
Protestat e nxënësve të shkollave të mesme janë përshkallëzuar në disa qytete të Francës, ku demonstruesit janë përplasur me forcat e policisë. Në Strasburg u përdor gaz lotsjellës, ndërsa në Marsejë protestuesit hodhën fishekzjarre drejt policisë. Në Rennes u dogjën kazanë plehrash, ndërsa në Pantin, në periferi të Parisit, u dogjën gardhe dhe u hodhën fishekzjarre ndaj forcave të rendit.
Mediat e huaja bëjnë me dije se protestat, të nisura në rajonin e Parisit javën e kaluar, lidhen me kushtet në shkolla, mungesën e mësuesve, klasat e mbipopulluara dhe problemet me infrastrukturën. Rreth 400 shkolla të mesme mbetën të mbyllura të hënën, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje prindërve të mos lejojnë fëmijët të marrin pjesë në demonstrata për shkak të dhunës.
Sipas autoriteteve, 65 pjesëtarë të stafit arsimor janë plagosur gjatë incidenteve, mes tyre 40 drejtues shkollash. Policia ka arrestuar rreth 2 mijë persona që nga fillimi i protestave, shumica adoleshentë. Ministri i Drejtësisë, Gérald Darmanin, ka deklaruar se protestat janë ndikuar nga persona të jashtëm dhe ka kërkuar që prindërit të mbajnë përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara nga fëmijët e tyre.
Ndërkohë, sindikatat e mësuesve kanë bërë thirrje për grevë, duke kërkuar më shumë investime në sistemin arsimor. Pakënaqësia lidhet edhe me projektbuxhetin për vitin 2027, ku fondet për arsimin parashikohet të rriten me 1.7%, në 65.53 miliardë euro, një rritje më e ulët se inflacioni.