
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, deklaroi se takimi me kryeministrin në detyrë dhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, nuk ka prodhuar asnjë marrëveshje, ndërsa konfirmoi se palët mbeten larg një kompromisi politik, veçanërisht për çështjen e presidentit. Pas përfundimit të takimit, Abdixhiku tha se qëndrimet e dy forcave politike mbeten të pandryshuara dhe se nuk pret zhvillime pozitive, për sa kohë nuk ka ndryshim të pozicioneve.
“Sa më shumë vonohemi, aq më e vështirë bëhet arritja e një marrëveshjeje. Nuk kam lajme të reja, por mund të them se jemi shumë, shumë larg një marrëveshjeje dhe nuk pres që kjo të ndryshojë pa ndryshuar qëndrimet e partive politike”, u shpreh ai. Kreu i LDK-së ritheksoi se balanca institucionale mbetet kusht themelor për çdo marrëveshje mes palëve.
“Për LDK-në balanca institucionale është e domosdoshme. Përderisa nuk ka një balancë të tillë, nuk mund të ketë as marrëveshje politike për të cilën kemi diskutuar prej kohësh,” tha Abdixhiku. Ai theksoi se ka bërë përpjekje me vullnet të mirë për të shmangur një krizë të re politike, por paralajmëroi se afatet kushtetuese po ngushtohen dhe vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
“Jam përpjekur me vullnet të mirë për të gjetur një zgjidhje. Është e lehtë të shkosh në zgjedhje të reja, por kemi edhe afate kushtetuese që nuk mund t’i tejkalojmë. Nëse ato skadojnë, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja,” deklaroi ai. Sipas Abdixhikut, synimi i LDK-së ka qenë gjetja e një zgjidhjeje afatgjatë dhe jo thellimi i përplasjeve politike. “Qëllimi im dhe i LDK-së ka qenë të gjendet një zgjidhje, jo të merremi me atë se kush po e mund apo kush po e vonon procesin. Fatkeqësisht, në këtë pikë jemi në një rrugë që nuk garanton një zgjidhje të qëndrueshme,” u shpreh ai.
Duke folur për pikën kryesore të mosmarrëveshjes, Abdixhiku konfirmoi se nuk është arritur dakordësi për postin e presidentit. “Çështja kryesore mbetet presidenti. LDK ka propozuar që kandidati për president të vijë nga radhët e LDK-së dhe më pas emri të diskutohet me partnerin e koalicionit, por nuk kemi arritur marrëveshje,” tha ai. Në fund, Abdixhiku bëri të ditur se i ka kërkuar Albin Kurtit të thërrasë menjëherë seancën për konstituimin e institucioneve.
“I kërkova që seanca të thirret që sonte, në mënyrë që të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet kryesia dhe të formohet qeveria. Në rrethanat aktuale nuk besoj se ka arsye për takime të tjera. Takimet kanë kuptim vetëm kur ekziston gatishmëri për kompromis. Në momentin që biem dakord që propozimi për president të vijë nga LDK-ja, atëherë mund ta propozojmë së bashku emrin për president,” përfundoi kreu i LDK-së.