Flash

Ekskluzive/ Letra e Holandës për Shqipërinë: Hetimi për patronazhistët, kusht për BE

Lapsi.al 4 June 2021
Ekskluzive/ Letra e Holandës për Shqipërinë: Hetimi për

Holanda ka qenë një ndër vendet më skeptike për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Ndryshe nga raportet “e sheqerosura” të Komisionit Evropian, qeveria holandeze dhe sidomos parlamenti i këtij vendi nuk e kanë marrë asnjëherë të mirëqenë atë që shkruhej në letrat e Brukselit, por kanë nisur misione verifikuese në vendin tonë me përfaqësues nga parti të qeverisë dhe të opozitës.

Lapsi.al ka siguruar letrën që ministrja e jashtme e Holandës, Sigrid A.M. Kaag i ka dërguar parlamentit të saj më 4 qershor me opinionin e qeverisë për ecurinë e reformave në Shqipëri. Qeveria e Holandës bie dakord me analizën e Komisionit Europian se zgjedhjet në 25 prill u zhvilluan normalisht dhe në mënyrë transparente dhe se e rëndësishme është që opozita do të kthehet në parlament. Por në letër ngrihen një sërë detyrash ku më të rëndësishme janë hetimet për parregullsitë.

“Qeveria (e Holandës) e konsideron të rëndësishme që rastet e mashtrimit zgjedhor të hetohen me kujdes nga SPAK” - thuhet në letër që i ka kushtuar edhe një vëmendje të veçante edhe çështjes së përdorimit të paligjshëm të të dhënave nga Partia Socialiste, një skandal i denoncuar nga lapsi.al dhe i njohur si afera e patronazhistëve. Në këtë pikë Holanda kërkon që çështja të zbardhet.

“Ekzistenca dhe rrjedhja e bazës së të dhënave me informacione personale të ndjeshme, të cilat shkaktuan shumë bujë pak para zgjedhjeve do të duhet gjithashtu të hetohet. Raporti përfundimtar i ODIHR-it për këto zgjedhje nuk është publikuar ende. Qeveria e Holandës e konsideron të rëndësishme që çdo rekomandim në këtë raport të zbatohet në kohën e duhur” - thuhet në letrën e siguruar nga lapsi.al.

Një tjetër çështje që i kërkohet Shqipërisë të adresojë është shit-blerja e votës.

“ODIHR ka përmendur parregullsi, përfshirë edhe blerjen e votave që të denoncohen në Kolegjin Zgjedhor dhe autoritete të tjera që ato të merren me këto çështje në mënyrën e duhur. 33 raste janë çuar përpara SPAK” – nënvizon dokumenti.

“Qeveria e Holandës beson se autoritetet shqiptare tani duhet t'i japin substancë të mëtejshme hetimit dhe të ndjekin penalisht komisionerët e zgjedhjeve dhe votuesit e përfshirë. Rastet e reja të paraqitura si rezultat i zgjedhjeve të fundit gjithashtu kërkojnë trajtim të shpejtë. Është e rëndësishme të parandalohet që këto hetime të mos vonohen, siç ishte rasti në zgjedhjet e mëparshme” – shkruan qeveria e Holandës.

Më pas dokumenti merr në analizë të gjitha kushtet e vëna një vit më parë. Vlerësohet fakti që Gjykata Kushtetuese ka nisur të funksionojë dhe që po plotësohet edhe Gjykata e Lartë. Gjithsesi qeveria e Holandës kujton se ende nuk ka një vendim për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 2019-ës duke e konsideruar këtë një kusht të papërmbushur dhe e lë sërish në konkluzionet përfundimtare si detyrë të Gjykatës Kushtetuese.

“Ende nuk ka një vendim përfundimtar mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale në 2019. Kabineti shpreson që paneli i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të arrijë një përfundim së shpejti” – citon letra drejtuar parlamentit holandez.

Një tjetër detyrë është vënia përpara drejtësisë e zyrtarëve të lartë që shkelin ligjin.

“Qeveria është e kënaqur që Shqipëria së fundmi ka bërë përparim me reformat në temat prioritare dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të dhënat tregojnë gjithashtu progres në këtë fushë, megjithëse numri i dënimeve të zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet shqetësues”.

Qeveria e Holandës thotë në fund se Shqipëria mund të nisë negociatat duke mbajtur tryezën e parë ndërqeveritare edhe pse nënvizon se kjo nuk do të thotë se Shqipëria është gati të bëhet anëtare e BE.

“Kjo nuk do të thotë që Shqipëria së shpejti do të jetë në gjendje të anëtarësohet në BE. Reformat e sundimit të ligjit janë larg nga të plota dhe për këtë arsye do të jenë thelbësore për procesin e gjatë pas hapjes së negociatave të pranimit me Shqipërinë.

Institucionet duhet të forcohen, politikanët dhe qytetarët duhet të mësohen me pavarësinë e gjyqësorit, vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe të plotësohen të gjitha vendet e lira në sistemin e drejtësisë.

Progres është bërë, por lufta e vazhdueshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të kërkojë vëmendje të vazhdueshme dhe bashkëpunim ndërkombëtar, përfshirë partnerë të tillë si Holanda”- thuhet në letër. ©LAPSI.al

Të këshilluara

ide

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

Një histori korruptimi jo dashurimi

Fakti që zyrtare të larta të shtetit tonë adhurojnë uritha të tillë si Agasi është dëshmi e korruptimit dhe jo e sensibilitetit romantik. Nivelet e larta të shtetit duhet të shërbejnë si busulla morale dhe parimore për qytetarin e thjeshtë, dhe jo të degradojnë nën nivelin moral të popullatës.  Pikërisht kjo është ajo që na trondit në rastin e zonjës Hyseni. Busulla e saj morale dhe parimore ishte nën nivelin e qytetar

11:09 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

25°c

KËMBIMI EURO

92.05

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI