
Ambasada Amerikane në Tiranë ka zhvilluar një pritje mirëseardhjeje për ambasadorin e ri Eric Wendt. Eventi është organizuar në ambientet e një hoteli në zonën e ish-Bllokut, nën masa të forta sigurie.
Në pritjen që ka nisur rreth orës 18.00 janë të ftuar rreth 130 persona, mes tyre edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Pjesë e eventit ishin përfaqësues të politikës, zyrtarë të institucioneve shtetërore, ministra, drejtues të organeve të drejtësisë, si dhe personalitete nga fusha të ndryshme.
Ra në sy mungesa e kryeministrit Edi Rama për të cilin nuk dihet nëse ka pasur ftesë apo kreu i qeverisë nuk ka shkuar për shkak të ndonjë angazhimi tjetër. Ka munguar edhe kreu i opozitës, Sali Berisha që konfirmoi pak ditë më parë se nuk kishte marrë ftesë. Megjithatë pasditen e së premtes Berisha u shfaq në një takim me demokratët në Korçë.

Mes të pranishmëve ishte kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i shoqëruar nga deputeti Oerd Bylykbashi. Ftesë kishte marrë edhe kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili gjithashtu mori pjesë në pritje.
Në event ishin edhe ish-kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, së bashku me deputetin Bledi Çuçi, kryetar i Komisionit Parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen.

I pranishëm ishte edhe ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, i cili ishte ndër zyrtarët e parë që takoi ambasadorin Wendt pas mbërritjes së tij në Tiranë.
Gjatë mbrëmjes u panë të mbërrinin edhe zyrtarë të tjerë të lartë, mes tyre ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, ministri i Kulturës, Blendi Gonxhe, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu dhe ministrja Mirela Kumbaro.
Në ceremoni ishte edhe kreu i partisë "Mundësia" Agron Shehaj.
Në listën e të ftuarve ishin edhe përfaqësues të komuniteteve fetare. Në pritje mori pjesë edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi. ©LAPSI.al