
"Kombëtarja më ndihmoi. Duhet të tregoja se jam në formë sepse u bënë shumë muaj që nuk luaja. Besoj do hapet ndonjë gjë e re. Po bisedoj me disa skuadra, por asgjë zyrtare". Elseid Hysaj është i qartë se nga FSHF i ka ardhur një asist që nuk mund të refuzohej, sidomos në situatën në të cilën ndodhet mbrojtësi. Në fund të fundit, kontributi ndër vite i shkodranit e meriton një pasim të tillë, që e bën optimistë për të ardhmen.
Pa skuadër e pa asnjë ofertë kontreke, Hysaj është i bindur se nuk është ende koha për të zbritur në nivelin e kampionatit shqiptar. Zbritur, sepse ashtu si e shpjegon vetë mbrojtësi i djathtë, mund të luajë ende në nivel më të lartë: "Me gjithë respektin që kam për kampionatin shqiptar, i kam ndjekur me vërtetë sepse hera e parë që unë isha në Shqipëri dhe po stërvitesha me Vllazninë, ishte si detyrë për t’i ndjekur duke luajtur. Është kampionat i mirë, por besoj nuk është akoma momenti im që të kthehem në Shqipëri”.
Duke u përqendruar pastaj te sfida e nesërme në Helsinki, në konferencën zyrtare për shtyp, Hysaj bëri një llogari të shpejtë: "Kemi një skuadër shumë të fortë. Grupi i fortë si Finlanda dhe Bjellorusia kanë gati të njëjtin nivel si ne. Ishte objektiv i ynë për të qenë të parët dhe ta kalojmë këtë grup. Ne jemi skuadër në evolucion, duhet të kërkojmë më shumë nga secili. Kemi trajner të ri që po na jep një dorë për të bërë lojë më të bukur dhe më sulmuese. Për tani jam shumë i kënaqur - shpjegoi mbrojtësi, duke bërë edhe një krahasim për futbollistët e rinj që vijnë në ambjentin kuqezi -. Besoj se po dalin shumë lojtarë shqiptarë, por po mungon që nuk po dalin shumë mbrojtësa. Besoj mesfusha dhe sulmi ka shumë zgjidhje dhe lojtarë të fortë. Qefalija, Sina dhe Hasa janë lojtarë të mirë dhe me të ardhme përpara. Shqipëria do të jetë e mbrojtur edhe për të ardhmen".
