
Shqipëria del pa pikë nga Olimpiku I Helsinkit I mundur 2-1 nga një Finlandë që goditi vetëm dy herë me goditje standard, duke gjetur në portë pikën më të dobët të kuqezinjve. Etrit Berisha pasoi gabim te kundërshtari në minutën e 22’ e pastaj u detyrua ta pengojë duke u përjashtuar. Ndërsa Sherri po nga ajo goditje dënimi në hyrje të zonës lejoi topin ti shpëtonte nga duart, duke bërë rezultatin 1-1 me skuadrën e Maran me një lojtar më pak. Si për të kompletuar pasditen e errët, portieri i Cagliarit pësoi edhe golin e dytë po nga Walta, me një tjetër goditje dënimi që e gjeti të papërgatitur.
Maran kishte improvizuar një linjë të majtë me Mitaj e Pilon, duke luajtur me Hoxhën në qendër e Muçin në të djathtë, por skuadra po funksiononte dhe Manaj zhbllokoi ndeshjen që në minutën e 4’, në zhvillimet e një goditje këndi. Goli i 13 i sulmuesit, por e gjithë skuadra ishte në përqendrim total, pa gabuar asgjë. Deri në minutën e 22’. Berisha pasoi gabim te Ramdani, pastaj u detyrua të pengojë kundërshtarin të mos shënonte, duke u ndëshkuar me kartonin e kuq.
Në vend të tij Sherri, por edhe portieri i dytë e katranos më keq, duke lëjuar topin ti shpëtojë nga duart në goditjen e dënimit, jo të parezistueshme të Walta. Shqipëria ndëshkohet në të vetmin rast kur Finlanda u shfaq rrezikshëm, duke komplikuar një ndeshje që po e dominonte në mënyrë evidente.
Nga aty, Maran u kujdes për të mbyllur hapësirat dhe Finlanda jo vetëm që nuk po bëhej e rrezikshme, po në pjesën e dytë me Dakun në fushë, rrezikoi të pësonte gol në kundërsulmin brilant të qendërsulmuesit me Pilon, që humbi hapin dhe u spostua shumë për të rrezikuar seriozisht Hradecky. Por edhe këtë herë, Sherri, i mpirë ndoshta nga episodi i golit, pësoi edhe një të dytë, po me goditje dënimi, po nga Walta. 2-1, Finlanda përmbys rezultatin dhe shtrin serinë e rezultateve positive me kuqezinjtë, që zgjesin prej 26 vjetësh. Nordikët marrin vendin e parë në grup, duke kaluar me 7 pikë, një mbi Shqipërinë, që tani duhet të bëjë llogaritë e duhura në nëntor, kur të përballet me Bjellorusinë në transfertë dhe Finlandën në Tiranë. Por më parë duhet mundur pas tre ditësh San Marino.