
Një ndeshje europiane siç rrallëherë shihen për skuadrat tona. Gjashtë gola, përmbysje, emocione deri në sekondat e fundit dhe një kualifikim që mbetet plotësisht i hapur. Egnatia dhe Celje dhuruan një spektakël të vërtetë në Arena Egnatia, duke u ndarë në barazim 3-3 pas 90 minutash plot ritëm, me përmbysje e rikuperime. Në fund ishin me fat të besuarit e Dedes sepse mes golit të fitores dhe kampionëve të Sllovenisë u pozicionua shtylla.
Kampionët shqiptarë e nisën në mënyrën më të mirë. Që në minutën e shtatë, goditja e Eneo Bitrit u devijua nga Daniel dhe përfundoi në rrjetë, duke ndezur festën në tribunat e Rrogozhinës. Por Celje reagoi në fundin e pjesës së parë, kur Kvesic riktheu baraspeshën. Sllovenët përmbysën gjithçka menjëherë pas pushimit me Kucys, por Egnatia tregoi edhe një herë karakter. Fernando realizoi një supergol vetëm katër minuta më pas, duke rikthyer besimin te vendasit. Megjithatë, Kvesic goditi sërish për miqtë, përpara se Diabate, me një goditje të devijuar në minutën e 78’, të vuloste rezultatin 3-3.
Në një mbrëmje sportive të rëndësishme është për të ardhur keq që tifozët rrogozhinas nuk u treguan në nivelin e situatës. Tensioni për rezultatin solli hedhjen e disa shisheve në drejtim të futbollistëve sllovenë, në momentet kur Celje kaloi dy herë në avantazh. Sidoqoftë Egnatia është për tu përgëzuar për mënyrën si u përball me kundërshtarin më të kuotuar, duke iu afruar edhe golit të fitores, pavarësisht se në fund ishte Celje që mund të kishte marrë suksesin, por shtylla i mohoi një sukses që do ta afronte ndjeshëm me kualifikimin.
Gjithsesi, asgjë nuk ka përfunduar. Pas një ndeshjeje që tregoi se diferencat mes dy skuadrave janë minimale, rrogozhinasit udhëtojnë drejt Sllovenisë me bindjen se mund të shkruajnë një tjetër faqe historie. Pas 3-3 në Arena Egnatia, raundi i tretë i Champions League vazhdon të jetë një ëndërr e realizueshme.
EGNATIA-CELJE 3-3