Shkaqet e ekzekutimit të dy personave në Astir mbrëmjen e së shtunës u kërkuan menjëherë në të shkuarën e njërit prej viktimave, Erigers Mihasit. Fillimisht u përmend një histori e vjetër e grabitjes dhe dhunimit të dy të moshuarve në Tepelenë, ndërsa një pistë tjetër hetimi ishin disa ngjarje të lidhura me miqësinë që ai kishte me Ervis Martinajn.
E shkuara e Erigers Mihasit
Mihasi kishte qenë disa herë i arrestuar dhe shpallur në kërkim për grabitje dhe ngjarje të tjera kriminale. Tre vite më parë 32-vjeari i vrarë me breshëri automatiku u shoqërua për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e ndodhur në lokalin Monopol, në ish-Bllok.
Në qershor të vitit të kaluar Erigers Mihasi u shpall në kërkim nga policia në lidhje me arsenalin e armëve të gjetura në Yrshek në banesën e Gëzim Harokut. Mihasi ishte mik i ngushtë edhe me Santiago Malkon, ish-policin e vrarë në Porcelan më 27 gusht 2019, me të cilin dyshohet se kanë qenë autor të plagosjes me armë ndaj kushërinjve Rivelino dhe Juxhin Mumajesi në Tiranë në 2018, ku nga sulmi mbeti i plagosur edhe shoku i tyre Ibrahim Durollari.
Vrasja e Santiago Malkos
Santiago Malko u vra në zonën e Porcelanit në gusht të vitit 2019. Ai u qëllua në makinën e tij BMë X5. Santiago Malko ish-punonjës policie kishte qenë më parë i arrestuar. Në lidhje me vrasjen e tij është arrestuar Blendi Teta.
Vrasja e Fabian Gaxhës
Fabian Gaxha u vra në lokalin “Monopol” në ish-Bllok në 4 tetor të vitit 2018 pas një përplasje mes dy grupeve. Gaxha ishte i shoqëruar bashkë me mikun e tij Ervis Martinaj, ku pas një konflikti mes palëve, u vra me armë zjarri nga Mervjol Billo, truproja i Ervin Matës. Të plagosur mbetën edhe Ervis Martinaj si dhe miku i tyre Eljo Hato.
Ndërsa komentonte ngjarjet e fundit kriminale në vend, gazetari Artan Hoxha tha se fillesat e konfliktit janë për prishjen e pazareve mes grupeve që kanë qenë bashkë për lojërat e fatit. Sipas gazetarit ka njerëz brenda policisë që japin informacione për njërën ose tjetrën pale, duke përmendur fuqinë që kanë këto grupe dhe për përpikmërinë me të cilën u krye atentati.
“Dy qitës qëllojnë në ecje në një kuadrat që edhe kur je në vend nuk mund t’i fusësh të gjithë predhat. Kanë qëlluar me kallashnikovë në ecje. Dyshimi im nuk është thjesht konflikti mes grupeve ku luhen miliona euro. Njerëz nga brenda radhës policisë japin informacione për njërën ose tjetrën palë. Ky është vetëm atentati i radhës. Përmenden vazhdimisht të njëjtit emra. Dihet kush është grupi. Grupet nuk kanë goditur dot kokat. Po i presin krahët njëri tjetrin. Dy grupet kanë treguar që kanë shumë para dhe vazhdojnë bizneset e paligjshme”, deklaroi Hoxha.
Ekzekutimet mes bandave kanë gjetur fushë të lirë në Tiranë, ndërkohë që policia duket e paaftë të vërë nën kontroll rendin e cënuar nga atentatet e njëpasnjëshme. Gjithsesi, raportimet në media nxorrën në pah një fakt të habitshëm natën e vrasjes. Një patrullë policie kishte ndaluar dy viktimat dhe makinën e tyre dhe u kishte bërë një kontroll të mjetit rreth 30 minuta para atentatit./Lapsi.al