
Gisele Bündchen nuk ka mbetur me mëri ndaj ish-bashkëshortit të saj, Tom Brady, pavarësisht divorcit të bujshëm dhe detajeve të reja që janë zbuluar për martesën e tyre.
Pas publikimit të librit të ri të Lars Anderson, Brady: An American Story and the Price of Greatness, një burim pranë supermodeles ka treguar për PEOPLE se Bündchen është e kënaqur me jetën që ka ndërtuar sot.
“Ajo gjithmonë mendonte se do të ishte e martuar me Tomin për pjesën tjetër të jetës. Divorci ishte shumë i dhimbshëm dhe në atë kohë e kishte të vështirë ta kuptonte, por ajo nuk është e hidhëruar”, tha burimi.
Sipas tij, modelja është mirënjohëse për fëmijët që ka me Brady-n dhe për vitet që kanë kaluar së bashku.
“Ajo është shumë shpirtërore dhe, duke parë pas, mendon se universi kishte një tjetër plan për të”, shtoi burimi.
Brady dhe Bündchen, të cilët i dhanë fund martesës në vitin 2022 pas 13 vitesh, janë prindër të dy fëmijëve, Benjamin, 16 vjeç, dhe Vivian, 13 vjeç.
Ndërkohë, jeta e modeles ka marrë një tjetër drejtim. Në dhjetor 2025, Bündchen u martua me instruktorin e jiu-jitsu-së, Joaquim Valente. Çifti ka edhe një djalë, i cili lindi në shkurt të vitit 2025.
“Ajo ndihet e bekuar që është bërë sërish nënë. E dashuron jetën që ka me Joaquim dhe familjen e tyre në Miami”, tha burimi.
Libri i ri për Tom Brady-n sjell gjithashtu detaje të panjohura për periudhën para divorcit. Sipas autorit, gjatë verës së vitit 2022, Brady kërkoi një leje të zgjatur nga kampi stërvitor i Tampa Bay Buccaneers, me shpresën për të rregulluar martesën me Bündchen në mënyrë private në Bahamas.
Libri përshkruan edhe ndikimin që ndarja pati te sportisti. Brady humbi rreth 9 kilogramë gjatë asaj periudhe, ndërsa ish-trajneri i Buccaneers, Bruce Arians, tha se stresi emocional po ndikonte edhe në gjendjen e tij fizike.
Divorci u finalizua më 28 tetor 2022.
Në vitin 2023, Bündchen kishte folur hapur për ndarjen në një intervistë për Vanity Fair, duke mohuar pretendimet se ajo i kishte kërkuar Brady-t të zgjidhte mes familjes dhe karrierës.
“Ajo që është thënë është vetëm një pjesë e një puzzle shumë më të madh. Nuk është bardhë e zi”, ishte shprehur modelja.
Në atë kohë, ajo kishte bërë të qartë edhe se vazhdonte të dëshironte më të mirën për ish-bashkëshortin e saj.
“Gjithmonë kam bërë tifo për Tomin dhe do të vazhdoj ta bëj përgjithmonë. Nëse ka një person që dua të jetë më i lumturi në botë, është ai”, kishte deklaruar Bündchen.