
Marjana Koçeku, deputetja 26-vjeçare e Shkodrës që braktisi grupin e Partisë Socialiste për t'i qëndruar besnike "Idealeve e vlerave të saj", ka plasur një të vërtetë që pakkush tjetër para saj ka guxuar ta thotë publikisht; kur nuk funksionon denigrimi publik dhe kur levat e shtetit janë të kota, në lojë futen bandat kriminale si instrumenti i fundit i presioneve.
Një mesazh i publikuar prej saj në rrjetet sociale i drejtohet drejtpërdrejt grupit të Bajrave në Shkodër dhe tingëllon si një reagim ndaj një kërcënimi të mundshëm, për të cilin deputetja nuk ka dhënë detaje të tjera.
“Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”, ka shkruar Marjana Koçeku në rrjetet sociale.
Mesazhi që ka ende shumë për t'u sqaruar duhet të vërë në lëvizje menjëherë SPAK. Nëse bëhet fjalë për një kërcënim të drejtpërdrejtë apo për indicie të një presioni të ushtruar ndaj saj ose familjes, atëherë rasti kërkon vëmendjen e organeve ligjzbatuese, veçanërisht të SPAK.
Pas reagimit të Marjana Koçekut, ka ardhur edhe qëndrimi i përfaqësuesit ligjor të familjes Bajri. Avokati Sokol Tahiraj i ka cilësuar deklaratat e deputetes si të pabazuara dhe denigruese, duke theksuar se ato cenojnë dinjitetin dhe reputacionin e klientëve të tij. Sipas tij, në një shtet të së drejtës askush nuk mund të etiketohet apo të konsiderohet fajtor mbi bazën e deklaratave publike, ndërsa çdo pretendim për përgjegjësi penale duhet të mbështetet në prova dhe të trajtohet ekskluzivisht nga organet e drejtësisë.
-
Deputetja bën komentin e parë pas largimit nga PS: Zot më jep forcë...
15 Qershor, 22:04
Thirrja e Marjana Koçekut vjen në kulmin e presioneve politike për shkak të vendimit të saj për t'u larguar nga Partia Socialiste. Deputetë, drejtues vendorë dhe mbështetës të Partisë Socialiste në rrjetet sociale i kanë kërkuar vazhdimisht dorëzimin e mandatit, me argumentin se ajo ishte zgjedhur nga lista e mbyllur.
Logjika e këtyre mesazheve të koordinuara të socialistëve ishte se meqënëse Marjana Koçeku kishte qenë pjesë e listës së mbyllur, atëherë mandati nuk i përkiste asaj personalisht, por partisë që kishte kryer investimin për votat që i dhanë karrigen në parlament.
Por Koçeku iu kthye flakë për flakë këtyre pretendimeve. Fillimisht ajo publikoi në rrjetet sociale ikonën e një flamingoje, që tregonte se kishte vendosur t'u bashkohej protestave masive që kanë përfshirë Tiranën për Zvërnecin. Më pas iu kthye flakë për flakë atyre që i kërkonin mandatin.
"Nuk ua kam marrë mandatin e deputetit. Ma keni marrë ju mue, për 10 muej rresht. Tash mandati ka ardhë në vend të vet. Nëse jeni kaq të sigurt që unë nuk fitoj pa ju dhe ju i keni plot 83 mandate, atëherë shpërndajeni parlamentin, shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe masim forcat se kush fiton çka" iu përgjigj ajo bashkëpuntorëve të deridjeshëm.
Ky pozicionim duket se i ka nxehur më shumë gjakrat në anën e pushtetit. Për shumëkënd brenda Partisë Socialiste ka qenë e pazakontë që një deputete 26-vjeçare, pa një histori të gjatë politike dhe pa një bazë tradicionale pushteti, të sfidojë kaq hapur strukturën politike që e solli në Kuvend.
Marjana Koçeku është deputetja më e re në kuvendin e Shqipërisë. Deri më sot ajo nuk kishte mbajtur asnjë qëndrim jashtë vijës së partisë, madje edhe kur në Theth u dyndën policia dhe fadromat e IKMT për të prishur bujtinat e ndërtuara rishtas, Koçeku zgjodhi të mos reagonte publikisht.
Profili i saj publik ka qenë i lidhur kryesisht me jetën në Dukagjin dhe promovimin e turizmit malor. Fotot e saj me keca dhe dhi u bënë shpesh objekt ironish në rrjetet sociale, aq sa gjatë fushatës elektorale vetë Edi Rama ndërhyri për ta mbrojtur nga bullizimi online.
"Marjana është e fortë, madje është aq kokëfortë sa do të jetë problem më vete" shprehej Rama në fushatë për të ashtuquajturën "Neomalsore". "Nuk e dinë,-vazhdonte Rama gjatë një takimi me kandidatët e PS- që ka studuar shkenca politike jashtë, ka pasur trajektore të vecantë për të ardhur deri këtu e politikën e ka pasur ambicie shumë kohë më parë".
Në fakt, rruga e Marjana Koçekut drejt politikës ka qenë jo e zakonshme. Propozimi i Edi Ramës për ta përfshirë në listën e deputetëve e gjeti në bujtinën familjare “Neomalsore Agroturizëm”, në fshatin Nanplepë të Dukagjinit. Pas studimeve në Tiranë, ajo kishte jetuar në Gjenovë, Frankfurt dhe Stokholm ku studioi për shkenca politike, për t’u rikthyer më pas në kullën e familjes, në brigjet e Liqenit të Komanit, pranë hyrjes së Lumit të Shalës.
Sot, rreth një vit pasi hyri në Kuvend si një prej figurave të reja që Partia Socialiste promovonte si histori suksesi, Marjana Koçeku është kthyer në një nga zërat më të papritur kritikë të shumicës dhe në qendër të një përplasjeje politike, që nga sa thotë ajo, ka kaluar në kërcënime me jetë dhe përplasje direkte me bandat e pushtetit./Lapsi.al

