Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zbuloi një pjesë të programit të forcës së tij nëse ajo vjen në pushtet. I pari është ekonomia me rikthimin e taksës së sheshtë 9%.
“Synimi ynë është që ne t’i pasurojmë shqiptarët, të krijomë shtresë të mesme do të thotë nqs se sot janë 20 mijë, të bëhen 50 mijë, të bëhen 100 mijë, të bëhen 200 mijë, të bëhen 600 mijë shqiptarë. Falë politikave tona që nesër, pas 2 vjetësh, pas 4 vjetësh të kenë 1 milion lekë të ardhura në muaj. Kjo nuk mund të ndodhë kur e gjithë ekonomia edhe pushteti që kontrollon ekonominë punon, në funksion për 10 veta edhe skllavëron këtë shtresë të mesme që kemi edhe gjithë pjesën tjetër të popullsisë” – tha Basha në Opinion.
Një tjetër premtim ishte që të gjitha kontratat, pa përjashtim t’i nënshtrohen testit anti-mafia.
“Të gjitha kontratat e koncesionit duke përfshirë kontratat e koncesionit të lidhura gjate qeverisjes sonë të mëparshme. Në qoftë se do të përmend sot kontratat që do të prishen, ata do t’i marrin dhe do t’u thonë: “shiko ky qëkur ishte kryetar opozite na ishte vënë pas”.
Gjëja e parë që do dëgjosh nga unë është që të gjitha kontratat, pa përjashtim, nga e para tek e fundit do t’i nënshtrohen testit antimafia. Të gjitha kontratat e koncesionit duke përfshirë kontratat e koncesionit të lidhura gjate qeverisjes sonë të mëparshme. Kontratat korruptive janë nul dhe nga fillimi me efekt prapaveprues dhe ne do bëjmë gjithçka” – tha Basha.
Basha premtoi një ligj të ri për pronat duke garantuar pronarët për një zgjidhje finale.
“Ne do të hartojmë një ligj të drejtë për pronarët. Do t’i drejtohem çdo pronari, çdo trashëgimtari të pronarëve të ligjshëm, që ne nuk do të jemi në gjendje që brenda 4 viteve të zgjidhim tërësisht problemin e pronave sepse fatura financiare është e papërballueshme. Por dy gjëra ju premtoj: rikthimi dhe situimi i plotë aty ku është e mundur dhe krijimi i një fondi special të shtetit shqiptar të paktën sipas modelit të Kroacisë në mënyrë që nga të ardhurat publike të shtetit shqiptar, pronarët trajtohen jo si një bezdi, siç e trajton kjo qeveri apo si një propagandë, por të trajtohen si një detyrim i pashlyer financiar dhe moral i shoqërisë” – tha Basha.
Një tjetër premtim ishte kufizimi në 2 mandate të kryeministrit.
“E kam thënë për herë të fundit në këtë studio dhe po e them prapë. Kufizime në dy mandate i Kryeministrit është zotimi im dhe unë do ta bëjë këtë ligj. Do ta bej me Kushtetutë. Në qoftë se parlamenti i ardhshëm nuk do ta pranojë këtë propozim, që nuk kam arëyse ta besoj që nuk do ta pranojë, unë do t’i drejtohem qytetarëve me referendum, në mënyrë dhe një nga normat do të jetë kufizimi i pushtetit, pushteti absolut është një nga arsyet që ne kemi ardhur këtu.
Unë jam për një Republikë ku institucionet realisht janë të balancuara me pushtetet që kanë, janë të kufizuara me pushtetet që kanë dhe në fund do t’i shërbejnë interesit të njerëzve dhe jo interesit të partive politike” – tha Basha. ©LAPSI.al