
Për vite me radhë emri i Eldi Dizdarit, i quajtur ndryshe Denis Matoshi ka kaluar nga një dosje e trafikut ndërkombëtar të kokainës në tjetrën, nga Shqipëria në Itali, Belgjikë e Gjermani, ndërsa ai vetë është konsideruar i paprekshëm në Dubai. Deri sa, Emiratet e Bashkuara Arabe e ekstraduan 37-vjeçarin në Belgjikë këtë javë, ku Denis Matoshi, siç njihet zyrtarisht nga autoritetet belge, u transferua menjëherë në burg.
Në Antwerp e priste një dënim me 10 vjet burg dhe 80 mijë euro gjobë në dosjen e madhe Yaramis. Gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e 7.5 milionë eurove që ia atribuoi si përfitime kriminale. Paralelisht me të është edhe një tjetër proces, ku komunikimet e dekriptuara të Sky ECC e lidhin me dy transporte cash prej gjithsej 1.75 milionë eurosh në vitet 2020-2021.
Për belgët ai është “Alduth” ose “De Lange Albanees”, ndryshe “Gjatoshi shqiptar”. Gazeta van Antwerpen (GVA), një nga mediat që ka ndjekur më gjatë historinë e tij, shkruante në profilin e Matoshit se policitë e Shqipërisë, Italisë, Holandës dhe Belgjikës e shihnin atë si “një nga bosët e mëdhenj të Kompania Bello”, organizata shqiptare që “për vite me radhë përmbyti Europën me kokainë nga Ekuadori”.
Kompania Bello ka dalë nga hetimet europiane si një bashkim klanesh familjare shqiptare që kishin arritur të rikrijonin zinxhirin tradicional të trafikut të kokainës: njerëzit e tyre shkuan në Amerikën e Jugut, krijuan kontakte drejtpërdrejt me furnizuesit, organizuan ngarkimin në porte si Guayaquil, siguruan transportin drejt Antwerp-it dhe Rotterdam-it dhe më pas përdorën partnerë lokalë për nxjerrjen nga kontejnerët dhe shpërndarjen në tregun europian.
Në këtë mekanizëm, sipas hetuesve belgë dhe italianë, Denis Matoshi ishte një nga hallkat kryesore.
“Humbësi korrekt” që respekton policët në rrugë

Shumë përpara se Belgjika të kërkonte ekstradimin e tij, Matoshi pati një prezantim krejt të pazakontë me policinë belge. Dy efektivë të Policisë Rrugore, Yann dhe Jef, po patrullonin autostradën nga Antwerp drejt Eindhovenit të shoqëruar nga prezantuesi televiziv Luk Alloo dhe kameramanin e tij në sediljen e pasme, kur përpara tyre një Mercedes S500 nisi të largohej me shpejtësi.
“Po ecim me 180. Ai po shkëputet. 190, 195…”, dëgjohet njëri prej policëve në pamjet që GVA rindërtoi vite më vonë.
Pastaj 210 km/h. “Ai po shkëputet akoma! Është koha ta ndalojmë. Aman, dreqi e mori. 240!” dëgjohen të thonë policët.
Dritat blu u ndezën dhe Mercedesi më në fund ndaloi. Shoferi nuk kuptonte holandisht dhe provoi në anglisht: “Please, let me go. Please?” (Ju lutem më lejoni të shkoj! Ju lutem!) Kur policët i shpjeguan se duhej të dorëzonte patentën ai nuk kundërshtoi: “Nëse ju thoni se po ecja me 216, atëherë duhet të jetë e saktë. Unë nuk vura re asgjë.” thotë ai, pa kundërshtuar asfare përfaqësuesit e rendit.
Pasi makina parkon jashtë del “një burrë i gjatë, i hajthëm dhe i dobët”. U kërkoi me mirësjellje policëve nëse mund t’ia çonin Mercedesin deri në parkingun disa qindra metra më tutje.
“Uau, kjo qenka makinë e bukur”, reaguan ata. Luk Alloo e quajti shoferin një “humbës korrekt”, ndërsa policët e përshkruan kështu: “Po ecte vërtet shpejt. Është ndër pesë më të shpejtët që kemi ndaluar. Por ishte një njeri shumë miqësor.”
“Njeriu shumë miqësor” që rastësisht ishte filmuar nga emisioni televiziv ishte Denis Matoshi, i lindur në Bajram Curri, i njohur në Shqipëri si Eldi Dizdari dhe në botën e krimit të Antwerp-it si “Alduth” ose “Gjatoshi shqiptar”.
Disa vite më vonë, i njëjti person u bë i famshëm në Belgjikë si një ndër trafikantët e mëdhenj të kokainës. Në janar 2025, media belge GVA publikoi historinë e Serife G., një punonjëse e Bashkisë së Antwerp-it, e cila sipas drejtësisë belge kishte kthyer sportelin e administratës në atë që gazeta e quajti ironikisht një “sportel të mafias”.
Skema ishte e thjeshtë dhe e rrezikshme. Fotografia e një personi të botës së krimit futej në Regjistrin Kombëtar belg mbi identitetin e një qytetari tjetër dhe më pas prodhoheshin dokumente autentike në formë, por me identitet të rremë.
Një nga klientët ishte Matoshi.
Serife G. i siguroi një kartë identiteti belge, patentë dhe pasaportë ku fotografia ishte e tij, por identiteti i përkiste një personi tjetër. Për dokumentet dyshohet se u paguan vetëm rreth 1 mijë euro, një shumë që gazeta e krahasonte me qindra mijëra euro që kriminelë të tjerë paguanin për identitete të reja.
“Megjithëse “Gjatoshi shqiptar” kërkohej nga gjysma e botës, ai mund të udhëtonte i pashqetësuar”, shkruante GVA.
Por ndërsa dokumentet mund ta fshihnin identitetin në një kontroll të rastësishëm rrugor të policisë, hetimet ndërkombëtare po e afronin gjithnjë e më shumë emrin e tij me Kompania Bello.
Në shtator 2020 erdhi arrestimi i parë i madh në Dubai. Operacioni quhej “Los Blancos”, drejtohej nga autoritetet italiane dhe përfshiu dhjetë vende. Në një goditje të koordinuar u arrestuan 20 persona, mes tyre Matoshi.
Policia e Dubait deklaroi se arrestimi ishte bërë pas shkëmbimit të informacionit me autoritetet italiane dhe mbi bazën e një urdhri ndërkombëtar. “Matoshi kërkohej nga Italia për drejtimin e një grupi të organizuar të trafikut të drogës. Ata trafikonin tonelata droge drejt Europës për shitje”, deklaronte drejtori i departamentit të personave në kërkim të Policisë së Dubait.
Përmasat e operacionit tregonin edhe përmasat që hetuesit i atribuonin Kompania Bello. Hetimi kishte zgjatur pesë vjet; 84 anëtarë të tjerë të rrjetit ishin arrestuar më herët në Itali, Ekuador, Holandë, Britani, Zvicër dhe Gjermani; ishin sekuestruar afro katër tonë kokainë dhe mbi 5.5 milionë euro cash. Sipas Europol, rrjeti kontrollonte hallka të ndryshme të trafikut, nga negociatat me furnizuesit në Amerikën e Jugut deri te shpërndarja e drogës në Europë, Rusi dhe Turqi.
Italia kërkoi ekstradimin e Matoshit, por Dubai nuk e dorëzoi dhe ai u lirua. Avokati i tij Sven Mary deklaronte më vonë se klienti ishte shpallur i pafajshëm në Itali. “Edhe në Shqipëri nuk është dënuar. Denis ka një rekord penal të pastër në të gjithë Europën”, thoshte Mary.
Kjo ishte situata juridike në atë moment. Belgjika vazhdoi hetimet, Matoshi u arrestua përsëri në Dubai, këtë herë me kërkesë të saj, dhe kaloi rreth dy vjet në paraburgim. Ndërkohë, gjykata e Antëerp-it e dënoi me 10 vjet burg. Në fund të shtatorit 2026, Mary tregonte se Matoshi e telefononte dy herë në javë për të pyetur kur do të realizohej ekstradimi.
Këtë herë Emiratet e dorëzuan.
Kokaina, marokenët e Antwerp dhe Sky ECC

Arsyeja e këmbënguljes belge gjendet kryesisht në portin e Antwerp-it, një nga portat kryesore të kokainës së Amerikës Latine drejt Europës.
Transportimi i kokainës deri në port është vetëm gjysma e operacionit. Pasi kontejneri mbërrin, droga duhet të nxirret përpara se të zbulohet nga dogana ose policia. Kjo kërkon akses në terminal, informacione për kontejnerët, njerëz që dinë pozicionin e tyre dhe grupe që mund ta nxjerrin ngarkesën.
Sipas hetuesve belgë, Matoshi kishte krijuar pikërisht këto lidhje.
Mediat belge shkruanin se ai, si përfaqësues i Kompanisë Bello, dyshohej se kishte organizuar transportimin e “mijëra kilogramëve kokainë” drejt Antwerp-it dhe Rotterdam-it. Një prej partnerëve për nxjerrjen e kokainës nga portet ishte Bayram Y., pjesë e klanit Yaramis, i cili për një periudhë kishte krijuar një pozicion të fuqishëm në kalatën 1700 të portit.
Avantazhi i klanit, sipas medias belge, ishte aksesi nga brenda portit. Një i afërm, Marsin, punonte si planifikues kryesor pranë operatorit të terminaleve DP World. Kur konfliktet e brendshme dhe hetimet goditën Yaramis, Matoshi humbi një nga “dyert” e tij në port.
Partnerët e rinj u bënë ish-kickboxeri Omar Govers dhe Najim E.M., me të cilët Matoshi dyshohet se bashkëpunoi për një periudhë të gjatë për nxjerrjen e ngarkesave nga kalatat 1700 dhe 1742.
Dosja Yaramis i solli më pas dënimin me 10 vjet burg, 80 mijë euro gjobë dhe konfiskimin e 7.5 milionë eurove.
Por një proces tjetër sapo fillon. Ai lidhet me Omar Govers dhe me Sky ECC.
Nga mesazhet e dekriptuara, Prokuroria e Antëerp-it pretendon se bashkëpunëtorët e Govers kryen dy transporte cash për Matoshin gjatë viteve 2020 dhe 2021, me një vlerë totale prej 1.75 milionë eurosh.
Kur çështja u gjykua, Matoshi ndodhej ende në Dubai. Prokuroria kërkoi që pjesa e tij të veçohej, pikërisht që ai të mund të merrte pjesë personalisht në gjykim pasi të ekstradohej.
Rëndësia e Sky ECC për drejtësinë belge shkon shumë përtej Matoshit. Hetuesit arritën të dekriptonin rreth një miliard mesazhe dhe deri në shkurt 2026 hetimet kishin prodhuar 470 dosje të reja, mbi 1.200 persona të dënuar dhe sekuestrimin e më shumë se 224 milionë eurove. Hetuesit belgë e përshkruan platformën si një mjet që përdorej praktikisht tërësisht për aktivitete të paligjshme.
Dhe Sky ECC e lidh historinë belge me historinë shqiptare të Eldi Dizdarit.
Në hetimin e SPAK për organizatën e Salvatore, alias Shpëtim Aliut, hetuesit shqiptarë kanë identifikuar komunikime që ia atribuojnë Dizdarit dhe që lidhen me furnizimin me kokainë nga Ekuadori. Një prej episodeve përkon drejtpërdrejt me Antwerp-in: rreth 700 kilogramë kokainë të sekuestruar në maj 2020.
Pas sekuestrimit, në komunikimet e publikuara nga dosja shfaqet pyetja:
“A e pe lajmin?”
Dhe përgjigjja:
“Ah, e jona.”
Në biseda të tjera personi që SPAK identifikon si Dizdari flet për kapacitete shumë më të mëdha: “Jo tre po 10 në javë i përballoj”. Sipas materialeve të hetimitm në një periudhë të shkurtër dyshohet se ishin dërguar të paktën 8 milionë euro drejt Ekuadorit.
Ekuadori dhe Dritan Rexhepi

Një nga arsyet pse hetuesit europianë i kushtuan kaq shumë rëndësi Kompania Bello ishte modeli i saj. Grupet shqiptare nuk prisnin më që kokaina të mbërrinte në Europë për ta blerë nga ndërmjetës të tjerë, por dërgonin njerëzit drejtpërdrejt në Amerikën e Jugut, krijonin lidhje me furnizuesit kolumbianë dhe korruptonin persona në portin e Guayaquil-it.
Një prej figurave kryesore në Ekuador ishte Dritan Rexhepi.
Belgët e njihnin Rexhepin shumë përpara se ai të shfaqej si figurë e trafikut nga Amerika Latine. Në vitin 2011 ishte arratisur nga burgu i Merksplas duke kapërcyer murin; më herët ishte arratisur edhe nga një komisariat në Shqipëri dhe një burg italian.
Më pas u shfaq në Ekuador. Dritan Rexhepi krijoi atje një marrëdhënie me një furnizues të madh kolumbian që siguronte tonelata kokainë. Ndarja e roleve me Matoshin përshkruhet qartë nga gazeta belge: “Rexhepi siguronte që kokaina të hipte në anije drejt Antwerp-it dhe Rotterdam-it, ndërsa Denis Matoshi siguronte që droga të arrinte e sigurt te klientët në Europë.”
Hetuesit kapën edhe një bisedë mes Rexhepit dhe një personi të afërt, ku flitej për Matoshin. “Ai ka nxjerrë tashmë katër mijë kilogramë. Ai është numri ynë një” thuhej në një nga bisedat.
Në anën europiane të zinxhirit ishin grupet e Antwerp-it. Kur Yaramis u dobësua, Matoshi, sipas hetuesve, kaloi te Omar Govers dhe Najim E.M. për të siguruar nxjerrjen e kokainës nga porti.
GVA dhe media të tjera belge e vendosin Najim E.M. në majën e botës së kokainës së Antwerp-it. Ai kishte arritur për vite të qëndronte jashtë radarit të policisë dhe më vonë u shfaq edhe në tregun e pasurive të paluajtshme në Dubai. Marrëdhënia me “Gjatoshin shqiptar” përshkruhet nga burimet belge si një partneritet ku njëra palë sillte aksesin në port, ndërsa tjetra siguronte furnizimin.
Nga ish-Blloku te Bluewaters: jeta në Dubai dhe fundi në burg

Në Shqipëri, emri Eldi Dizdari u bë gjerësisht i njohur pas ngjarjes së 4 tetorit 2018 në ish-Bllok, ku u vra Fabian Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljo Hato.
Hetimi e lidhi emrin e Dizdarit me konfliktin që i parapriu përplasjes së armatosur. Ai ishte konfliktuar me Ervin Matën përpara ngjarjes dhe policia kërkonte ta merrte në pyetje.
Në atë periudhë, qendra e jetës së tij ishte zhvendosur në Dubai.
GVA shkruante se Matoshi figuronte zyrtarisht i regjistruar në Blueëaters Island Residences 2, një prej komplekseve të njohura të Dubait. Megjithëse kishte lindur në Bajram Curri, ai kishte shtetësi belge.
Në jetën private ishte ose kishte qenë i martuar me Suada Sherifin, ish-Miss Shqipërinë, me të cilën ka një fëmijë.
Investigimi belg nxori edhe një të dhënë të rëndësishme financiare. Sipas dokumenteve të analizuara nga GVA, në emër të Sherifit figuronin nëntë prona në Dubai, me një vlerë totale blerjeje prej 17.8 milionë eurosh.
Për Matoshin, Dubai kishte edhe një avantazh tjetër: ekstradimi.
Italia e provoi në vitin 2020 dhe dështoi. Në rastin e kërkesës së Belgjikës procedura zgjati deri në fund të shtatorit 2026, kur Emiratet vendosën ta dorëzonin.
Avokati Sven Mary tregonte se Matoshi e telefononte dy herë në javë për të pyetur për ekstradimin. Madje kishte shpresuar të ishte mes disa të kërkuarve të Antëerp-it që Emiratet ia dorëzuan Belgjikës në qershor, por atëherë emri i tij mbeti jashtë listës.
Të mërkurën Denis Matoshi u vendos në një avion në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe disa orë më vonë zbriti në aeroportin ushtarak Melsbroek. Nga pista u transferua drejtpërdrejt në një burg belg.
Ministrja e Drejtësisë Annelies Verlinden e bëri publik lajmin: “Bashkë me Emiratet e Bashkuara Arabe po tregojmë se nuk ka strehë të sigurta për kriminelët e drogës.”/Lapsi.al