
Rrjeti i njohur televiziv britanik “Sky News” i ka kushtuar një dokumentar të gjatë kriminalitetit shqiptar në ishull. Në dokumentarin e quajtur “Bosët e drogës në derën ngjitur” të transmetuar këtë të premte thuhet se bandat shqiptare të drogës kanë marrë kontrollin e tregtisë së kokainës në Britani dhe po kontrabandojnë drogë përmes Kanalit Anglez duke kontrolluar më pas edhe ata që e shesin në rrugë.
Madje trafikantët u ofrojnë shpërndarësve edhe rrugë sekrete arratisjeje për t'u kthyer në kontinentin europian, duke e krijuar një model që ka futur në kaos autoritetet e zbatimit të ligjit.
Investigimi i madh i Sky News ka zbuluar se banditët po rekrutojnë shitës ambulantë përmes TikTok të cilëve u japin më pas telefona celularë ku janë ngarkuar me të dhënat e mijëra klientëve që u sigurojnë shitje malli deri në 300,000 paundë.

Gazetarë të infiltruar zbuluan gjithashtu se si kontrabandistët e njerëzve, duke reklamuar në aplikacionet e mediave sociale, ofronin transportimin e shqiptarëve me probleme me ligjin përsëri në Evropë për vetëm 2,500 paundë.
Dokumentari jep dëshminë e një emigranti shqiptar të njohur si Granit që pranon se ka kaluar ilegalisht Kanalin për të punuar në tregtinë britanike të drogës. Kjo ndodhi pasi një nga të afërmit e tij pagoi udhëtimin e tij me kusht që ai të punonte për trafikantët.
Ai i tha Sky News: "Ne përdorëm një varkë me motor për t'u nisur për në Britani." I pyetur nëse edhe të tjerë në bord po shkonin drejt trafikut së drogës, ai tha: "Po. Shumica e tyre ishin nisur me këtë ide në mendje."

Graniti u vendos me shpenzimet e taksapaguesve britanikë në një hotel azili kur mbërriti, përpara se të nisej për të punuar në një fermë kanabisi pranë Mançesterit. Që atëherë ai është kthyer në Shqipëri, por foli me Sky News në mënyrë anonime nga frika e hakmarrjes.
Në vitin 2022, shqiptarët përbënin pothuajse një të tretën e mbërritjeve me varka të vogla, kombësia më e madhe e vetme që kaloi Kanalin atë vit. Frank Stewart, i Agjencisë Kombëtare të Krimit, tha: "Ka një numër të panjohur që kanë hyrë ilegalisht."
Ai lëshoi një paralajmërim të fortë se bandat nuk mund të ndaheshin më nga kontrabanda e njerëzve. Ai shtoi: "Nuk mund t'i dallosh nga ata që janë të përfshirë në krimin e organizuar të imigracionit, dhe ka grupe të krimit të organizuar shqiptar që bëjnë trafikimin e tyre duke sjellë njerëz ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar."
Investigimi i Sky News zbuloi se kontrabanda tani po bëhej në të dyja drejtimet. Një llogari në mediat sociale mburrej: "Ne transportojmë djem me probleme nga Mbretëria e Bashkuar në Evropë. Udhëtim të mbarë çdo javë."
Trafikantët u thanë gazetarëve të infiltruar se ata që kërkoheshin nga policia britanike mund të kontrabandoheshin përsëri në Shqipëri me kamionë për 2,500 paundë për person.
Sky News gjeti qindra njoftime në TikTok për vende pune si trafikant droge në të gjithë Britaninë. Gazetarëve të fshehtë që aplikuan iu ofrua punë për shitjen e kokainës, për 280 paundë në ditë në Wigan dhe një punë me akomodim në Exeter.
Ish-oficeri i policisë David McKelvey u shpreh: "Është sikur të jetë një korporatë e madhe që reklamon dhe rekruton staf." Ai tha se të ashtuquajturit "telefona me marrëveshje" ishin zemra e tregtisë dhe shtoi: "Telefoni është biznesi. Të gjithë klientët janë në telefonin tuaj. Ju praktikisht po blini një biznes."
Stewart i NCA-së u shpreh: "Ne vlerësojmë se grupet e krimit të organizuar shqiptar kanë kontrollin kryesor mbi importimin e kokainës në vend." Dokumentari trajton gjithashtu edhe historinë e Franc Çopjas, një ish-banor i Tottenhamit i akuzuar nga prokurorët shqiptarë për drejtimin e një prej rrjeteve më të mëdha të kokainës në Evropë.

Kathryn Westmore, nga UK Finance, paralajmëroi: “Ky nuk është një krim pa viktima. Ta dinë edhe ata që blejnë kokainë për një natë daljeje jashtë. Ka një histori të tërë në atë transaksion të vetëm që të kthen pas te njerëzit e shfrytëzuar, njerëzit e cenueshëm, dhuna. E gjitha kjo është pjesë e të njëjtit ekosistem dhe prek jetën e të gjithëve." ©Marrë nga Sky News. Përgatiti në shqip LAPSI.al