Në një prononcim për mediat nga oborri i parlamentit, Monika Kryemadhi ka vazhduar të fajësojë publikisht Tedi Blushin, për divorcin me Ilir Metën. Para se të hynte në sallën plenare, Kryemadhi la pa sqaruar edhe një nga momentet kyçe të dosjes për Ilir Metën që ka të bëjë me një kartë bankare në emrin e biznesmenit dhe kushëririt të saj, Adrian Shatku, përmes së cilës janë bërë shpenzime për udhëtime, veshje dhe hotele luksoze.
SPAK e akuzon Metën se edhe ai ka qenë përdorues i kësaj karte bankare, ndërsa Meta e mohon duke theksuar se kartën bankare e ka përdorur ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, e cila tha se kartën bankare e kishte përdorur pasi Adrian Shatku është një familjar i saj.
"Kam përdorur gjithmonë kartë. Përdorimi i kartës nuk është mëkat, është transparencë. Problemi qëndron që sa më injorante të jetë shoqëria aq më kollaj manipulohet. Sa më e paditur të jetë shoqëria përsëri manipulohet. Marrëdhënia ime me Adrian Shatkun është një marrëdhënie familjare, e posaçme" tha Kryemadhi.
E ndërsa është duke lënë mandatin e deputetit dhe këto janë seancat e fundit, Kryemadhi nuk la pa sulmuar Tedi Blushin që në legjislaturën tjetër do ta zëvëndësojë në parlament në logon e Partisë së Lirisë.
“Tedi Blushi mori ca kishte për të marrë. I largoi të gjithë këshilltarët në presidencë kur ishte Meta, i largoi nga partia e Ilir Metës, të gjithë kontribuuesit dhe themeluesit e partisë. E gënjeu se ia kanë hequr vjehrrin nga puna por e ka akoma nëndrejtor te spitali i burgut. Nuk e di ça do më. Deputet u bë. Nga shtëpia e largoi Ilir Metën, takimet e kalamajve ua djeg në burg Blushi. Nëse do edhe një fustan apo një palë këpucë me taka të miat ia jap me qejf.”
Ajo vijoi më tej duke e akuzuar Blushin për mungesë guximi që të flasë për figura si Ergys Agasi apo Ulsi Manja, duke aluduar se hesht për shkak të pozicionit të bashkëshortes së tij në administratë.
“Të dalë e të flasë njëherë për Ergys Agasin, për Ulsi Manjën, apo nuk guxon dot se ka gruan në punë aty. Ai është izoluar Meta, është një nga të burgosurit më të izoluar në burg, edhe dje nuk e lanë djalin për të hyrë. Pra ky zotëria përpara se të dalë të lexojë deklaratat e SPAK për Kryemadhin, le të dalë të bëjë një deklaratë për Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve për Ministrinë e Drejtësisë.”
Në deklaratën e saj, Kryemadhi përsëriti akuzat e mëhershme se Ilir Meta është një i burgosur politik, duke e lidhur arrestimin e tij me ndërhyrjen e dy figurave ndërkombëtare: ish-ambasadores amerikane Yuri Kim dhe trashëgimtarit të rrjetit Soros, Alex Soros.
“Mendoj se zoti Meta është i burgosur politik. Arrestimi i tij është urdhër i Yuri Kim dhe Aleksandër Soros që iu duhej për të justifikuar, USAID iu ndërprenë projektet në Shqipëri dhe po verifikohen gati 180 milionë dollarë. Nuk besoj se SHBA dhe taksapaguesit amerikanë kanë paguar reformën në drejtësi për të vendosur një prokuror apo disa prokurorë, të cilët bëjnë aferat e grupeve të caktuara interesi kriminale dhe qeveritare.”
Për ta mbyllur me një thumbim të prerë, Kryemadhi shtoi: “Ata që lexojnë fletë rrufetë e SPAK nga zyrat e Partisë së Lirisë, po të marrim të lexojmë kushedi ça duhet të them unë për Metën dhe ai për mua. E kam thënë se çdo fjalë e shkruajtur qoftë në akuzë apo pretendimeve të SPAK është përveçse linçim dhe denigrim, është edhe manipulim. Mos të dalin e të flasin për Monika Kryemadhin se po të dal të flas unë për ata, nuk e di se çfarë ndodh pastaj.”