
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka artikuluar qëndrimet e opozitës për reformën zgjedhore dhe mënyrën se si duhet të zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha kërkoi lista 100 për qind të hapura, krijimin e një institucioni zgjedhor me të drejta të barabarta dhe ndarjen e shtetit nga partia.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati akuzoi mazhorancën për përdorimin e shtetit në funksion të pushtetit politik, duke paralajmëruar se, pa një ndarje të qartë mes partisë dhe institucioneve shtetërore, proceset zgjedhore nuk mund të jenë të lira dhe të ndershme.
“Me Edi Ramën, zgjedhje nuk ka”, deklaroi Berisha, duke theksuar se Partia Demokratike është për lista plotësisht të hapura dhe për ndryshime që garantojnë barazinë në garën elektorale.
Ai kërkoi gjithashtu që partitë e mëdha të mos ndërhyjnë në votën dhe përfaqësimin e partive të vogla, ndërsa e cilësoi të domosdoshëm krijimin e një institucioni zgjedhor që garanton trajtim të barabartë për të gjitha forcat politike.
“Duhet që partitë e mëdha të mbajnë duart larg votës së partive të vogla. KQZ aktuale është e damkosur në raportet ndërkombëtare. Duhet të krijojmë institucion zgjedhor me të drejta të barabarta”, u shpreh Berisha.
Një tjetër propozim i bërë prej tij ishte zhvillimi i zgjedhjeve me sistem balotazhi, të cilin e konsideroi si një nga alternativat më të mira për garantimin e përfaqësimit dhe legjitimitetit të rezultatit zgjedhor.
Berisha u ndal edhe te fenomeni i shitblerjes së votës, duke kërkuar që në kuadër të reformës zgjedhore të shqyrtohet edhe votimi i detyrueshëm për qytetarët. Sipas tij, ekziston rreziku që zgjedhësve t’u ofrohen para jo për të votuar për një subjekt të caktuar, por për të qëndruar në shtëpi dhe për të mos marrë pjesë në votime.
Në fund të fjalës së tij, kreu i PD-së u bëri thirrje forcave politike opozitare dhe të gjithë atyre që mbështesin votën e lirë të bashkohen kundër qeverisë.
“Ftojmë të gjitha partitë politike opozitare që të bashkohen kundër kësaj qeverie të korruptuar. Kushdo që do të mbrojë votën e lirë të shqiptarëve, të bashkohet”, deklaroi Berisha.