
Tre persona janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në kuadër të hetimeve për zbardhjen e vrasjes së Selami Hasanit.
Ndërkohë, ende nuk ka një informacion të konfirmuar zyrtarisht lidhur me numrin e plumbave që kanë goditur viktimën. Sipas dy varianteve që po verifikohen, ai mund të jetë qëlluar me tre plumba, dy në pjesën e barkut dhe një në nofull, ose me shtatë plumba.
Grupi hetimor po vijon punën për analizimin e pamjeve të kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi ngjarja. Deri në këto momente, nga verifikimet e kryera është evidentuar vetëm prania e një automjeti të tipit Volvo në zonë, ndërsa pamjet nuk kanë mundësuar identifikimin e autorëve apo të lëvizjeve të tyre.
Hetimet vijojnë për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes, për identifikimin e autorëve dhe për përcaktimin e motiveve të kësaj vrasjeje.