
Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për këngëtarin Erind Xhaferaj, i dyshuar për ngacmimin e vajzave të mitura pranë një shkolle në qytet.
Prokuroria kishte kërkuar që arrestimi në flagrancë të vlerësohej i ligjshëm dhe ndaj Xhaferajt të caktohej masa e arrestit shtëpiak. Gjykata i pranoi të dyja kërkesat.
Sipas vendimit, Xhaferaj do të qëndrojë në arrest shtëpie gjatë vijimit të hetimeve. Gjyqtari ka argumentuar se rrethanat mund të justifikonin edhe një masë më të rëndë, atë të “arrestit në burg”. Megjithatë, gjykata nuk mund të caktonte një masë më të rëndë se ajo e kërkuar nga Prokuroria, bazuar në nenin 224, pika 3 të Kodit të Procedurës Penale.