Funerali i Brigitte Bardot, e cila ndërroi jetë të dielën e 28 dhjetorit, në moshën 91-vjeçare, do të mbahet të mërkurën e 7 janarit, në kishën e Notre-Dame de l'Assomption në Saint-Tropez. Më pas do të ketë një "varrim privat dhe konfidencial". Fondacioni “Brigitte Bardot” e njoftoi këtë për Agence France Presse. Aktorja do të varroset në varrezat detare të Saint-Tropez, ku janë varrosur tashmë prindërit e saj.
Vetë Bardot kishte shprehur dëshirën e saj për të "pushuar" në La Madrague, pronën e saj historike në Saint-Tropez. Rrethi i ngushtë i Bardot ndodhet tashmë në zonë duke u përgatitur për funeralin. Detajet në lidhje me funeralin nuk janë publikuar ende.
Këto nuk janë të vetmet thashetheme që dalin pas vdekjes së divës. Debatet rreth trashëgimisë së saj kanë filluar në Francë. Pasuria e Bardot vlerësohet të jetë rreth 65 milionë dollarë, por aktorja kishte përgatitur prej kohësh dokumente për të përcaktuar se si duhej të ndahej ajo.
Pjesa më e madhe e pasurisë së saj do t’i shkojë Fondacionit “Brigitte Bardot”, organizata për mirëqenien e kafshëve që ajo themeloi në vitin 1986 me seli në vilën e saj në Saint-Tropez. Megjithatë, sipas ligjit, fondacioni nuk mund të marrë të gjithë pasurinë e divës, e cila duhet të ndahet 50/50 me djalin e saj të vetëm, Nicolas Charrier, i lindur në vitin 1960, me të cilin ajo gjithmonë ka pasur një marrëdhënie të vështirë.
Sipas biografit Yves Bigot, një pjesë e madhe e pasurisë së divës franceze ishte caktuar tashmë për Fondacionin Brigitte Bardot. "Ajo shiti të gjitha pasuritë e saj të patundshme në një ankand për të financuar fondacionin dhe hipotekoi “La Madrague" - tha Bigot.
Në vitin 2020, Bardot nxori në shitje edhe një vilë në Kanë, me vlerë rreth 6 milionë euro. Karriera e yllit në film, e ndërprerë në vitin 1973, kishte lënë vetëm disa bashkëpunime të mëdha komerciale, të tilla si një marrëveshje me markën e çantave Lancel dhe një linjë tjetër rrobash të gatshme për t’u veshur që shitej në internet.
"Pasuria më neverit", - tha aktorja në rrëfim në vitin 2006.
Në qendër të trashëgimisë mbetet djali i saj Nicolas-Jacques Charrier, tani 65 vjeç dhe që jeton në Norvegji, me të cilin marrëdhëniet nuk kanë qenë gjithmonë idilike. Sipas ligjit francez, Nicolas (i lindur nga martesa e saj me aktorin Jacques Charrier) ka të drejtë për një pjesë të detyrueshme prej 50% të pasurisë, edhe pse shumica e aseteve tashmë kanë shkuar për fondacionin që mban emrin e aktores përmes donacioneve, shitjeve dhe kontributeve. Mbetet për t'u parë nëse djali do të vendosë të ndërmarrë veprime ligjore kundër fondacionit apo kundër bashkëshortit të fundit të yllit, i cili pritet gjithashtu të marrë një pjesë të pasurisë. Bardot ishte martuar me Bernard d'Ormale që nga viti 1992.
Ndërkohë, e djathta dhe e majta franceze janë të ndara mbi mundësinë e një nderimi kombëtar me homazhe për Brigitte Bardot. Eric Ciotti, një i djathtë radikal dhe udhëheqës i partisë së vogël UDR, aleate me Tubimin Kombëtar (RN) i bëri thirrje Presidentit Emmanuel Macron të organizojë një ceremoni kombëtare për aktoren, por sekretari i Partisë Socialiste (PS), Olivier Faure, e hodhi poshtë këtë ide.
"Homazhet kombëtare" shkruan Faure në një mesazh në X, "organizohen për shërbime të jashtëzakonshme të ofruara kombit. Brigitte Bardot ishte një aktore emblematike e Nouvelle Vague. E shkëlqyer, ajo la gjurmë në kinemanë franceze. Por ajo gjithashtu i ktheu shpinën vlerave republikane dhe u dënua vazhdimisht nga sistemi i drejtësisë për racizëm." ©LAPSI.al