Në një bisedë telefonike që zgjati afro një orë, presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump i bëri presion sekretarit të shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger, që të “siguronte” mjaftueshëm vota sa për të rrëzuar fitoren e kandidatit demokrat Biden, të cilën ai vazhdon të mos e pranojë. Prestigjozja “The Washington Post” ka publikuar një regjistrim të bisedës, jo fort të zakontë, të cilën edhe Trump e pranoi më pas në Twitter.
(Pjesë nga biseda mes Trump dhe Raffensperger)
Trump: Njerëzit në Xhorxhia janë të acaruar, të gjithë qytetarët e Amerikës janë të zemëruar me rezultatin. Nuk ka asgjë të keqe të thuash për shembull, që i rinumëruam votat.
Raffensperger (i lodhur nga akuzat e njëpasnjëshme të Trump se fitorja e Biden ishte e pavlershme): Problemi është zoti president se të dhënat tuaja janë gabim.
Trump: Dëgjo. Gjithçka që duhet të bësh është të më gjesh 11,780 vota, që është një më tepër se ajo që kemi. Ne kemi fituar në atë shtet. Nuk ka se si të jetë ndryshe. Nuk e kam humbur Xhorxhian, përkundrazi ne aty fituam me qindra mijëra vota.
Rezultati i çertifikuar tashmë i Xhorxhias tregon të kundërtën e fjalëve të Trump. Për herë të parë që nga viti 1992, Xhorxhia u fitua nga demokratët. Edhe beteja të tjera të iniciuara nga presidenti në largim kanë rezultuar të pasuksesshme, duke dështuar në disa padi të ngritura për mashtrim elektoral. Ndonëse shumë republikanë kanë premtuar se do ta kundërshtojnë, Biden do të zyrtarizojë fitoren të mërkurën dhe ai do të marrë vendin e tij si presidenti i 46-të i Amerikës në 20 janar. Po në këtë datë, Trump do të lërë Shtëpinë e Bardhë.
Mes shumë personave që u indinjuan nga përmbajtja e kësaj telefonate ishte dhe këshilltari i Joe Biden, Bob Bauer i cili tha: “Kjo është një provë e kandërshtueshme në të cilën presidenti presionon dhe kërcënon një anëtar të partisë së tij që të rrëzojë një numërim të ligjshëm të votave dhe të “fabrikojë” një tjetër në vend të tij. Edward B Foley, një profesor nga Ohio e quajti bisedën “të papërshtatshme dhe gati të neveritshme”. Një tjetër profesor që merret me ligjet amerikane, Carl Tobias tha se pas 20 janarit, Trump mund ta presin disa pasoja ligjore.
“Nëse departamenti i Drejtësisë apo zyra e avokatëve të SHBA-së besojnë se Trump shkeli ligjet elektorale, prokurorët mund të ngrenë një padi menjëherë kundër Trump”, tha ai.
Noah Bookbinder, drejtori i organizatës “Qytetarët për Përgjegjësi dhe Etikë” shkoi deri aty sa të kërkonte një impeachment të dytë për Trump, përpara se ai të lërë zyrën.
“Presidenti i SHBA-së është regjistruar duke u përpjekur të manipulojë zgjedhjet presidenciale. Ky është një stad i ulët në historinë amerikane dhe padyshim një stof impeachment-i. Kjo është e pakthyeshme dhe shkatërruese në të njëjtën kohë”, tha Bookbinder.
Anëtari demokrat i Kongresit, Jerry Nadler tha në një deklaratë se Trump është personi më pak i duhur për të mbajtur postin e presidentit dhe se mund të ketë kryer disa devijime ligjore me veprime e tij.
Edhe prokurori i Trump gjatë procesit të impeachment ka reaguar anë të një tweet-i, ku shkruante: “Mënyra si Trump e vlerëson demokracinë është shfaqur haptazi. Dhe është e gjitha e regjistruar. T’i bësh presion një zyrtari për të “gjetur” votat që do të sigurojnë fitoren është kriminale dhe një abuzim flagrant me fuqinë, e bërë nga një njeri i korruptuar që do të ishte një despot, po ta lejonim. Por ne nuk do ta lejojmë”.
E rizgjedhura në krye të Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelosi i dërgoi një memo kolegëve ku shkruhej: “Përgjatë viteve ne kemi pasur shumë sfida në Shtëpinë e Bardhë, por asnjë situatë nuk ka të krahasuar me udhëheqjen e Trump dhe mungesën e respektit që ai tregon për vullnetin e njerëzve”.
Një anëtar republikan i Kongresit, Adam Kinzinger, shkruajti në Twitter se kjo është e tmerrshme. Sipas tij, asnjë nuk mund ta kundërshtojë rezultatin në këtë formë dhe të ketë një ndërgjegje të pastër.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë Trump, gjatë bisedës telefonike, e quajti senatorin e Xhorxhias “një kalama” dhe përpos saj edhe “të paaftë dhe gënjeshtar”.
“Ti e dije se çfarë bënë ata (i referohet vjedhjes së votave sipas tij nga demokratët) dhe nuk e raportove”, tha Trump. “Ti e di që ky është është një krim. Dhe ti e di që s’mund ta lejosh këtë. Ky është një rrezik i madh për ty dhe për avokatin tënd”, tha ai.
Të martën do të mbahet gara për dy vende në Senat, që do të përcaktojnë se cila parti do të ketë kontrollin e Senatit si dhe mbi fatin e axhendës legjislative të presidentit të zgjedhur Joe Biden. Duke iu referuar zgjedhjeve që do të mbahen nesër, Trump tha se veprimi i sekretarit Raffensperger dhe toleranca e tij ndaj mashtrimit elektoral do të konvertohet në votë kundër republikanëve. Dy kandidatët republikanë Kelly Loeffler dhe David Perdue janë rreshtuar përkrah Trump në shpresë të një fitoreje përbqllë demokratëve Raphael Warnock dhe Jon Ossoff. Shumë përfaqësues demokratë i kanë nxitur kandidatë republikanë që të reagonin ndaj komenteve të presidentit, por ata nuk e bënë.
Ish-kandidatja Stacey Abrams tha për rrjetin “ABC” se e tërë kjo situatë nuk i ka frenuar qytetarët e Xhorxhias që të votojnë. Madje nga kontaktet e saj, ajo tha se njeh të paktën 100,000 amerikanë që nuk votuan në zgjedhjet presidenciale por që do të votojnë kësaj radhe.
Diskutimi mes Trump dhe përfaqësuesit republikan në Xhorxhia, Raffensperger vijoi dhe në Twitter, ku Trump tha se zyrtari nuk mundi t’i përgjigjej apo nuk donte t’i përgjigjej pyetjeve lidhur me mashtrimet, shkatërrimet e votave, shfaqjes së votuesve të vdekur në listat e personave që votuan e të tjera akuza si këto. Sipas Trump, Raffensperger thjesht nuk ja ka idenë se çfarë bëhet.
E shpejtë ishte përgjigja e republikanit Raffensperger që replikoi duke mohuar çdo gjë që Trump deklaroi. Në tweet-in e tij lexohej:
“Me gjithë respektin zoti Trump, ajo që po thoni nuk është aspak e vërtetë”.