
Kjo protestë krejtësisht e veçantë në llojin e saj, qoftë për nga forma, qoftë për nga përmbajtja qoftë dhe për distancimin nga partitë që na ka shoqëruar përgjatë tranzicionit, shënoi së fundi edhe një risi. Ajo tërhoqi vëmendjen e intelektualëve dhe shkrimtarëve që nuk i përveshin rëndom llërrët në betejat partizane të ditës.
Në një hark të shkurtër kohor edhe filozofja Lea Ypi edhe ish drejtuesi i Zërit të Amerikës, Elez Biberaj edhe shkrimtari e publicisti Veton Surroi, kanë botuar vështrime të tyre për fenomenin e veçantë që po ndodh në Shqipëri.
“Është prekëse t’i shohësh të këndojnë, të kërcejnë, të pastrojnë rrugën pas protestave dhe t’u japin lule policëve. Ndryshe nga opozita e vjetër, ata nuk po heqin dorë nga shteti, por po këmbëngulin se ai u përket atyre” shkroi Ypi, në artikullin e saj të botuar në The Guardian.
“Lëvizja e bën protestën në Tiranë të njëjtë në qytetari si në Stuttgardt, Valencia, Kopenhagë apo Pragë. Ruajtja e formës nuk është imitim apo shtirje, është dëshmi e pjekurisë së një qytetarie e cila e ka këtë edhe në përmbajtjen politike të protestës”, e përshkroi atë në editorialin e tij në Koha Ditore, themeluesi i kësaj gazete Veton Surroi.
“Ajo që e bën këtë kryengritje qytetare të jashtëzakonshme është përbërja e saj. Ajo nuk është e orkestruar nga një parti politike. Nuk drejtohet nga një ideologji e vetme. Është një koalicion studentësh, aktivistësh mjedisorë, pronarësh, punëtorësh, pensionistësh dhe profesionistësh të rinj. Shumë prej tyre ishin shkëputur prej kohësh nga politika, të bindur se pjesëmarrja kishte pak peshë. Tani ata janë në rrugë, të bashkuar nga bindja e përbashkët se Shqipëria nuk mund të vazhdojë në rrugën aktuale”, vëren Biberaj.
A e kanë me Trumpin?
Artikullin e saj Lea Ypi e nis me fabulën promovuese të rrëfimit që Ivanka Trump ka bërë në një podcast për mënyrën se si e zbuloi ishullin e Sazanit duke pasqyruar ata që si Berine Sanders e shohin këtë ngjarje si një grabitje të oligarkisë botërore, në këtë rast të familjes Trump. “Realizimi i ëndrrës (së saj) kërkonte thjesht thirrjen e kryeministrit të vendit, Edi Rama, dhe vullnetin e mirë të bashkëshortit të saj, Jared Kushner, si dhe një prej kompanive të tij për ta kthyer një zonë të mbrojtur të jetës së egër në pasuri të paluajtshme luksoze” shkruan ajo.
Por, për Elez Biberajn, këtu nuk kemi të bëjmë as me anti Trumpizëm as me anti amerikanizëm, por me mënurën autokratike të vendimarrjes së Ramës. “Protestat u nxitën nga shqetësimet mbi kushtet jotransparente të investimeve të profilit të lartë, të lidhura me Ivanka Trump dhe Jared Kushner. Por demonstratat nuk janë referendum për familjen Trump, as refuzim i kapitalit të huaj. Shqiptarët prej kohësh kanë mirëpritur investime që respektojnë ligjet e vendit, mjedisin dhe interesin publik. Ajo që ata refuzojnë është mënyra se si këto projekte u shtynë përpara: pa transparencë, pa konsultim dhe pa respekt për të drejtat mjedisore apo pronësore. Protestat nuk janë anti-Trump apo anti-amerikane; ato janë kundër kleptokracisë”, shkruan ai. Kalimin nga një rasti i shkëputur tek sistemi e vëren edhe Surroi: “Në fillim të protestës ligjërimi publik përfshiu familjen Trump, investitorë sirianë, Katarin, Emiratet, klane droge e teori komploti. Me vazhdimin e protestës gjithçka po kondensohet në simbole të lexueshme. Flamuri shqiptar, kërkesa që sovraniteti t’u kthehet qytetarëve dhe flamingoja si simbol i ri i qytetarisë evropiane shqiptare. Përballë tyre nuk është më një investim, por një sistem”.
Si po sillet Rama?
Sipas Veton Surroit kryeministri po bën çdo hap të gabuar të mundshëm në përballimin e kësaj krize, që sipas tij pas SPAK-ut është sfida e dytë e mdhe për pushtetin. “KM Rama po bën gabim pas gabimit në përballje me këtë lëvizje. I ka përshkruar si produkt të interesave antishqiptare dhe i ka përqeshur me bullizmin që i përngjante seksizmit. Me arrogancën dhe mungesën e respektit bazik me të cilën flet me atë pjesë të medieve që i ka të afërta e të cilat megjithatë, i quan “kazan” i foli CNN-it, për të kundërshtuar legjitimitetin e Lëvizjes dhe të përshkrimit të realitetit nga ana e saj” vëren ai. Lea Ypi, që bën çmos që mos tregojë me gisht kryeministrin, por oligarkinë dhe pushtetin e parasë vë re gjithësesi elementët jo demokratikë që i hodhën benzinë zjarrit. “Situata u përshkallëzua kur makineritë e rënda hynë në një zonë bregdetare të mbrojtur dhe një video virale tregoi roje private sigurie duke rrahur një protestues ndërsa policia e shtetit qëndronte pranë”.
Nësrsa Biberaj nuk ka frikë ta vërë gishtin mbi plage: “Në vend që të angazhohej me shqetësimet e protestuesve, Rama ka zgjedhur një strategji përçmimi dhe talljeje. Ai i ka paraqitur demonstratat si anti-investime ose të manipuluara nga agjentë të huaj. Ai është tallur me protestuesit përmes spektakleve – batuta me pelikanë, përqeshje të inskenuara dhe nënkuptime se ata janë të keqinformuar ose jopatriotikë. Ai ka ringjallur spektaklin e tubimeve masive që kremtojnë përvjetorin e partisë së tij, duke evokuar mobilizimet performative të epokës së vonë komuniste. Ky reagim zbulon më shumë sesa mbrojtje politike. Ai pasqyron një stil qeverisës të mësuar me pandëshkueshmërinë dhe që e ka të vështirë ta kuptojë mospajtimin ndryshe veçse si sabotim. Është një përgjigje që e thellon, në vend që ta zgjidhë, krizën e legjitimitetit”. Duke u nisur nga gjithë kjo kronologji, Veton Surroi parashikon: “KM Rama në sjelljet e veta fillestare ka rrezikun që të lejojë krijimin e shpejtë të analogjive mes tij dhe presidentit Vuçiq, i cili është duke u ballafaquar me një lëvizje kapilare kundër tij dhe të cilën e ka etiketuar si “revolucion të ngjyrosur”, të ngjashëm me ato që rrëzuan pushtetet e Evropës lindore të afërta me presidentin Putin”.
Cdo të ndodhë pas kësaj?
Sipas Lea Ypit një gjë ka ndryshuar përgjithmonë. Një ndërgjegjësim shoqëror ka ndodhur dhe nëpërkëmbjen dhe injorimin nga pushteti një pjesë e njerëzve nuk e pranojnë më, madje kjo pa rënë në kthetrat e politikave të ekstremit të djathtë: “Vitet e fundit, përgjigjja ndaj përjashtimit politik në Europën postkomuniste ka qenë rritja e lëvizjeve ksenofobe. Vetëm e djathta ekstreme ka korrur përfitimet e protestave kundër sistemit. Rasti shqiptar dëshmon se një lloj tjetër mobilizimi është i mundur. Larg nacionalizmit regresiv apo nostalgjisë, thirrja e vetme e lëvizjes, “Shqipëria nuk është në shitje”, pasqyron diçka që qeveria socialiste e ka harruar: se vetërespekti është parakushti për t’u respektuar nga të tjerët dhe se një popull i gatshëm të shesë shpirtin për investime do të zbulojë në fund se shpirti ishte e vetmja gjë me vlerë që kishte”.
Edhe sipas Veton Surroit protestuesit nuk kërkojnë më ndalimin e një investimi, por ndryshimin e një sistemi. “Ndaj, për protestuesit kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit nuk shihet vetëm si ndërrim personash në pushtet, por si akti i parë i një kërkese më të thellë: që Shqipëria t’u kthehet qytetarëve të saj” shkruan ai. Ndërsa për atë që do pasojë Elez Biberaj parashikon: “Fitorja dërrmuese e Ramës në vitin 2025 kishte për qëllim të çimentonte dominimin e tij. Në vend të kësaj, ajo përshpejtoi tejkalimin e kufijve të pushtetit, i cili tani ka provokuar rezistencë të gjerë. Mandati i tij, dikur i paraqitur si historik, ngjan gjithnjë e më shumë me një fitore pirrike – një fitore që solli kontroll afatshkurtër me koston e legjitimitetit afatgjatë. Edhe nëse ai i mbijeton krizës së menjëhershme, peizazhi politik ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme. Qeveria nuk mund të mbështetet më te apatia publike. Opozita, ndonëse ende e fragmentuar, nuk është më kanali i vetëm i mospajtimit. Shoqëria civile, e margjinalizuar për një kohë të gjatë, është rikthyer në skenën kombëtare. Dhe brezi i ri, aq shpesh i përçmuar si i shkëputur, ka treguar se është i gatshëm të veprojë.
LAPSI.AL


