreh se ishte e vështirë të fliste për një ngjarje që “shumë njerëzve u duket e parëndësishme”.
Ai vendosi të flasë sërish pasi aktorja Ruby Rose ngriti akuza të ngjashme ndaj këngëtares, të cilat Perry i ka mohuar kategorikisht. “E ndjeva të rëndësishme të jem i guximshëm dhe të shpjegoj versionin tim,” tha ai.
Sipas Kloss, incidenti ndodhi në një festë për ditëlindjen e stilistit Johnny Wujek në Kaliforni, rreth dy vite pasi ai kishte luajtur rolin e të dashurit të Perry-t në videoklipin e njohur. Ai pretendon se ndërsa po prezantonte një mik, Perry i tërhoqi pantallonat dhe të brendshmet, duke e ekspozuar para të pranishmëve.
“U ndjeva i turpëruar dhe i shokuar,” tha Kloss, duke shtuar se këngëtarja reagoi duke qeshur.
Nga ana tjetër, persona pranë Perry-t, përfshirë Wujek, i kanë mohuar akuzat, duke i cilësuar si të pavërteta. Edhe vetë Perry, në një intervistë të mëparshme, ka deklaruar se jetojmë në një kohë ku “çdokush mund të thotë gjithçka”, duke shmangur komentet direkte mbi akuzat.
Kloss thekson se qëllimi i tij nuk është të ndëshkojë këngëtaren, por të mbrojë shëndetin e tij mendor dhe të sqarojë përvojën personale. Ai shtoi se për vite me radhë ishte ndjerë i keqkuptuar nga publiku, i cili e konsideronte “me fat” për bashkëpunimin me një yll të madh.
Ndërkohë, akuzat e fundit nga Ruby Rose, që pretendojnë për një incident të ngjashëm në Australi, janë mohuar sërish nga përfaqësuesit e Perry-t, të cilët i kanë quajtur “të rreme dhe të rrezikshme”.