
Inflacioni në Eurozonë u rrit më shumë se sa pritej në shtator dhe ka të ngjarë të rritet më tej në muajt e ardhshëm, për shkak të kostove të larta të energjisë, duke mbajtur presion mbi Bankën Qendrore Europiane që të rrisë edhe më tej normat e interesit.
Inflacioni në 21 vendet që përdorin monedhën euro u rrit në 3.8% në shtator, nga 3.2% një muaj më parë, duke tejkaluar pritshmëritë prej 3.6% në një sondazh të Reuters. Rritja u nxit kryesisht nga çmimet e karburanteve dhe gazit natyror dhe, në një masë më të vogël, nga kostot e ushqimeve.
Ndërkohë, inflacioni bazë, një tregues i ndjekur me kujdes, i cili përjashton çmimet e paqëndrueshme të ushqimeve dhe energjisë dhe jep sinjale për prirjet themelore të inflacionit, u rrit në 2.5%, nga 2.4%, për shkak të rritjes së çmimeve të shërbimeve, treguan të premten të dhënat e Eurostat, agjencisë statistikore të Bashkimit Europian.
Shifrat ka të ngjarë të japin sinjale të përziera për BQE-në.
Rritja e inflacionit të përgjithshëm edhe më tej mbi objektivin prej 2% është shqetësuese dhe do të forcojë kërkesat për rritje të mëtejshme të normave të interesit, pas dy ndërhyrjeve të bëra gjatë verës.
A do ta ruajë BQE-ja reagimin e saj “të matur” në politikën monetare?
Megjithatë, rritja e kufizuar e inflacionit bazë tregon se kostot e larta të energjisë ende nuk kanë shkaktuar ato që njihen si efekte të raundit të dytë, të cilat mund të nxisin një spirale inflacioniste të vështirë për t’u frenuar.
Kjo do të sugjeronte se BQE-ja mund t’i përmbahet reagimit të saj “të matur” në politikën monetare, një koncept i papërcaktuar qartë, të cilin tregjet e interpretojnë si rritje të normave të interesit të shpërndara në kohë, ndoshta në përputhje me publikimin e parashikimeve ekonomike tremujore.
Në fakt, investitorët parashikojnë deri në tri rritje të tjera të normës së depozitave të BQE-së, e cila aktualisht është 2.5%, gjatë vitit të ardhshëm. Megjithatë, mundësia e një rritjeje këtë muaj konsiderohet pothuajse e papërfillshme dhe rritja e ardhshme nuk është reflektuar plotësisht në çmimet e tregut deri në janar.
Megjithatë, këto pritshmëri ndryshojnë me shpejtësi dhe edhe vetë politikëbërësit pranojnë se parashikimet e tyre janë tepër të pasigurta.
Anëtarët më të prirur drejt një politike monetare më të shtrënguar argumentojnë se kostot e energjisë kanë qenë shumë të larta për një periudhë tepër të gjatë dhe, për rrjedhojë, është e pashmangshme që ato të fillojnë të shkaktojnë efekte të raundit të dytë. Sipas tyre, rritja e fundit e çmimeve të gazit natyror do të transmetohet më shpejt se në të kaluarën te inflacioni bazë, duke rritur kostot e gjithçkaje, nga energjia elektrike dhe ngrohja deri te shpenzimet e bizneseve.
Të tjerë, megjithatë, argumentojnë se tregu i punës është relativisht i dobët, ndaj punonjësit vështirë se mund të kërkojnë rritje të mëdha të pagave. Gjithashtu, rritja e fortë e fundit e kostove afatgjata të huamarrjes pritet të frenojë rritjen e çmimeve.
Në fund, faktori vendimtar për vendimin e ardhshëm mbi normat e interesit mund të jetë më shumë stabiliteti financiar sesa vetë inflacioni.
Kostot e huamarrjes janë rritur ndjeshëm, kryesisht pasi rritja e yield-eve të obligacioneve amerikane në nivelin më të lartë të 24 viteve po prek të gjithë huamarrësit. Por investitorët po kërkojnë gjithashtu një prim më të lartë për të mbajtur aktive më të rrezikshme, ndërsa diferenca mes yield-eve të borxhit francez dhe obligacioneve të krahasueshme gjermane është rritur në nivelet më të larta të disa dekadave, duke ngritur pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e borxhit.
Ekonomistët thonë se BQE-ja mund të preferojë të qëndrojë për momentin në pritje dhe të mos shtojë më tej trazirat në tregje, veçanërisht pasi prirjet e inflacionit nuk kërkojnë një ndërhyrje urgjente ose të fortë./ Reuters