Nuk ka gabuar praktikisht asgjë, që kur është ulur në pankinën e Laçit, me dy barazime e një fitore që forcuan vendin e dytë dhe siguruan kalimin në finale të Kupës, objektivi i madh i Shpëtim Duros dhe bardhezinjve. Kurbinasit ende nuk i kanë kaluar plotësisht skorjet e serisë negative që hodhi në erë ëndërrën titull dhe pankinën e Josës, por kanë bërë hapa përpara në aspektin e moralit dhe disiplinimit taktik, e favorizuar edhe nga një njohje në detaje që tekniku Duro ka për lojtarët, një pjesë e mirë e të cilëve kanë qenë me të në aventurën e parë.
Efektin e tij Duro e dha që në impaktin e parë, por tani vjen pjesa e vështirë, sepse 5 pikët e avantazhit mund të zhduken në dy ndeshjet e ardhshme, kur formacioni bardhezi të përplaset me Kukësin e vendit të tretë e Tiranën kryesuese. E nuk bëhet fjalë vetëm për të bezdisur bardheblutë duke ia shtyrë festën e titullit sa më gjatë të jetë e mundur, por për të siguruar Europën dhe atë status prestigjioz të nënkampionit. Duro probleme nuk është se nuk ka: Velija është i skualifikuar për numër kartonësh, ndërsa Malota vazhdon të jetë i dëmtuar.
Dy mungesa që Duro do t’i vuajë e Laçi do t’i ndjejë, si e pranon vetë tekniku, në nisje të seancave stërvitore pas ditës së pushimit. Dy ndeshje vendimtare për të siguruar Europën, pastaj, në fund një finale për tu fituar, ajo e Kupës kundër Vllaznisë.