
Reperi i njohur amerikan Rick Ross është arrestuar të enjten në Florida, nën akuzat për dhunë në familje, raportojnë mediat amerikane.
Sipas të dhënave të autoriteteve të Miami-Dade, të publikuara nga Page Six, Ross, emri i vërtetë i të cilit është William Leonard Roberts II, është përballur me akuzat për sulm përmes mbytjes dhe sulm fizik.
Ai është regjistruar në Turner Guilford Knight Correctional Center në orën 06:10 të mëngjesit. Për dy akuzat ndaj tij janë vendosur garanci në vlerën përkatësisht 5 mijë dhe 1 mijë dollarë.
Seanca e tij gjyqësore është planifikuar për 22 tetor, sipas CBS News.
Arrestimi vjen pas akuzave të bëra së fundmi nga ish-e dashura e reperit, Jazzma Kendrick, e cila e ka akuzuar Ross për dhunë fizike. Sipas burimeve të zbatimit të ligjit të cituara nga TMZ, Kendrick kishte kontaktuar policinë të martën dhe kishte pretenduar se Ross ishte treguar i dhunshëm ndaj saj.
Ajo pretendon se ngjarja ka ndodhur më 28 gusht, kur Ross dyshohet se e zgjoi nga gjumi dhe u bë fizikisht agresiv ndaj saj pas një konflikti të lidhur me një fotografi në rrjetet sociale, në të cilën ajo ishte etiketuar.
Sipas deklarimit të saj në polici, Kendrick pretendon se Ross e kishte goditur në fytyrë pasi ajo mohoi se e kishte tradhtuar.
Ish-e dashura e reperit ka bërë gjithashtu pretendime më të rënda, duke deklaruar se ai e kishte goditur disa herë në gjoks, e kishte kapur për qafe deri në pikën që ajo nuk mund të merrte frymë, si dhe e kishte kapur nga flokët dhe përplasur pas një muri.
Kendrick raportohet se u ka dorëzuar autoriteteve edhe fotografi që, sipas saj, tregonin dëmtimet e marra.
Ross më pas është dorëzuar në polici, ndërsa raportohet se nuk ka diskutuar me autoritetet rreth akuzave. Ai është deklaruar i pafajshëm.
Avokatët e tij, Steve Sadow dhe Bradley Horenstein, i thanë TMZ se reperi është “akuzuar padrejtësisht” nga ish-e dashura e tij dhe se motivet e saj nuk janë të qarta.
“Zoti Roberts është i pafajshëm dhe është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave. Ai kërkon me respekt që miqtë, fansat dhe publiku i gjerë të mos paragjykojnë situatën dhe të lejojnë që procesi gjyqësor të vijojë”, thanë avokatët.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse arrestimi i Ross lidhet drejtpërdrejt me akuzat e fundit publike të bëra nga Jazzma Kendrick.
Gjatë fundjavës, Kendrick publikoi një fotografi nga afër të fytyrës së saj, duke pretenduar se ishte bërë “ditën kur Rick më çau buzën dhe ditën kur u largova”.
“Gjithçka është gjithmonë mirë, derisa nuk është më. Nëse një burrë të godet një herë, do ta bëjë përsëri. Mos i jep mundësinë. Vlerësoje jetën tënde dhe largohu”, shkroi ajo.
Ngjarja mbetet në zhvillim dhe akuzat ndaj Rick Ross do të shqyrtohen në procesin gjyqësor.