
46-vjeçari slloven Slavko Vinçiç është arbitri i caktuar për finalen e Botërorit 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës. Gjyqtari nga Maribori është një veteran, pasi gjatë karrierës ka drejtuar finale të rëndësishme, si ajo e Ligës së Europës në vitin 2022 mes Eintracht Frankfurt dhe Rangers, por mbi të gjitha finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2024, të fituar nga Real Madridi ndaj Borussia Dortmund në Wembley. Megjithatë, kur Pierluigi Collina dha lajmin përpara të gjithë arbitrave dhe ndihmësve të mbledhur, ai nuk arriti të përmbante emocionet, shpërtheu në lot dhe përqafoi kolegët pranë tij.
Emocioni i madh i Slavko Vinçiç kur mësoi se do të arbitrojë finalen Spanjë–Argjentinë
“Të luash me vijat e arta në fanellë është diçka e bukur, jam i sigurt se jeni dakord me mua”, u tha të pranishmëve presidenti i Komisionit të Arbitrave të FIFA-s, ndërsa u tregonte fanellën speciale që do të veshë arbitri i finales së Botërorit. “Po aq e bukur është edhe fakti që arbitri do të jetë Slavko Vinçiç.”
Në atë moment, slloveni pati një reagim shumë të fortë emocional. Ai u ngrit mes duartrokitjeve dhe mori urimet e të gjithë kolegëve. Më pas iu afrua Collinës, i cili e përqafoi dhe i dorëzoi fanellën me të cilën do të drejtojë finalen e 19 korrikut në stadiumin “MetLife” të Nju Jorkut, ku në pjesën e pasme lexohej mbiemri i tij. Emocioni i Vinçiç është plotësisht i kuptueshëm, pasi finalja e Kupës së Botës është kulmi i karrierës për çdo arbitër, ëndrra e kujtdo që nis këtë profesion që në moshë të re.
Referee Slavko Vincic gets emotional after being announced the referee for the 2026 FIFA World Cup Final.
by u/OptimusCloyster in soccer
Kush është Slavko Vinçiç, arbitri i finales së Kupës së Botës: u arrestua gabimisht
I lindur më 25 nëntor 1979 në Maribor, Slavko Vinçiç është arbitër profesionist në kampionatin slloven që prej vitit 2007 dhe pjesë e listës ndërkombëtare të FIFA-s që nga viti 2010. Ai konsiderohet një nga arbitrat më autoritarë dhe më të vlerësuar në futbollin ndërkombëtar, me një CV të nivelit më të lartë që përfshin drejtimin e finaleve të Europa League dhe Champions League. I njohur për vendosmërinë e tij në fushë, në Botërorin 2026 ai ka arbitruar tashmë tri ndeshje: dy të fazës së grupeve (Brazil-Marok 1-1 dhe Jordani-Algjeri 1-2) dhe sfidën e 1/16-ave mes Meksikës dhe Ekuadorit (2-0). Përveç arbitrazhit, ai është inxhinier telekomunikacioni dhe drejton një kompani në sektorin metalurgjik. Në jetën private është i martuar dhe ka dy fëmijë.
Karriera e Vinçiç u shënua nga një ngjarje e bujshme jashtë futbollit në maj të vitit 2020, kur përfundoi gabimisht në qendër të një operacioni policor në një vilë në Bijelinë të Bosnje-Hercegovinës. Operacioni kishte për qëllim goditjen e një rrjeti prostitucioni, trafiku armësh dhe droge të drejtuar nga një modele e njohur lokale. Arbitri ndodhej në vendngjarje dhe fillimisht u ndalua bashkë me persona të tjerë. Megjithatë, hetimet sqaruan menjëherë se ai nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen: Vinçiç ndodhej aty krejt rastësisht, i ftuar në një drekë biznesi nga disa partnerë tregtarë, pa pasur dijeni për atë që fshihej pas atij takimi. Ai u lirua menjëherë pasi u mor në pyetje si dëshmitar dhe doli plotësisht i pastër, pa asnjë akuzë ndaj tij, duke vijuar më pas ngjitjen në hierarkinë e arbitrave të UEFA-s dhe FIFA-s.