
Pete Davidson ka reaguar ndaj komenteve dhe kritikave të shumta në internet për trupin e ish-të fejuarës së tij, Ariana Grande, duke i cilësuar ato si “të tmerrshme”.
Në një intervistë të re për Variety, komediani 32-vjeçar tha se beson se këngëtarja 33-vjeçare do ta përballojë situatën, pavarësisht vëmendjes së madhe që ka marrë pamja e saj fizike në rrjetet sociale.
“Për mua nuk është aspak diçka e këndshme”, tha Davidson, duke iu referuar diskutimeve online që kanë qarkulluar rreth peshës së Grande.
“Nuk është në rregull. Ajo është një person shumë i fortë — e kam parë vetë këtë — dhe nuk e kuptoj. Megjithatë, ajo di si t’i përballojë këto gjëra. Ka kaluar shumë. Kështu që do të jetë mirë, por mendoj se është e tmerrshme”, shtoi ai.
Në gusht, përfaqësuesi i Ariana Grande njoftoi se këngëtarja do të “tërhiqej për pak kohë nga vëmendja publike”, pas shqetësimeve të vazhdueshme në lidhje me peshën e saj.
Grande gjithashtu ka folur publikisht për ndikimin e negativitetit në internet. Gjatë një fjalimi për fansat e saj në Çikago, ajo tha se “negativiteti po i prish gjërat” për të.
“Pavarësisht zhurmave që ekzistojnë jashtë, asgjë nuk do të jetë në gjendje të shtrembërojë realitetin tim apo të jetë më e vërtetë për mua sesa kjo dashuri që ndajmë”, u shpreh këngëtarja.
Pas përfundimit të turneut të saj më 1 shtator, Grande thuhet se është tërhequr nga vëmendja publike dhe po kalon kohë në Los Angeles me të dashurin e saj, Ricky Alvarez.
Davidson dhe Grande patën një lidhje të shkurtër, por shumë të komentuar, në vitin 2018. Ata u fejuan vetëm pak javë pasi nisën lidhjen, por i dhanë fund romancës në tetor të të njëjtit vit.
Që prej ndarjes, Grande e ka përmendur Davidson në disa prej këngëve të saj, përfshirë “Thank U, Next” dhe “Pete Davidson”.
Në intervistën e fundit, Davidson e përshkroi ish-të fejuarën si një vajzë “të mrekullueshme”, “shumë të talentuar” dhe “shumë cool”.
Kur u pyet për marrëdhënien e tyre aktuale, ai sqaroi: “Nuk i shkruajmë njëri-tjetrit apo diçka të tillë, por jemi mirë.”