Dukej një propozim i thjeshtë për të cilin të gjithë në Perëndim mund të pajtoheshin, dërgimi i avionëve luftarakë në Forcën Ajrore të Ukrainës për të ndihmuar në zmbrapsjen e sulmit rus.
Në Amerikë, edhe republikanët dhe demokratët ranë dakord pasi Volodymyr Zelenski u lut për avionë në një telefonatë në Zoom me anëtarët e Kongresit në fundjavë.
Por Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni u ftohën pas paralajmërimeve nga Kremlini se Rusia do të përshkallëzonte përfshirjen ushtarake, dhe një frike në rritje se kjo masë mund të çojë në futjen e NATO-s në luftë me Rusinë.
Ideja tani është kthyer në një grindje të pahijshme diplomatike midis SHBA-së dhe aleatit të saj të NATO-s, Polonisë, e cila dëshironte që avionët e saj të përdoreshin në Ukrainë.
Pas dy javësh të unitetit të NATO-s pas pushtimit rus, ky propozim i Polonisë hapi një çarje në aleancën e NATO-s dhe Joe Biden duket se do të përballet me tërbimin në shtëpi, në SHBA.
Gjithashtu duket se kjo situatë do të errësojë ardhjen e Kamala Harris në Poloni të mërkurën.
Situata u shpalos pasi Polonia lëshoi në mënyrë të njëanshme një deklaratë të martën mbrëma, duke thënë se po ofronte 28 avionë MiG-29 të epokës sovjetike, të cilat pilotët ukrainas do të ishin në gjendje t'i fluturonin.

(Mig-29. Polonia do t'i dhurojë Ukrainës 28 avionë të tillë)
Polonia tha se nuk donte t'i dërgonte ato drejtpërdrejt në Ukrainë, sepse "nuk ishte palë në këtë luftë".
Por kishte pasur diskutime për një skemë "dhurimi", në të cilën avionët polakë do t'i jepeshin SHBA-së dhe do të dërgoheshin në bazën e saj ajrore Ramstein në Gjermani. Ato më pas mund t'i rilyenin dhe ti fluturonin në një vend jo anëtar të NATO-s, nga ku pilotët ukrainas do t'i fluturonin për në Ukrainë.
Në teori, kjo do t'i largonte vendet e NATO-s nga përfshirja në luftë. Kosova ishte përmendur si terreni i mundshëm i kësaj skeme.
Në këmbim të donacionit të Polonisë, SHBA-ja do të furnizonte aleatin e saj duke i ofruar avionë F-16.
Megjithatë, njoftimi polak dhe sugjerimet nga burime diplomatike në Varshavë se marrëveshja u realizua, verbëruan dhe tërbuan plotësisht SHBA-në.

(Në foto: Dy armët ajrore që po ndihmojnë Ukrainën)
Victoria Nuland, zyrtarja e tretë më e lartë në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, u pyet në lidhje me lajmin e fundit teksa doli përpara komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.
Diplomatikisht, ajo e quajti atë një "lëvizje të befasishme nga polakët".
Polakët nuk e kishin diskutuar më parë njoftimin e tyre me SHBA-në. Zyrtarët polakë nuk kishin biseduar me Anthony Blinken, sekretarin e shtetit të SHBA-së për këtë kur ai ishte në Poloni kohët e fundit.
Dukej se ishte një përpjekje e Polonisë për të detyruar SHBA-në që të pranonte avionët e saj. Por nëse ky ishte qëllimi, Polonia duket se ka dështuar në mënyrë spektakolare.
U desh pak kohë që SHBA-ja të përvetësonte deklaratën polake, por kur e bëri këtë, nuk pati asnjë të mirë dhe Pentagoni nuk e falenderoi Poloninë për ofertën e saj.
Në vend të kësaj, SHBA tha se ideja ishte "e paqëndrueshme", nuk kishte "asnjë arsye thelbësore" dhe se "ngrinte shqetësime serioze për të gjithë aleancën e NATO-s".
Megjjthatë, ekspertët sugjerojnë se është ende shumë herët për të anuluar plotësisht idenë që të sigurohen disi më shumë avionë në Ukrainë.
Pentagoni tha se do të "vazhdojë të konsultohet me Poloninë dhe aleatët tanë të tjerë të NATO-s për këtë çështje dhe sfidat e vështira logjistike që ajo paraqet".

(Zelenski adresoi parlamentin britanik të martën. Ai gjithashtu i kërkoi kongresit ndihmë ushtarake)
Kjo pasqyroi presionin politik që ka Biden për të gjetur një mënyrë për të rritur forcën ajrore ukrainase.
Mitch McConnell, lideri republikan në Senatin e SHBA-së, deklori se ai pret që avionët nga vendet e tjera të Europës Lindore të përfundojnë në Ukrainë në një mënyrë ose një tjetër.
McConnell tha se ndihma e propozuar prej 14 miliardë dollarësh amerikanë për Ukrainën duhet të përfshijë garanci huash për aleatët e NATO-s, përfshirë Poloninë, për të blerë avionë luftarakë për të zëvendësuar ata që përfundimisht do të transferohen në Ukrainë.
Kreu republikan tha: "Ne duhet t'u ofrojmë atyre garanci kredie dhe siguri se ata do të jenë në gjendje të gjejnë një mënyrë për të plotësuar humbjen e atyre MiG-ve."
Gjetja e një mënyre tjetër për të çuar avionët në Ukrainë do të jetë në listën e zv.Presidentes amerikane Kamala Harris kur të mbërrijë në Varshavë.
Në Uashington, atasheu i mbrojtjes i Ukrainës, gjeneral major Borys Kremenetskyi, pas një takimi në Pentagon, tha se rritja e aftësive ajrore të vendit të tij mbetet prioriteti numër një.
"Mund të jenë sisteme të mbrojtjes ajrore me bazë tokësore. Mund të jenë avionë luftarakë. Çfarëdo që të jetë e mundur." - u shpreh ai.
The Telegraph, përshtati në shqip për ©Lapsi.al Arbër Kaceli