
Një udhëheqës i një karteli meksikan të drogës është arrestuar pasi dyshohet se urdhëroi një vrasje e cila u transmetua drejtpërdrejt në TikTok. Viktima ishte një influencere dhe gabimi i saj ishte se ishte lidhur me djalin e tij.
Ramón Ángel Álvarez Ayala, një figurë e lartë në Kartelin e Gjeneratës së Re të Jalisco, u kap nga forcat speciale në qendër të qytezës së Atotonilco el Alto të enjten. Lajmi u raportua nga mediat meksikane.
Ai kërkohej gjithashtu për vrasjen e Carlos Manzos, kryetarit të bashkisë së Uruapanit, i cili u ekzekutua gjatë një festivali që njihet si “Dita e të Vdekurve” në nëntor 2025.
Influencuesja e modës dhe bukurisë, Valeria Marquez, u vra në sallonin e saj të bukurisë në Jalisco në maj 2025, pasi një person i armatosur hyri me forcë në biznes dhe e qëlloi atë në gjoks dhe në kokë.

Marquez po transmetonte LIVE në atë moment për dhjetëra mijëra ndjekës të saj kur vrasësi hyri në sallon dhe u dëgjua duke pyetur jashtë kamerës nëse emri i saj ishte Valeria.
Trupi i 23-vjeçares u rrëzua më pas mbi tavolinë dhe një grua u pa duke nxituar të fikte transmetimin drejtpërdrejt.
Álvarez Ayala dyshohet se organizoi vrasjen e Marquez pasi mori një telefonatë nga djali i tij, Francisco Álvarez, i cili më parë ishte në një lidhje me influencuesen.

“Ai e kishte kërcënuar atë disa herë” - tha një zyrtar.
Policët ende nuk e kanë arrestuar Francisco Álvarezin apo personin e armatosur që kreu atentatin. Disa orë para vrasjes, Marquez kishte ndarë një selfie në Instagram Story ku shfaqej duke pozuar në sallon bukurie.
Ndërsa, Manzo, 40 vjeç, u vra para mbështetësve vetëm një muaj pasi bëri thirrje për "forcë brutale" kundër karteleve të drogës.
“Nuk dua të jem thjesht një tjetër kryetar bashkie i vrarë”, - tha ai, ndërsa i kritikoi kriminelët e pamëshirshëm. “Por është e rëndësishme të mos e lejojmë frikën të na kontrollojë.”
Ishte adoleshenti Victor Manuel Ubaldo, 17 vjeç që qëlloi mbi politikanin, por Álvarez Ayala ishte "mendja pas vrasjes”, tha Garcia Harfuch.

Autoritetet kanë arrestuar 31 persona në lidhje me vrasjen e politikanit.
Álvarez Ayala, i quajtur me nofkën “R1”, po mbahet në Altiplano — burgu i sigurisë maksimale, i vendosur 56 milje larg Mexico City, nga e cila “El Chapo” u arratis më 11 korrik 2015.
Ai akuzohet edhe për posedim të metamfetaminës për qëllim trafikimi, mbajtje të armës së zjarrit dhe posedim të fishekëve për përdorim ekskluziv të ushtrisë meksikane.

SHBA e ka quajtur Kartelin e Gjeneratës së Re të Jalisco-s si "një nga kartelet më të fuqishme në botë" dhe mbi 50 persona dhe grupe meksikane të lidhura me organizatën terroriste u sanksionuan në korrik. Presidenti Trump është zotuar të shkatërrojë kartelet në të gjithë Hemisferën Perëndimore. ©LAPSI.al