
Në shtatë vitet e fundit, çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur me ritme të forta në të gjitha njësitë administrative, duke variuar nga rreth 85% në zonat me rritjen më të ulët deri në mbi 151% në ato me rritjen më të lartë.
Monitor sjell ndryshimet e çmimeve mesatare për 11 njësitë bashkiake sipas të dhënave të indeksit Keydata Albania të publikuara nga “Çelësi Media Group”, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2019, në tremujorin e dytë të vitit 2026.
Në tërësi, gjatë shtatë viteve të fundit rezultojnë se çmimet mesatare të apartamenteve pothuajse janë dyfishuar në shumicën e njësive administrative, ndërsa në disa zona rritja ka arritur deri 150%.
Sipas të dhënave të indeksit, te Njësia nr. 1 çmimet mesatare të shitblerjes së apartamenteve në Tiranë, deri në muajin qershor 2026 kanë arritur në nivelin e 2,116 euro/m2. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-s, rezulton se brenda 7 viteve çmimet mesatare për këtë njësi janë rritur 115%.
Për ta pasur më të qartë individët se ku përkon në terren kjo njësi dhe cilat zonat kadastrale përfshin, sipas hartave të indeksit Keydata, Njësia nr.1 përfshin 2 zona kadastrale, si :1/1 (Kinema “Ali Demi”, Fusha e Sportit, fshati Shkozë, Depo e Ujit) dhe zona 1/2 që nga Poligrafiku, Shkoza, Autotraktorët, fshati Shkozë, Lana Bregas, Linzë, Sauk.
Në Njësinë nr. 2, çmimi mesatar u rrit nga 1,186 që ishte në 3-mujorin e dytë të 2019-s, në 2,306 euro/m2 deri në qershor 2026 apo me rritje rreth 95%.
Sipas hartave, Njësia nr.2 është e ndarë në 5 zona kadastrale, si : 2/1 Piramida, ish stadiumi “Qemal Stafa”; 2/2 Pazari i Ri, 9-katëshet, shkolla “Avni Rustemi”; 2/3 Ministria e Jashtme, Ambulanca nr.1, Bërryli; 2/4 Shkolla e Baletit, Ambasada Amerikane; 2/5 Qyteti “Studenti”, Fakulteti Ekonomik, Varrezat e Dëshmorëve, Sauk, Selitë.
Në Njësinë nr. 3, çmimet u rritën me 116%, nga 832 euro/m2 që ishte çmimi në 3-mujorin e dytë 2019, arriti në 1,796 euro/m2 deri në qershor 2026.
Njësia nr.3 është e ndarë në dy zona kadastrale, si: 3/1 Xhamllëku, Profarma, rruga “Bardhyl”, rruga “Kongresi i Manastirit”, Bulevardi “Zhan D’Ark”; 3/2) Porcelani, IK V, Kinostudio, rruga “Hoxha Tahsim”, Lana e vjetër, fshati Linzë.
Edhe për Njësinë nr. 4 pati rritje të çmimeve mesatare të shitjes me rreth 130%. Nga 769 euro/m2 çmimi u ngjit në 1,759 euro/m2. Njësia nr.4 përfshin zona kadastrale, si: 4/1 Kompleksi i spitaleve, SHIK, Oxhaku, Allias i ri, fshati Tufinë; 4/2 Allias, rruga “Njazi Meka”, Bregu i Lumit, Alliasi i Ri, rruga “Myslym Keta” “5 Maji”.
Në Njësinë nr. 5 çmimet u rritën me 127%, nga 1,110 euro që ishte çmimi mesatar për këtë njësi për 3 mujorin e dytë të 2019-s, për të njëjtën periudhë të 2026-s, 7 vite më pas çmimi mesatar arriti në 2,514 euro/m2.
Njësia nr.5 përfshin zonat kadastrale, si: 5/1 Ish–Blloku, Libri Universitar, Vodafone; 5/2 Stadiumi “Selman Stermasi”, Shushica, Liqeni Artificial; 5/3 Kopshti Botanik, rruga “Komuna e Parisit” Liqeni artificial; 5/4 Hotel “Diplomat”, blloku “Vasil Shanto”, Selitë e Vogël.
Për zonën e ish Bllokut, indeksi Keydata Albania llogarit çmime më vete, ku çmimi mesatar në deri në qershor 2026 për këtë zonë arriti 2,962 euro/m2. Krahasuar me 3 mujorin e dytë të 2019-s, çmimi mesatar është rritur me 117%.
Rritjen më të madhe e shënoi Njësia Administrative nr. 6, ku çmimet mesatare u rritën me 151%, nga 672 euro/m2 arritën në 1,687 euro/m2. Kjo njësi ka vetëm 1 zonë kadastrale nr.6 që përfshin nga Shkolla Teknologjike, Kombinati, Vaqar, Selitë, Yzberisht, Sharrë.
Edhe Njësia nr. 7 pati një rritje të fortë prej 128%, me çmimin mesatar që arriti në 2,131 euro/m2 nga 935 euro/m2 që ishte 7 vite më parë. Njësia nr.7 është e ndarë në 4 zona kadastrale, si: 7/1 Rr. Gjykata e rrethit, Ish-Ekspozita “Shqipëria Sot”; 7/2 Blloku i Ambasadave, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit; 7/3 NSHRAK, parku i Ministrisë së Brendshme, Fabrika e bukës; 7/4 Unaza e Re, Fabrika e Miellit, ish-Fusha e Aviacionit, Yzberisht
Në Njësinë nr. 8, rritja ishte 85%, më e ulëta ndër njësitë e analizuara. Nga 958 euro/m2 çmimi mesatar i apartamenteve arriti 1,786 euro/m2 deri në qershor 2026. Kjo njësi është e ndarë në 3 zona kadastarle, si: 8/1 Selvia, gjimnazi “Partizani” rruga “Tafajt”; 8/2 Medreseja, farmacia nr.10, Tregu Industrial; 8/3 Tregu Industrial, fabrika “Ajka”, uzina “Dinamo”, Bregu i Lumit
Ndërsa Njësia nr. 9 regjistroi një rritje prej 112%, nga 1,004 në 2,127 euro/m2.
Edhe kjo njësi është e ndarë në 3 zona kadastrale, si: 9/1 Bar Piazza, Blloku përgjatë “Zogu I”, Rruga e Barrikadave, rruga “Fortuzi”, “Sulejman Pasha” deri te “Mine Peza”; 9/2 Stacioni i trenit, Arkiva e Përgjithshme, Hipoteka, Politeknikumi; 9/3 “Don Bosko”, Fabrika e Këpucëve, Bregu i Lumit, Politeknikumi, rruga “Siri Kodra”.
Pas zonës së ish Bllokut, Njësia nr. 10 vijon të mbetet një ndër zonat më të shtrenjta të kryeqytetit. Brenda shtatë viteve, çmimi mesatar u rrit me 119%, nga 1,150 në 2,515 euro/m2. Njësia nr.10 përfshin zonat kadastrale, si: 10/1 PTT, Telekomi, ish-Lidhja e Shkrimtarëve; 10/2 Rruga “Myslym Shyri”, Drejtoria e Policisë, Kisha katolike; 10/3 Blloku i Ambasadave, Prokuroria, Rruga e Durrësit.
Ndërkohë, në Njësinë nr. 11, çmimet u rritën me rreth 107%, duke kaluar nga 740 euro/m2 në 1,530 euro/m2. Kjo njësi përfshin zonat kadastrale, si: 11/1 Zogu i Zi, ish-Shkolla e Partisë; 11/2 Ferluti, ish-Uzina Tirana, FIAT, Zbritja drejt Laprakës; 11/3 Laprakë, Drejtoria e Doganave, Spitali Ushtarak, Bregu i lumit, Fushë Mëzes, Don Bosko./ Monitor
Burimi: Keydata Albania

Burimi: Keydata Albania

Burimi: Keydata Albania

Burimi: Keydata Albania

Burimi: Keydata Albania

Burimi: Keydata Albania

Burimi: Keydata Albania

Burimi: Keydata Albania

Burimi: Keydata Albania

Burimi: Keydata Albania

Burimi: Keydata Albania