
Një shqiptar është dënuar me 15 vite burg në Angli, pasi u përfshi në dy sulme të rënda me armë zjarri në zonën e Enfield, në veri të Londrës. Ai është Mateos Jubani, i cili u dënua pas ngjarjeve të ndodhura në qershor të vitit 2025. Policia Metropolitane e Londrës ka publikuar edhe pamjet e kamerave të sigurisë, ku dokumentohen momentet e sulmeve. Në video shfaqet një person që ndjek një të ri në rrugë dhe qëllon me armë zjarri në drejtim të tij.
Ngjarja e parë ndodhi në mbrëmjen e 12 qershorit 2025. Sipas policisë britanike, një person i armatosur ndoqi një 18-vjeçar në këmbë dhe hapi zjarr ndaj tij. Fatmirësisht, plumbi nuk e kapi të riun, i cili arriti t'i shpëtonte sulmit. Por vetëm rreth 30 minuta më vonë, situata u përshkallëzua sërish. Rreth orës 23:00, një 32-vjeçar ndodhej brenda makinës së tij në Park Avenue, pranë kryqëzimit me Green Lanes, kur një person i armatosur qëlloi në drejtim të automjetit.
Edhe këtë herë plumbi nuk e goditi drejtuesin e makinës, por ngjarja mori një tjetër kthesë vetëm pak sekonda më vonë. Një person tjetër iu afrua automjetit dhe e goditi 32-vjeçarin me thikë përmes derës së makinës. Si pasojë e sulmit, viktima mori plagë të rënda në shpinë dhe u dërgua me urgjencë në spital, në gjendje të rrezikshme për jetën. Për disa kohë gjendja e tij ishte kritike, ndërsa më vonë policia britanike konfirmoi se ai kishte arritur të shërohej plotësisht.