Flash

SPAK lëshon tjetër bombë: 10 urdhër-arreste dhe 491 pasuri nga droga nën sekuestro

Lapsi.al 16 June 2026

Prokuroria e Posaçme ka goditur një tjetër rrjet të dyshuar ndërkombëtar të trafikimit të kokainës dhe pastrimit të parave, duke lëshuar 10 urdhër-arreste, midis tyre emra të njohur të botës së krimit, dhe duke vendosur sekuestro mbi 491 pasuri me një vlerë të përafërt prej 150 milionë eurosh. 

Sipas SPAK, grupi kriminal ka operuar gjatë viteve 2019-2021 në Amerikën Latine, Brazil, Belgjikë dhe Holandë dhe dyshohet se ka trafikuar të paktën 50 ton kokainë drejt Europës. Hetimet kanë dokumentuar pesë episode të mëdha trafikimi, ku janë sekuestruar në total rreth 9 ton kokainë në Belgjikë, Holandë, Ekuador dhe Kolumbi. 

Emra të njohur të botës së krimit 

Mes personave për të cilët SPAK ka lëshuar urdhër-arrest (lista e plotë në fund) janë edhe dy emra të njohur në dosjet ndërkombëtare të trafikut të kokainës, Denis Matoshi, i njohur si Eldi Dizdari, dhe Dritan Gjika. Dizdari, rezident në Dubai, është përmendur prej vitesh nga autoritetet italiane, belge dhe europiane si pjesë e rrjeteve shqiptare të trafikut të kokainës që vepronin mes Amerikës së Jugut, Dubait dhe Europës. Emri i tij doli në qendër të operacionit ndërkombëtar “Los Blancos” dhe në hetimet për organizatën kriminale “Kompania Bello”, të cilën autoritetet italiane e kanë cilësuar si një nga rrjetet më të mëdha shqiptare të trafikut të kokainës në Europë.

Edhe më i njohur në arenën ndërkombëtare është Dritan Gjika, i konsideruar nga autoritetet e Ekuadorit si drejtues i operacioneve të mafias shqiptare në atë vend. Sipas dosjeve të prokurorëve ekuadorianë dhe hetimeve të OCCRP, ai dyshohet se ka ndërtuar një rrjet që trafikonte tonelata kokaine nga Amerika Latine drejt porteve europiane, duke përdorur kompani eksporti, kryesisht në sektorin e bananeve, si mbulesë për dërgesat e drogës. Gjika ka qenë objekt i hetimeve për trafik droge, pastrim parash dhe krim të organizuar, ndërsa emri i tij është lidhur me disa nga operacionet më të mëdha kundër narkotrafikut në Ekuador, Spanjë dhe Europë. 

Qindra prona duke pastruar para në Shqipëri 

Sipas dosjes, fitimet e përfituara nga trafiku i drogës janë transferuar më pas në Shqipëri dhe janë investuar në kompani ndërtimi, hoteleri dhe pasuri të paluajtshme me qëllim pastrimin e tyre. SPAK dyshon se paratë e drogës janë përdorur për të blerë kompani, për të financuar projekte ndërtimi dhe për t’u integruar në ekonominë formale përmes një skeme të sofistikuar transaksionesh.

Me vendim të GJKKO-së janë sekuestruar dhjetëra kompani, 266 pasuri të paluajtshme, 209 llogari bankare, automjete, mjete lundruese dhe projekte të shumta ndërtimi në Tiranë, Durrës, Hamallaj, Himarë, Sarandë, Elbasan dhe qytete të tjera. Mes pasurive të sekuestruara përfshihen prona në Lalzi Marina, Hotel Elisa Tirana, vila në komplekse rezidenciale luksoze, apartamente, hotele, njësi tregtare dhe dhjetëra objekte të tjera ndërtimi.

SPAK njofton se hetimet vijojnë në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe autoritetet e disa vendeve europiane e latino-amerikane për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e pasurive të tjera që dyshohet se burojnë nga trafiku ndërkombëtar i kokainës. ©LAPSI.AL 

SPAK thotë: 

Mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.36, datë 15.6.2026, ka caktuar masën e sigurimit personal shtrëngues,“Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për 10 shtetas shqiptarë:

 1.⁠ ⁠Nikoll Bibaj 
 2.⁠ ⁠⁠Isa Aliu, 
 3.⁠ ⁠⁠Sokol Bibaj
 4.⁠ ⁠⁠Florjan Musaj
 5.⁠ ⁠⁠Armando Pacani
 6.⁠ ⁠⁠Denis Matoshi alias Eldi Dizdari 
 7.⁠ ⁠⁠Naldi Yzeiraj
 8.⁠ ⁠⁠Oklid Aliu
 9.⁠ ⁠⁠Dritan Gjika
10.⁠ ⁠⁠Shpëtim Aliu
Në datën 16.6.2026 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë kontrolle të banesave dhe vëndeve të tjera për të kryer ekzekutimin e masave të sigurimit. Gjatë operacionit u ekzekutua masa e sigurimit ndaj personit nën hetim F.M.

Të këshilluara

Marrëveshja e Hormuzit/ Çfarë dimë deri tani për paktin mes SHBA-së dhe Iranit

Marrëveshja mes SHBA-së dhe Iranit ka ndalur përkohësisht luftën dhe ka rihapur Ngushticën e Hormuzit, por çështjet që shkaktuan konfliktin, si programi bërthamor iranian, rezervat e uraniumit, sanksionet, fondet e ngrira dhe përplasja me Izraelin, mbeten ende të pazgjidhura dhe do të jenë objekt i negociatave të vështira në muajt në vijim.

12:49

430 mijë dollarë për lobim, Erion Veliaj kërkon aleatë në Washington

Dokumentet e fundit të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, tregojnë se fushata e lobimit për llogari të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, u fokusua te komunikimet me institucionet amerikane lidhur me financimet për SPAK, si dhe te kontaktet me përfaqësues të Kongresit dhe organizata joqeveritare.

12:22

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

30°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI