Fashikujt me firmat e delegatëve që iu përgjigjën kërkesës së Sali Berishës për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së u ekspozuan para gazetarëve, në tryezën ku ai mbajti konferencën për mediat në Rogner. U tha se ishin gjithsej 4200 firma delegatësh, nga 1800 të nevojshme për të mbledhur Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.
Disa herë gjatë konferencës, Berisha i ftoi gazetarët të afroheshin dhe t’i shikonin nga afër fashikujt, por duke i vënë në dukje se nuk mund të filmonin dhe nuk mund të publikonin emra konkretë pasi duhej ruajtur anonimati i firmëtarëve. Gjatë konferencës, Berisha tha se firmat do t’i dorëzoheshin Edi Palokës, në cilësinë e kreut të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.
“Nuk ekziston asnjë detyrim statutor i atyre që mbledhin mbi 1800 firma për t'i dorëzuar përveçse para kuvendit ku verifikohet mandati, askund tjetër. Pse? Ky mekanizëm statutor është mekanizëm i zhbllokimit të partisë, kur atë e bllokojnë forume të tjera, kur Kryetari, me Kryesinë refuzojnë të thërrasin Kuvendin, kur Këshilli Kombëtar nuk e thërret Kuvendin. Në këtë rast hyn mekanizmi shpëtimtar i anëtarësisë. Nuk ka asnjë lloj detyrimi statutor. Nuk janë 1/4, por janë rreth 2/3 se vazhdojnë të firmosin dhe ne nuk kemi pse mos t'i mbajmë në zyrën e kreut të Këshillit Kombëtar” tha Berisha, kur gazetarët e pyetën se përse zgjodhi t'i depozitojë firat në zyrën e Palokës.
Një grup mbështetësish të Berishës, mes të cilëve deputetët e PD-së u shoqëruan nga kamerat dhe në transmetim live hynë në selinë blu, ngjitën shkallët me kutitë e fletëve të firmëtarëve në duar dhe i dërguan në zyrën e Edi Palokës. Më pas, Paloka doli para gazetarëve dhe tha se në respekt të të dhënave personale të delegatëve, firmat do të mbeten në zyrën e tij, deri kur të mblidhet Kuvendi.
“Firmat janë depozituar dhe formularët në zyrën time. E dëgjuat shpjegimin nga Berisha se përse formularët u dorëzuan në zyrën time. Nuk ka detyrim dhe asnjë institucion që të bëjë verifikimin e këtyre formularëve përveç vetë Kuvendit. Një kërkesë e veçantë që është nga firmëtarët është që të ruhet fshehtësia e të të dhënave të tyre. Tashmë është bërë e njohur edhe çështja e patronazhistëve të PS. Për këtë arsye këto formularë do qëndrojnë të mbyllur për t’u hapur vetëm ditën e Kuvendit” tha Paloka.
Por menjëherë pas Palokës, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi ka dalë i buzëqeshur para gazetarëve. Bardhi dukej i bindur se Berisha nuk i kishte mbledhur dot 1400 firma. Ai kontestoi procedurën në dy pika. E para, mbajtja e fshehtë e firmave dhe e dyta, dorëzimi në kasafortën e zyrës së Edi Palokës dhe jo tek ai vetë.
“Boll më me bllof. Sot u bë e qartë që nuk ka arritur z.Berisha për fat të keq të mbledhë 1/4 e firmave të anëtarëve të Kuvendit Kombëtar që të më jepte mundësinë mua si institucion aspak institucioneve të tjera të Partisë Demokratike për të thirrur mbledhjen e Kuvendit Kombëtar” u shpreh Bardhi.
E reja në reagimin e Bardhit ishte qëndrimi për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Deri dje, mbështetësit e Lulzim Bashës ishin kategorikisht kundër thirrjes së kuvendit, si një forum antiamerikan. Nga dita e sotme, Gazmend Bardhi tha se ishte gati ta mblidhte Kuvendin, nëse Berisha kishte mbledhur më shumë se 1800 firma delegatësh. Me kusht që ato të verifikoheshin nga sekretariati.
Në një reagim në Opinion, në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës, Berisha tha se zyra e kreut të Këshillit Kombëtar, Edi Palokës ishte e hapur për veriifikim nga kreu i partisë, nga sekretari dhe nga çdo anëtar i thjeshtë apo gazetar që ishte i interesuar.
Debati për verifikimin e firmave i ka hapur rrugë ndarjes së mëtejshme mes dy linjave, asaj të Berishës dhe asaj të Bashës në PD. Nëse palët nuk ulen për të gjetur gjuhën e përbashkët, duket se ndarja do të thellohet ende deri në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar në 11 Dhjetor. Ndërkohë, me vendosjen e dosjeve të firmëtarëve në zyrën e Palokës, Berisha duket se sapo ka vendosur piketat e para në selinë e partisë që kërkon të drejtojë./Lapsi.al