Flash

KQZ propozon zgjerimin e votimit elektronik në zgjedhjet e 2027-ës

Lapsi.al 2 October 2026

KQZ propozon zgjerimin e votimit elektronik në zgjedhjet e 2027-ës

Në një shkresë drejtuar 15 partive politike, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, thotë se institucioni po shqyrton mundësinë që teknologjia e votimit elektronik të përdoret në tri ose katër bashki të mëdha në zgjedhjet e ardhshme vendore.

“Duke marrë në konsideratë aspektet teknike, logjistike dhe administrative, si dhe nevojën për implementim të qëndrueshëm dhe në kohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerëson se një shtrirje në 3 apo 4 bashki të mëdha përbën një qasje të arsyeshme dhe proporcionale,” thuhet në shkresë.

Megjithatë, KQZ thekson se çdo vendim për zgjerimin e votimit elektronik duhet të ketë mbështetje politike.

“Çdo vendimmarrje për zgjerimin e këtij procesi duhet të mbështetet në një qëndrim të qartë dhe të konsoliduar të partive politike,” shton dokumenti.

KQZ ka ftuar përfaqësuesit e partive në një takim konsultues më 9 tetor, ku pritet të diskutohet propozimi dhe mundësia e përdorimit të pajisjeve elektronike.

Në listën e subjekteve të kontaktuara janë Partia Socialiste, Partia Demokratike, Partia e Lirisë, Partia Socialdemokrate, Mundësia, Lëvizja Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë, si dhe disa parti të tjera parlamentare dhe joparlamentare.

Votimi elektronik është përdorur në mënyrë të kufizuar në disa procese zgjedhore që prej vitit 2021, por raportet e OSBE/ODIHR kanë evidentuar si avantazhet e teknologjisë, ashtu edhe probleme me përgatitjen, transparencën dhe besimin politik ndaj saj.

Në zgjedhjet vendore të majit 2023, votimi dhe numërimi elektronik u përdorën në 401 qendra votimi në bashkitë Elbasan, Kamëz dhe Vorë, duke përfshirë 310,846 zgjedhës të regjistruar dhe rreth 8 për qind të të gjitha qendrave të votimit në vend. KQZ përdori 828 pajisje elektronike, përfshirë 760 pajisje të reja të prokuruara për atë proces.

Zgjedhësit votonin në pajisje me ekran me prekje, të cilat prodhonin një mandat në letër që i lejonte votuesit të verifikonte zgjedhjen e tij. Pajisjet nuk ishin të lidhura me internetin. Megjithatë, ODIHR vërejti se miratimi i vonuar i fondeve dhe dorëzimi i shumicës së pajisjeve vetëm dy muaj përpara zgjedhjeve kufizuan fushatën e edukimit të zgjedhësve. Misioni evidentoi gjithashtu se pajisjet dhe programet kompjuterike nuk iu nënshtruan një auditimi apo certifikimi të pavarur para zgjedhjeve, në kundërshtim me praktikat e mira ndërkombëtare.

Problemet u reflektuan edhe ditën e zgjedhjeve. Në 15 nga 41 vëzhgimet e kryera në qendra me votim elektronik, ODIHR konstatoi se votuesit – veçanërisht të moshuarit. kishin vështirësi në përdorimin e pajisjeve dhe se ndihma e dhënë për ta cenonte në disa raste fshehtësinë e votës.

Pavarësisht këtyre problemeve, votimi elektronik u zgjerua përsëri në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, por në një shkallë shumë më të vogël. Sipas raportit përfundimtar të ODIHR, sistemi u përdor në 75 qendra votimi me 51,505 zgjedhës të regjistruar – 31 qendra me 22,290 votues në Tiranë dhe 44 qendra me 29,215 votues në Vorë. Kjo përfaqësonte vetëm 1.4 për qind të elektoratit të regjistruar.

ODIHR vuri në dukje se Kodi Zgjedhor kërkonte që pilotimi i teknologjisë të përfshinte të paktën 10 për qind të zgjedhësve. Vendimi për ta kufizuar projektin në vetëm dy zona zgjedhore u mor më 25 prill, pak javë përpara votimit, pas një ngërçi politik dhe kërkesës së Partisë Demokratike për të kufizuar përdorimin e sistemit. ODIHR e cilësoi vendimin në kundërshtim me kërkesat e Kodit Zgjedhor dhe paralajmëroi se vendimmarrja e vonuar krijoi pasiguri dhe nxori në pah nevojën që administrata zgjedhore të jetë më rezistente ndaj presionit politik.

Raporti i ODIHR vlerësoi se votimi elektronik në vetvete u zhvillua përgjithësisht pa probleme të mëdha, por shumë votues nuk ishin familjarizuar me pajisjet dhe disa prej tyre nuk arritën ta përfundonin votimin brenda kufirit prej tre minutash. Vëzhguesit konstatuan gjithashtu raste kur anëtarët e komisioneve dhe operatorët teknikë nuk kishin trajnim të mjaftueshëm ose qartësi mbi rolet e tyre.

Një tjetër përplasje politike ndikoi edhe në numërimin. Transmetimi i rezultateve drejtpërdrejt nga pajisjet drejt KQZ-së në mbyllje të votimit u anulua pas një kërkese të Partisë Demokratike, e cila argumentoi se publikimi i hershëm i rezultateve mund të ndikonte procesin. Pajisjet u transportuan në qendrat e administrimit zgjedhor në Tiranë dhe Vorë dhe numërimi nisi mëngjesin e 12 majit. Sipas ODIHR, ndryshimi i procedurës solli vonesa dhe konfuzion publik dhe dëshmoi mungesën e vazhdueshme të besimit politik ndaj teknologjisë zgjedhore.

Në rekomandimet e tij pas zgjedhjeve të vitit 2025, ODIHR kërkoi që çdo zgjerim i ardhshëm i votimit elektronik të menaxhohet në mënyrë “gjithëpërfshirëse, transparente dhe të integruar” dhe që vendimet për përdorimin e teknologjisë të respektojnë kuadrin ligjor dhe të mos merren si përgjigje ndaj presionit politik.

Propozimi i KQZ-së për zgjedhjet vendore të vitit 2027 vjen pikërisht pas këtyre rekomandimeve. Shkresa nuk përcakton se cilat janë tri ose katër bashkitë që po konsiderohen, ndërsa institucioni kërkon fillimisht një qëndrim të qartë të partive politike përpara se të marrë një vendim mbi shtrirjen e sistemit./BIRN

Të këshilluara

ide

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

Një histori korruptimi jo dashurimi

Fakti që zyrtare të larta të shtetit tonë adhurojnë uritha të tillë si Agasi është dëshmi e korruptimit dhe jo e sensibilitetit romantik. Nivelet e larta të shtetit duhet të shërbejnë si busulla morale dhe parimore për qytetarin e thjeshtë, dhe jo të degradojnë nën nivelin moral të popullatës.  Pikërisht kjo është ajo që na trondit në rastin e zonjës Hyseni. Busulla e saj morale dhe parimore ishte nën nivelin e qytetar

11:09 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

17°c

KËMBIMI EURO

91.98

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI