Nga Arbër Kaceli /Nëse doni t’i shpëtoni vapës cfilitëse, çmimeve marramendëse dhe zhurmës që nuk të lë të flesh deri në orët e para të mëngjesit, nuk jeni pa një 'plan B'. Harrojeni për pak Jalën, Dhërmiun dhe Himarën, pasi Pogradeci është një destinacion ku ju mund të kaloni një fundjavë surprizuese.
Rruga kryesore e qytetit të vogël nuk mban vetëm emrin e saj, “Fan Noli”, pasi në tokë, në çdo dy metra janë vendosur pllaka që mbajnë përsipër emra artistësh të famshëm, si Luciano Pavarotti apo John Lennon, sëbashku me vitet e lindjes dhe vdekjes së tyre.
Një detaj që të tërheq vëmendjen kur ‘ecën’ mbi këta njerëz të famshëm, është hoteli i ri i Pogradecit, i quajtur “Hymeti’s Palace”. Ky është një hotel që duhet t’a provoni nëse keni një buxhet të madh. 5 yjet, luksi dhe cilësia e pankokurrueshme në qytet nuk vijnë pa çmime si 80 euro për dhomat për dy persona, e suita që shkojnë deri në 180 euro.
Nëse nuk jua mban xhepi këto çmime, në Pogradec numërohen plot hotele të tjera, si përshëmbull “Enkelana”, e njohur gjerësisht si ish-turizmi, dhomat e të cilës fillojnë nga 25 deri në 45 euro, dhoma që plotësojnë kushtet për një qëndrim të rregullt, por larg të quajturit luksoze.
Rrugës së shëtitores që shtrihet rreth 750 metra buzë liqenit, gjenden disa hotele, por një nga më të vjetërit, “Euro Korça”, që ndodhet pak para fundit të shtëtitores, qëndron ende i hapur, nën rikonstruktimet e vogla të pllakave apo dritave. Ky hotel të lë shijen e rëndë të ndërtimeve të lëna pas dore të periudhës së diktaturës, shije që për të moshuarit përkthehet në nostalgji. “Euro Korça” është e pakonkurueshme në çmime në Pogradec. Dhomat dyshe fillojnë nga 20 mijë lek të vjetra.
Nuk kalon shumë kohë, dhe pas akomodimit pushuesit zhvendosen drejt plazhit. Jo pak persona e kanë për herë të parë notin në liqen. Të qëndrosh pranë bregut të qëllon të dëgjosh të rinj që habiten se pse ‘nuk i mbante uji’ apo se pse ky ujë nuk ka shije kripe.
Përgjatë shëtitores së Pogradecit, ku është i shtrirë edhe plazhi, pjesën më të madhe e zënë shezllonet e bizneseve private, që po i lënë çdo vit e më pak vend pushuesve që preferojnë të qëndrojnë në çadrën e tyre. 3 e diku 4 mijë lek të vjetra për shezllonet nuk krahasohen me çmimet 8, 10 apo deri në 30 mijë lek të Jalës apo Dhërmiut.
Dy apo tre “Beachbars” ndodhen në rërë, ku “Oro Bianco” i përafrohet më shumë termit, pasi është më i madhi në zonë, dhe pothuajse çdo ditë të rinjtë mblidhen nën ritmet e muzikës verore që luhet nga DJ.
Pogradeci i qëndron kryesisht restoranteve dhe tavernave tradicionale, edhe pse disa diferencohen në shumëllojshmëri gatimesh dhe në çmim. Restorant i preferuar në qytet është ai i hotelit “Hymeti’s Palace”.
Shëtitorja e Pogradecit mbushet e tëra me turistë që bëjnë xhiron e darkës, e cila fillon nga ora 19:00 dhe vazhdon deri në ora 22:30. Pushuesit që duan të konsumojnë kokteile apo alkol nën ritme muzike shqiptare dhe të huaja i drejtohen sërish “Oro Biancos”, që kthehet në tip ‘club-lounge’ kur erret. Mos u habisni kur të shihni se birrat fillojnë nga 2 mijë lek të vjetra, ndërsa kokteilet nga 3 mijë lek të vjetra. Krahasuar me club-et në Jalë, Dhërmi apo Himarë, këto çmime janë thuajse qesharake.
Ndryshe nga jugu, jeta e natës në Pogradec nuk vazhdon deri në të gdhirë, përkundrazi gjatë ditëve të javës muzika ulet në ora 23:00, ndërsa në fundjavë në 00:00. Pak nga pak rrugët zbrazen, dhe pas orës 1 të mëngjesit zëra dëgjohen vetëm pranë disa zgarave apo birrarive të qytetit. Në ora 2 të mëngjesit, teksa në bregdetin e jugut është kulmi i jetës së natës, në Pogradec ka pllakosur heshtja, dhe kjo është një prej arsyeve kryesore pse të rinjtë që vijnë të pushojnë në Pogradec shprehen se “këtu dy-tre ditë qëndrohet, jo më shumë”.
5 kilometra nga dalja e Pogradecit, në fshatin e Tushemishtit pushuesit nuk shkojnë vetëm për parë statujën e “teto Ollgës”, por edhe për të shijuar gatimet e restorantit të njohur, “Dallga”.
Njerëzit që nuk vijnë për herë të parë për të pushuar në Pogradec e njohin klimën e zonës. Pavarësisht se mund të jetë Korrik apo Gusht, kur vendosni të kaloni disa ditë në qytetin buzë liqenit gjithmonë duhet të merrni tuta apo bluze me mëngë të gjata, pasi moti mund të jetë tejet kapriçoz. Disa vranësira dhe reshje shiu do të mjaftonin që mesditën e nxehtë t’a kthejnë në një mbrëmje ku temperaturat mund të ulen deri në 13 gradë celcius.
Arbër Kaceli /Lapsi.al