
Një shtetase shqiptare është arrestuar mëngjesin e së premtes në Igumenicë të Greqisë, pasi në automjetin që drejtonte policia zbuloi një sasi të konsiderueshme lënde narkotike.
Sipas njoftimit të Policisë greke, gjatë kontrolleve të synuara, efektivët ndaluan automjetin që drejtohej nga gruaja dhe që ishte në pronësi të saj. Gjatë kontrollit në brendësi të makinës u zbuluan 80 pako me marijuanë, me një peshë totale prej 86 kilogramësh e 438 gramësh.
Nga hetimet paraprake dyshohet se droga ishte ngarkuar në kufirin e gjelbër me Shqipërinë dhe kishte si destinacion transportimin drejt brendësisë së territorit grek.
Lënda narkotike dhe automjeti u sekuestruan nga autoritetet, ndërsa ndaj shtetases shqiptare të arrestuar u ngrit çështje penale. Ajo pritet të dërgohet përpara Prokurorisë së Shkallës së Parë të Thesprotisë.
Ndërkohë, sipas të dhënave të raportuara, gjatë muajve të fundit është vënë re një riaktivizim i trafikut ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria drejt Greqisë.
Vetëm gjatë 15 muajve të fundit, Policia greke ka sekuestruar rreth 1.4 ton marijuanë në zonat e Igumenicës, Janinës, Kosturit, Follorinës dhe Selanikut.
Rastet më të shumta janë regjistruar në linjën e trafikut nga Saranda drejt Igumenicës, përmes së cilës është transportuar pothuajse gjysma e sasisë së drogës së sekuestruar në këto zona të Greqisë.
Madje, në një prej operacioneve të zhvilluara në Igumenicë, autoritetet greke kanë sekuestruar edhe një skaf të ngarkuar me lëndë narkotike.