“Nëse përpjekja e Greqisë për t’i zgjeruar ujërat e saj territoriale me 12 milje nuk është shkas lufte, atëherë çfarë është?”. Me këtë pyetje të ngritur për agjensinë e lajmeve Anadoly në gusht të këtij viti, zv.Presidenti i Turqisë Fuat Oktay paralajmëronte Greqinë, se zgjerimi në Mesdheun Lindor do të kishte pasoja, pavarësisht njëanshmërisë së Bashkimit Europian në këtë konflikt. Konflikti mes dy vendeve ka në thelb shtrirjen e kufirit të njërës palë apo tjetrës.
https://lapsi.al/2020/08/14/konflikti-ne-mesdhe-celsat-per-te-kuptuar-ndeshjen-detare-mes-greqise-dhe-turqise/
Pikërisht nën hijen e këtij konflikti, zgjerimi i Greqisë me 12 milje në detin Jon dhe qëndrimi i kryeministrit shqiptar Edi Rama janë interpretuar disa herë si shembuj kundër Turqisë nga zyrtarët dhe mediat greke.
Dhe gjatë konferencës së fundvitit, kryeministri Rama i venë nën presion për qëndrimet e tij e orientoi vetë debatin drejt këtij shpjegimi. Kur u pyet, nëse kishte parë vetë ndonjë hartë për shtrirjen e Greqisë me 12 milje, Rama la të kuptohet se dekreti grek për zgjerimin me 12 milje në detin Jon shkonte përtej diskutimit të kufijve me Shqipërinë, ndërsa përmendi me ironi faktin se ai i kishte shërbyer njërës palë apo tjetrës.
“Sa herë teshtin apo kollitet dikush në Athinë, këtu plas rrufa e madhe për arsye komplet të tjera nga fakti, nga thelbi, nga e vërteta për arsye lufte për pushtet këtu. Kaq di unë, nuk e di çfarë duhet të shpjegoj më shumë, kur e kemi përsëritur që e drejta e 12 miljeve është një e drejtë universale që buron nga Konventa.Shqipëria e ka ushtruar këtë të drejtë në 1990 dhe e ka depozituar në OKB. Greqia e ushtron sot për arsyet e veta që i dini shumë mirë se çfarë janë dhe nuk janë të lidhura fare me Shqipërinë, sa për dijeninë tuaj. Dhe tani, o unë jam agjent turk që luftoj me Greqinë, o jam agjent grek që luftoj me Turqinë, o pastaj, jam ai që jam, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, që nuk negocioj, nuk negocioj në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë të drejtat e shqiptarëve” u shpreh Rama.
Por pak minuta më pas, kur gazetarët e pyetën direkt, nëse ishte i shqetësuar për marrëdhënien me presidentin turk Rexhep Taip Erdoan, Rama mbajti një qëndrim krejt tjetër. Ai nisi të mohojë fillimisht ekzistencën e një marrëveshjeje me grekët, ndërsa më pas ngriti pyetjen “Ç’lidhje ka kjo tani me presidentin Taip Erdoan?”, duke harruar se pak më parë e kishte orientuar vetë shpjegimin e gjithçka po ndodhte, me konflikti mes Turqisë dhe Greqisë për detin.
“Nuk ka marrëveshje me Greqinë për zgjerimin me 12 milje. Nuk ka. Bëri ndonjë marrëveshje Shqipëria kur ushtroi të drejtën e zgjerimit në 1990? Nuk ka. Nuk ekziston. Ça është kjo? Se shpjego e shpjego dhe prap ktheheni tek e njëjta gjë. Nuk ka marrëveshje me Greqinë. S’ka. Nuk e kemi arritur dot një marrëveshje. Do shkojmë në gjyq. Ndërsa e drejta e zgjerimit me 12 milje është e drejtë universal, ndërkombëtare, e garantuar nga Konventa. Shqipëria e ka ushtruar në 1990. Greqia e ka ushtruar së fundmi aty ku është mundësia. Dhe në zonën ku është e mundur. Dhe në zonën ku nuk është e mundur, nuk është e mundur. Dhe prandaj çështja do të zgjidhet me gjykatë. Ç’lidhje ka kjo tani me presidentin Taip Erdoan? Mund të ma thuash ti? Tani mos e ulni nivelin fare kështu, se jeni edhe ndërmjetës me opinionin publik. Kur jeni edhe ju në këtë gjëndje që nuk bëni dot këtë dallim, imagjinoni të tjerët, që kanë 1 mijë e një punë të tjera dhe dëgjojnë me spond. I bini fyellit në të njëjtën vrimë, kur tjetri thotë “s’ka”, “nuk ekziston”, u shpreh Rama.
Lexo edhe: Gjeopolitikë/ Gjithçka duhet të dini për betejën Greqi – Turqi, në Mesdhe
Qëndrimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama ka gjetur jehonë të gjerë në mediat greke, të cilat e kanë interpretuar në favor të tyre në raport me Turqinë. Madje sapo konferenca mbaroi, Prothotema e lexoi qëndrimin e Ramës si një mbështetje për Greqinë në konfliktin në Mesdheun Lindor. Prothotema shkruante se përmes kësaj deklarate, Rama tregoi që është në anën e Greqisë në konfliktin e tyre me Turqinë, duke e cilësuar këtë një mesazh të qartë ndaj Ankarasë.
https://lapsi.al/2018/10/23/turqia-ndalon-greqine-per-zgjerimin-e-ujerave-detare-cfare-do-te-ndodhe-me-marreveshjen-me-shqiperine/