
Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se ka gjetur shkelje të shumta në të paktën 14 tendera të zhvilluar nga Bashkia e Durrësit, me një fond limit në total rreth 1.85 miliardë lekë të reja ose afërsisht 20 milionë euro.
Gjetjet janë renditur në Raportin e Auditimit, të publikuar së fundmi dhe i përkasin periudhës kur bashkia e Durrësit drejtohet nga Emirjana Sako.
Audituesit shtetërore i rekomandojnë gjithashtu Agjencisë së Prokurimit Publik që të nisë hetimin administrativ dhe të mbaj përgjegjës të gjithë zyrtarët bashkiakë që janë konsideruar si shkaktarë të kësaj situate alarmante.
Problemet e evidentuara përfshijnë pjesën më të madhe të shkeljeve që parashikon Ligji për Prokurimet Publike. Ato nisin nga kualifikimi i kompanive fituese megjithëse nuk përmbushnin kriteret, e deri tek skualifikimi i shoqërive, të cilat nuk ishin në kushtet e përjashtimit.
Tenderat e gjetur në shkelje janë kryesisht investime në infrastrukturë dhe rindërtim. Fondi limit i tyre varionte nga minimumi 300 mijë euro deri në mbi 3 milionë euro.
Kompanitë fituese të tenderave problematikë janë të ndryshme. Mes tyre dallohet “Rajli Ndërtim”, e cila është shpallur e suksesshme në dy tendera rindërtimi, me fond limit total mbi 6 milionë euro.
Po ashtu, në listën e kompanive fituese në tenderat e konstatuar me shkelje nga Kontrolli i Lartë i Shtetit është edhe “Pepa Group”, në pronësi të Jetmir Pepës, një personazh i rëndësishëm i krimit të organizuar. Kompania e tij ka fituar procedurën për ndërtimin e një shkolle në Sukth, me fond limit afërsisht 3 milionë euro.