
Gjatë intervistës për Channel 5 me gazetarin Andrew Callaghan, kryeministri Edi Rama kundërshtoi pretendimin për numrin e lartë të apartamenteve të pabanuara në Tiranë.
Kur gazetari përmendi shifrën prej rreth 55 mijë apartamentesh bosh në kryeqytet, Rama u përgjigj se nuk ekzistonin 50 mijë apartamente bosh në Shqipëri, duke e cilësuar këtë pretendim si “absurditet”.
“55 mijë çfarë? Ka 55 mijë apartamente bosh? Kjo është një tjetër marrëzi. Nga vjen kjo shifër?
Nuk ekziston një gjë e tillë si 50 mijë apartamente bosh në Shqipëri. Është e pakuptimtë”, deklaroi Rama.
Por të dhënat zyrtare të Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023 tregojnë se vetëm në Bashkinë Tiranë janë regjistruar 52.871 banesa të pabanuara.
Shifra e regjistruar nga INSTAT në kryeqytet e kalon pragun prej 50 mijë banesash që kryeministri e mohoi.
Për të sqaruar mënyrën e identifikimit të këtyre banesave, Faktoje iu drejtua Institutit të Statistikave, i cili konfirmoi se klasifikimi i tyre është bërë përmes verifikimeve në terren.
Çfarë tregojnë shifrat e Censit?
Sipas rezultateve të Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023, në Bashkinë Tiranë janë regjistruar gjithsej 245.458 banesa të zakonshme. Prej tyre, 192.587 rezultonin të banuara, ndërsa 52.871 të pabanuara në momentin e kryerjes së Censit.
Kjo do të thotë se më shumë se një në pesë banesa në Bashkinë Tiranë rezultonte e pabanuar në shtator 2023.
Shifra prej 52.871 banesash të pabanuara vetëm në kryeqytet bie ndesh me mohimin e kryeministrit se nuk ekzistojnë 50 mijë apartamente bosh në Shqipëri.
Të dhënat zyrtare tregojnë në fakt se pragu prej 50 mijë banesash të pabanuara ishte tejkaluar vetëm në territorin e Bashkisë Tiranë.
Ndërsa për të gjithë Shqipërinë, po sipas Censit të vitit 2023, 356.204 banesa rezultuan të pabanuara, ose 32.9% e totalit prej 1.082.529 banesash të zakonshme të regjistruara në vend. Pra, rreth një në tri banesa nuk kishte banorë në momentin e Censusit.
Si u përcaktuan banesat e pabanuara?
Në përgjigjen për Faktoje, INSTAT shpjegon se metodologjia e Censit 2023 u mbështet në rekomandimet e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE), si dhe në rregulloren përkatëse të Bashkimit Europian.
Sipas institucionit, një banesë klasifikohej si e pabanuar vetëm kur konstatohej se në të nuk banonte askush.
Përpara regjistrimit të saj si bosh, anketuesi duhej të kryente të paktën tri tentativa për kontakt dhe verifikime shtesë në terren.
Verifikimi realizohej përmes vëzhgimit të drejtpërdrejtë të shenjave të banimit, dhe kur ishte e nevojshme, përmes marrjes së informacionit nga fqinjët ose administratori i ndërtesës.
Çdo rast i raportuar si banesë bosh kontrollohej më pas edhe nga kontrollorët dhe mbikëqyrësit, për të konfirmuar saktësinë e klasifikimit.
INSTAT sqaron gjithashtu për Faktoje se banesat ku gjendeshin persona që refuzonin të merrnin pjesë në intervistë nuk regjistroheshin si bosh, por si banesa të banuara me refuzim për intervistë.
INSTAT nuk disponon të dhëna për arsyet e banesave bosh
Megjithëse Censi numëroi banesat e pabanuara, ai nuk evidentoi arsyet pse ato nuk përdoreshin për banim.
Në përgjigjen për Faktoje, INSTAT bëri me dije se pyetësori i Censit nuk përmbante pyetje mbi këtë çështje.
Për rrjedhojë, nuk mund të përcaktohet nëse banesat ishin bosh sepse prisnin të shiteshin apo të jepeshin me qira, përdoreshin në mënyrë sezonale apo nuk shfrytëzoheshin për arsye të tjera.
Faktoje e pyeti gjithashtu INSTAT-in nëse pas Censit 2023 kishte pasur ndonjë përditësim, vlerësim apo studim për ecurinë e numrit të banesave të pabanuara.
Institucioni u përgjigj se deri tani nuk kishte parashikuar aktivitete të tjera statistikore për të ndjekur këtë tregues.
Për rrjedhojë, Censi 2023 mbetet burimi i fundit zyrtar i një numërimi të plotë të banesave të pabanuara.
Përfundim
Të dhënat zyrtare të Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023 hedhin poshtë mohimin e kryeministrit Edi Rama.
Vetëm në Bashkinë Tiranë janë regjistruar 52.871 banesa të pabanuara, ndërsa në rang kombëtar numri arrin në 356.204. Ndaj dhe, Faktoje e kategorizon deklaratën si të pavërtetë./Faktoje.al