Flash

Non grata nga Tirana, hap pas hapi një histori manipulimi

Si gënjyen për 5 vite Yuri Kim, Gabriel Escobar dhe Matthew Palmer

Lapsi.al 11 June 2026

 

Departamenti i shtetit i drejtuar nga sekretari Rubio, i cili thuhet se ka urdhëruar që të premten e shkuar lejimin e liderit të opozitës Sali Berisha për të udhëtuar drejt SHBA-së ka hedhur poshtë qëndrimin e paraardhësit të tij Anthony Blinken. Nga sot e tutje ai nuk është më Non Grata sikurse u njoh per pesë vite. Shenja e parë për këtë u dha në majin e 2025 kur DASH e quajti vendimin e Blinken si një akt politik “që mban peng marrëdhëniet mes dy vendeve”. Në atë deklaratë Departamenti i Shtetit i tha reporterit të Shtëpisë së Bardhë, Marc Caputo: “Ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime të politizuara të epokës së Biden-it”. Tani ky qëndrim është kthyer në akt.

Për të rishikuar se cfarë ka ngjarë gjatë kësaj kohe Lapsi.al ka hapur arkivat që nga dita e 19 majit 2021 kur DASH shpalli 'non grata' Sali Berishën si të përfshirë në “veprime korruptive” dhe për "minim të demokracisë". Kjo masë që u ndërmor për të fashitur protestën e mundshme opozitare pas zgjedhjeve të një muaji më parë, duke e ngërthyer PD-në në një sherr të brendëshëm, dyshohej se kishte një inspirim nga Tirana. Vetë Edi Rama e kishtë kërcënuar rivalin e tij në parlament duke i thënë se shumë shpejt nuk do ta kapërcente më dot Atlantikun.

Por, në ofensivë për të mbrojtur dokumentin e Anthony Blinken u hodhën një hordhi diplomatësh vartës së tij. Lapsi.al i ka rimarrë në mënyrë kronologjike ato më kryesoret.

I ndërgjegjshëm se koha kur po kryhej kjo lëvizje kishte bërë që të ngriheshin dyshimet e para, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Matthew Palmer, i cili më pas u largua nga shërbimi si i dyshuar për konflikt interesi me presidentin serb Vuçiç, u mundua ta shfryjë faktorin kohë. “Nuk do t'i kushtoja rëndësi momentit kohor, por ajo që ka rëndësi është serioziteti me të cilin e marrin Shtetet e Bashkuara çështjen e korrupsionit publik. Kjo është një dëshmi e angazhimit tonë për të përdorur ato instrumenta që kemi të disponueshme", tha ai në një intervistë në 20 maj 2021.

Kur u mor vesh se Berisha nuk do dorëzohej por do hapte gjyq kundër Blinkenit, presionet mbi Lulzim Bashën u shtuan për ta përjashtuar atë nga PD-ja. Ambasadorja Yuri Kim tha shprehjen e famshme kërcënuese se kush vazhdon me Non Grata-n "do hajë bar”. Ajo me lehtësinë për të dalë nga kostumi diplomatik dhe për t'u treguar më katolike se papa u shndërrua në targetin e Berishës që e cilësonte si "guvernatore të paemëruar". Qëndrimeve të saj i doli në krah departamenti i shtetit.

“Uashingtoni është i shqetësuar nga sulmet e pajustifikuara ndaj ambasadores tonë në Tiranë. Këto sulme të shëmtuara nuk përfaqësojnë popullin shqiptar. Siç e ka udhëzuar Uashingtoni ambasadorja Kim ka shpjeguar dhe zbatuar qartë politikat e Shteteve të Bashkuara, përfshirë vendosmërinë e Presidentit Biden për të mbajtur përgjegjës ata persona që përfshihen në korrupsion, ose minojnë demokracinë”, theksoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price.

E njëjta linjë kokfortë vijoi edhe pasi u pa se Berisha ishte shumicë në partinë e tij pasi mblodhi kunvendin në stadiumin Arena Kombëtare. Presioni amerikan qe që Basha mos e lëshonte partinë.

Pas përplasjeve të forta në 8 janar 2022, ndërhyri zv/Ndihmës Sekretariit të Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar. Ai këmbëngulte se Berisha është i vetmuar. “Unë do t’u tërhiqja vëmendjen atyre që mendojnë se fakti që ai mund të nxjerrë përkrahës të dhunshëm në rrugë, sinjalizon një lloj mbështetjeje elektorale. Dyshoj që të jetë kështu. Dhe shpresoj që votuesit ta refuzojnë këtë lloj sjelljeje në këto lloj aktivitetesh", tha ai për Zërin e Amerikës, ku realiteti mohohej në mënyrë qesharake. Ai shtoi duke kërcënuar mbështetësit e Berishës:  "Jo gjithkush që pretendon se është anëtar i Partisë Demokratike është një partner i rëndësishëm i yni në këto momente".

Këtë këmbëngulje prej budallai e mishëroi në çdo hap të saj ambasadorja Juri Kim. Pas dorëheqjes së Bashës, ajo njohu Enkeleid Alibeajn si kryetar të një PD-je fallco dhe loboi të mos i jepej nga gjykatat vula dhe sigla shumicës së demokratëve. Ajo nuk nguroi të ndërhynte kundër konventës së Vienës edhe në garat elektorale, duke bërë thirrje që mos votohej për Non Gratat. “Është e gabuar. Në mendimin objektiv dhe të mirëmenduar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, personat të cilët janë të përcaktuar, nuk duhet të jenë përfaqësues të popullit shqiptar. Populli shqiptar meriton më mirë dhe kërkon më mirë” tha ajo para zgjedhjeve lokale gjatë një vizite në veri të vendit. Atë 3 Prill ajo e krahasoi Berishën me një zjarrëvënës që “premton të shuajë zjarret”.

Duke i dalë në mbrojtje ambasadores në Tiranë, po në të njëjtin muaj, Gabriel Escobar deklaroi në Top Story se nuk ka asnjë shans që Non Grata të hiqet. “Para së gjithash, mendoj se pozicioni ynë për këtë individ të veçantë është shumë i qartë. Por unë do të thosha se nuk njoh asnjë person që përmes zgjedhjeve të ketë arritur të ndryshojë përcaktimin e pozicionit të tyre prej Departamentit të Shtetit sipas legjislacionit tonë”.

Me të njëjtën lehtësi që premtonte se Non Grata nuk do të hiqej kurrë Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit pohonte edhe se vendimmarrja ndaj Berishës nuk ishte politike. “Vendimi për ta përcaktuar atë ishte një vendim institucional. Nuk ishte një vendim individual dhe nuk ishte një vendim politik”, pati deklaruar ai për VOA në 22 tetor 2022.

Sot duket sikur qëndrimi ka ndryshuar 180 gradë. Qasja është krejtësishte e kundërt nga ato që kumtuan Palmer, Kim dhe Escobar që për 5 vite na thanë se vendimi nuk qe politik,  se kjo bëhej për të luftuar korrupsionin në Shqipëri, se Non Grata nuk do rishikohet kurrë. 

©Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Kënga e fundit e Edi Ramës

Gjendja e rënduar e Edi Ramës dhe sjellja e tij e çakërdisur, nuk mund të shpjegohen më me personalitetin e tij, që gjithnj...

17:44 Armand Shkullaku

Turizmi elitar si kullat e Ramës në Tiranë

Klisheja `turizem elitar` është njësoj si modeli neoliberal i privatizmit të aseteve publike në vitet 1990, i cili u kthye në një parrullë që po ta kundërshtoje të cilësonin si komunist, anti-kapitalist dhe anti-zhvillim

08:56 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

95.05

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI