
Kryeministri Edi Rama prezantoi projektndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, të cilat synojnë të kufizojnë paraburgimin dhe arrestin me burg, të vendosin kontroll gjyqësor mbi hapjen e telefonave dhe pajisjeve elektronike dhe të kufizojnë përdorimin e përgjimeve.
Sipas ndryshimeve të prezantuara, për veprat me dënim deri në 3 vjet nuk do të caktohen masa shtrënguese, ndërsa për ato nën 5 vjet nuk do të aplikohet arresti me burg. Gjykata duhet të nisë vlerësimin nga liria dhe masat më të buta, ndërsa paraburgimi të përdoret si masë e fundit.
“Procedimi penal duhet të nisë nga zanafilla e lirisë, jo nga burgu si zanafillë. Gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta, të nisë nga arresti në shtëpi. Për veprat me dënim 3 vjet, nuk do të caktohen masa shtrënguese. Nën 5 vjet s’do të ketë arrest me burg”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se vetëm natyra e veprës penale nuk do të jetë më e mjaftueshme për të justifikuar arrestin, por prokuroria duhet të argumentojë ekzistencën e një rreziku konkret dhe aktual.
“Natyra e veprës nuk do të mjaftojë më. Rreziku duhet të jetë konkret dhe aktual. Gjykata duhet të bëjë vlerësim të pavarur dhe, nëse kopjon argumentet e prokurorit, vendimi bëhet i pavlefshëm”, tha ai.
Sipas Ramës, nevoja për vazhdimin e masës së sigurisë do t'i nënshtrohet edhe kontrollit periodik.
“Çdo muaj prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet e masës ekzistojnë”, u shpreh ai.
Rama: 62% e të burgosurve janë në paraburgim
Kryeministri e lidhi ndërhyrjen me numrin e lartë të personave që mbahen në burg pa një dënim përfundimtar. Sipas shifrave të cituara prej tij, 62% e popullsisë së burgjeve shqiptare përbëhet nga persona në paraburgim.
“Paraburgimi, që sipas Kushtetutës duhet të jetë masa e fundit, në Shqipëri është qendra. Kjo paketë është përgjigje konkrete ndaj problemit real”, tha Rama.
Ai iu drejtua drejtpërdrejt prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke kërkuar ndryshimin e kësaj praktike.
“Të nderuar prokurorë dhe gjykatës, nuk mund të vazhdojmë me shifra të tilla, pas tyre ka drama njerëzish, trauma fëmijësh”, deklaroi kryeministri.
Telefonat nuk hapen pa vendim gjykate
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm prek sekuestrimin dhe kontrollin e telefonave, kompjuterëve dhe pajisjeve të tjera elektronike.
Policia ose prokuroria mund të sekuestrojnë pajisjen, por sipas propozimit të prezantuar, kontrolli i përmbajtjes së saj do të kërkojë vendim gjykate.
“Sekuestrimi i pajisjes nuk mund të jetë më në asnjë mënyrë për të parë dhe lexuar gjithçka. Për ta hapur duhet vendim i gjykatës”, tha Rama.
Edhe ndërhyrjet urgjente do t'i nënshtrohen kontrollit gjyqësor, ndërsa materialet që nuk kanë lidhje me hetimin duhet të asgjësohen.
“Çdo material i nxjerrë që nuk ka lidhje me hetimin duhet të asgjësohet”, deklaroi ai.
Kufizime për përgjimet dhe mbrojtje e jetës private
E njëjta logjikë do të zbatohet edhe për përgjimet. Në procedim duhet të përdoren komunikimet që lidhen me objektin e hetimit, përfshirë materialet që mund të jenë në favor të personit nën hetim.
“Jeta private e njerëzve pa lidhje me veprën penale nuk mund të përdoret si instrument presioni apo për ushqim për mediat”, tha Rama.
Marrjet në pyetje regjistrohen me zë dhe figurë
Paketa parashikon gjithashtu regjistrimin audio dhe video të marrjeve në pyetje dhe veprimeve kryesore procedurale.
“Marrja në pyetje dhe veprimet kryesore do të regjistrohen me zë dhe figurë. Nëse shteti merr në pyetje një njeri, duhet të tregojë si e ka marrë dhe sa e ka respektuar”, deklaroi Rama.
Sipas tij, deklarimet e marra nëpërmjet presionit apo dhunës nuk do të kenë vlerë procedurale.
I hetuari duhet të njoftohet dhe të ketë akses te dosja
Ndryshimet prekin edhe të drejtat e personit nën hetim. Rama tha se qytetari duhet të njoftohet se ndaj tij është regjistruar procedim dhe se hetimet e fshehta për periudha të gjata nuk duhet të kthehen në rutinë.
“Personi ka të drejtë të dijë se ndaj tij është regjistruar një procedim. Hetimet e fshehura në kohë nuk mund të jenë një rutinë në një shtet të së drejtës”, tha ai.
Personi nën hetim do të ketë gjithashtu akses në provat kundër tij dhe do të mund të marrë pa pagesë materialet e dosjes, ndërsa Rama kërkoi rol më aktiv të avokatit në proces.
“Avokati nuk mund të jetë dekor në gjyq, duhet të bëjë kërkimet e veta, të ketë liri. Personi do të ketë akses të pakushtëzuar në provat ndaj tij dhe do të marrë pa pagesë të gjitha dosjet ndaj tij, për t’u njohur me to për gjyqin”, deklaroi ai.
Rama: Në gjykatë vetëm çështjet me perspektivë reale
Sipas kryeministrit, prokuroria duhet të peshojë si provat e akuzës, ashtu edhe ato të mbrojtjes përpara dërgimit të një dosjeje në gjykatë.
“Në gjyq do të shkojnë çështje që kanë perspektivë reale. Prokurori duhet të peshojë provat e akuzës dhe mbrojtjen”, tha Rama.
Ai e lidhi këtë edhe me prezumimin e pafajësisë dhe publikimin e materialeve të hetimit përpara vendimit të gjykatës.
“Ndryshimi i gjashtë ka rëndësi sepse nxjerr prezumimin e pafajësisë jashtë sallës së gjyqit. Gjyqi në pazar përpara gjyqit në sallë nuk është drejtësi”, përfundoi Rama. ©Lapsi.al